LAJMI I FUNDIT:

Ismaili: Thesari i Kosovës është duke punuar në hapjen e të dhënave

Ismaili: Thesari i Kosovës është duke punuar në hapjen e të dhënave
Ahmet Ismaili, drejtor i Thesarit të Kosovës

Hapja e të dhënave do ta lehtësonte punën e institucioneve dhe kjo është mjaftë e rëndësishme edhe për publikun.

Kështu shprehet drejtori i Thesarit të Kosovës, Ahmet Ismaili, duke shtuar se, kjo do të përfshinte edhe shoqërinë civile.

“Informacion ka mjaftë të bollshëm, pra regjistrat tonë kontabël janë të plotë dhe ka mjaftueshëm informata, mirëpo ajo informatë që është për publikun nuk duhet të cenoj privatësinë e elementeve të tjera. Prandaj, kur do të bëhet kjo, ne do të sigurohemi që të përfshijmë dhe shoqërinë civile, organizatat që janë mjaftë aktive në këtë fushë, të sigurohemi që të publikojmë një informacion që është relevant dhe që i mundëson analizimit dhe mënyrës së si po shpenzohet Buxheti, ku e rrit përgjegjësinë dhe llogaridhënien e atyre që e shpenzojnë atë”, tha Ismaili për Telegrafin.

Ai thotë se Thesari i Kosovës është duke punuar në hapjen me të madhe të të dhënave.

Hapja e të dhënave të Thesarit të Kosovës - rrit transparencën dhe llogaridhënien
Lexo po ashtu Hapja e të dhënave të Thesarit të Kosovës - rrit transparencën dhe llogaridhënien

“Ne kemi pasur një plan për këtë vit, por për shkak të pandemisë COVID-19 ka ndryshuar që të riorganizojmë ueb-faqen e Ministrisë së Financave, ku do të krijohet një pjesë e veçantë për Thesarin e që do t’i mbledh të gjitha informacionet e Buxhetit në një format të lehtë dhe do t’i grumbulloj në një shtyllë që do të jetë lehtësisht e lexueshme për lexuesin. Hapja e mëtutjeshme duhet të kushtëzohet me zhvillimet që duhet bërë në softuerët tonë, po ashtu edhe në disa përshtatje ligjore”, tha ai.

“Ne kemi kërkesa përditë, ku shumica e kërkesave grumbullohet aty në lidhje me përgjigjen që e japim ne dhe kjo na merr një kohë relativisht të madhe, sepse kërkesat janë të natyrës së ndryshme dhe kërkojnë punë manuale. Në dinamikën që jemi dhe aktivitetin e zakonshëm që e kemi, përballemi me afatin ligjor që duhet t’i përgjigjemi”, përfundoi Ismaili. /Telegrafi/