Hapja e transaksioneve të Thesarit të Kosovës për investimet kapitale, për mallra e shërbime dhe për subvencione e transfere do t’i kontribuonte qytetarëve për të kërkuar llogaridhënie.

Kështu thonë përfaqësues nga shoqëria civile, duke shtuar se të dhënat e hapura do ta rrisin transparencën e institucioneve.

Hulumtuesi nga Demokracia Plus, Agon Hysaj për Telegrafin thotë se, rëndësia e hapjes së të dhënave është e madhe pasi do të gjurmohen keqpërdorimet e parasë publike.

“Rëndësia e hapjes së të dhënave ndikon shumë në punën e akterëve, si organizatat e shoqërisë civile, gazetarëve, por edhe qytetarëve që ta kuptojnë më mirë se nga po shkojnë të dhënat, ku nëse ka keqpërdorime ta gjurmojnë paranë deri në pranuesin e fundit. Për shembull, nëse ka kontrata të prokurimit publik, ta bëjnë një lidhje në mes kontratës së nënshkruar dhe pagesave të bëra”, tha Hysaj.

Agon Hysaj, hulumtues në Demokracia Plus në intervistë për Telegrafin

Për drejtorin e Thesarit të Kosovës, hapja e të dhënave do ta lehtësonte punën e institucioneve.

“Ne kemi kërkesa përditë, ku shumica e kërkesave grumbullohet aty në lidhje me përgjigjen që e japim ne dhe kjo na merr një kohë relativisht të madhe, sepse kërkesat janë të natyrës së ndryshme dhe kërkojnë punë manuale. Në dinamikën që jemi dhe aktivitetin e zakonshëm që e kemi, përballemi me afatin ligjor që duhet t’i përgjigjemi”, tha për Telegrafin drejtori i Thesarit, Ahmet Ismaili.

Kurse, drejtori i Institutit Riinvest, Alban Hashani thotë se një e dhënë e hapur do t’u mundësonte organizatave të janë më përgjegjëse.

Ahmet Ismaili, drejtor i Thesarit të Kosovës në intervistë për Telegrafin

“Hapja e të dhënave, gjithsesi e rrit transparencën, kjo u mundëson organizatave që ta mban përgjegjës një institucion, megjithatë unë jam i prirur të besoj se duhet të kemi hapje graduale, për një arsye, sepse edhe kapacitetet brenda organizatave publike janë të kufizuara për ta bërë një hapje të menjëhershme”, tha Hashani.

Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Dardan Sejdiu tha për Telegrafin se, hapja e të dhënave ka të bëjë me të drejtën për të pasur qasje në informacion.

“Të dhënat publike duhet të janë e drejtë që duhet rregulluar në një shoqëri, pra nuk duhet shoqëria dhe ligjvënësit ta diskutojnë se a duhet apo nuk duhet të ketë të dhëna të hapura, por qëllimi duhet të jetë se cili duhet të jetë niveli që nuk guxon të hapet. Cilat janë të dhënat që mbrojnë disa informacione shtetërore e që nuk duhet të hapet, të gjitha duhet me qenë të hapura. Hapje e të dhënave në këtë drejtim është e domosdoshme, pra që mundësia me të dhënat të ndërtohet të menduarit anësor. Ka të bëjë me të drejtën time për të pasur qasje në informacion se si shpenzohen paratë e mia”, tha Sejdiu.

Alban Hashani, drejtor ekzekutiv i Institutit Riinvest në intervistë për Telegrafin

Për sa i përket ekzpozimit të korrupsionit, përfaqësues të shoqërisë civile dhe të institucioneve thonë se, hapja e të dhënave do ta rriste përgjegjësinë.

“Nuk mund të thuhet se do ta eliminonte por do ta lehtësonte shumë që të ekspozohej korrupsioni dhe në momentin që ekspozohet ai, atëherë është presioni për institucionet e ndjekjes, te Prokuroria që të merret me rastet”, tha Hysaj.

Hashani thotë se Ligji për Qasje në Dokumentet Zyrtare ka disa probleme.

Dardan Sejdiu, ish-deputet i Kuvendit të Kosovës në intervistë për Telegrafin

“Në aspektin legjislativ është bukur mirë i dizajnuar, megjithatë ka disa probleme. Në rastet kur autoritetet kontraktuese kanë diçka për të fshehur, tentojnë që t’i shtjerrin të gjitha mundësitë që të pengojnë dorëzimin e këtyre informacioneve. Përmes procesit gjyqësor janë detyruar që t’i bëjnë publike informatat që janë kërkuar nga organizatat e ndryshme”, tha Hashani.

Ndërsa për ish-deputetin e Kuvendit të Kosovës, nëse hapen të dhënat ky Ligj duhet të shërbej për dokumente të ndieshme.

“Nëse kjo shoqëri shkon në Open Data, Ligji për Qasje në Dokumentet Publike, duhet të jetë vetëm për dokumente sensitive i aplikueshëm, kurse për dokumentet tjera duhet të jetë gjithçka e hapur”, tha Sejdiu. /Telegrafi/