Analisti i sigurisë, Avni Islami ka reaguar lidhur me deklaratat e drejtorit të Zyrës për Kosovë dhe Metohi në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, pas operacionit të institucioneve të Kosovës në veri të vendit, ku u zbulua dhe konfiskua një sasi e konsiderueshme armatimi.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Islami ka vlerësuar se reagimi i Petkoviqit ndaj ministrit të Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla është pjesë e një përpjekjeje për ta minimizuar rëndësinë e aksionit të institucioneve të sigurisë.


Sipas Islamit, pretendimi i Petkoviqit se konferenca e Sveçlës në Zubin Potok ishte “sajim” synon të zhvendosë vëmendjen nga konfiskimi i arsenalit të armëve dhe ta kthejë debatin te akuzat e Beogradit ndaj Policisë së Kosovës për keqtrajtime dhe arrestime të pjesëtarëve të komunitetit serb.

“Ky reagim erdhi menjëherë pas goditjes që mori Beogradi zyrtar nga zbulimi dhe konfiskimi i një arsenali të madh armatimi në veri të vendit”, ka shkruar Islami.

Ai e ka cilësuar këtë qasje si pjesë të asaj që e quan “luftë asimetrike hibride” për kontrollin e narrativës ndërkombëtare.

Sipas tij, ndërsa institucionet e Kosovës veprojnë në kuadër të luftës kundër kriminalitetit të organizuar dhe zbatimit të ligjit, Beogradi përpiqet që aksionet e tilla t’i paraqesë si presion ndaj komunitetit serb.

Islami ka thënë se incidentet dhe operacionet e sigurisë shpesh shndërrohen në mjete të përplasjeve politike dhe diplomatike mes Kosovës dhe Serbisë.

Në fund të reagimit të tij, analisti ka vlerësuar se, sipas tij, narrativat dhe deklaratat e pushtetit në Beograd po humbin besueshmërinë në sytë e bashkësisë ndërkombëtare, duke pretenduar se strategjia e dezinformimit po njihet gjithnjë e më shumë.

“Kosova mbetet e palëkundur në mbrojtjen e sovranitetit dhe sigurisë kombëtare”, ka përfunduar Islami. /Telegrafi/