LAJMI I FUNDIT:

Ishte muzikant, donte të bëhej jurist dhe papritmas ra në dashuri me teatrin

Ishte muzikant, donte të bëhej jurist dhe papritmas ra në dashuri me teatrin

Nga: Ed Power / The Independent
Përkthimi (i pjesshëm): Telegrafi.com

Nëse ishe i ri që jetonte në Kork në fillim të viteve nëntëdhjetë, në një moment do të kishe hasur në një grup të ri të ri të udhëhequr nga një lider me pak kile, me një vështrim të thellë dhe me flokët që binin në sy. Grupi ishte Sons of Mr Green Genes, të cilët emrin e morën sipas një kënge të Frank Zappas. Këngëtari e tyre ishte një adoleshent i turpshëm i quajtur Cillian Murphy.


Kishte talent muzikor dhe nuk i mungonte karizma. Por, askush që u grumbullua për ta parë grupin e tij, nuk do t’i shkonte mendja se Murphy, 47 vjeç sot, do të triumfonte në Oscars 2024 duke fituar çmimin për aktorin më të mirë për portretizimin e babait të bombës atomike – Robert Oppenheimer.

“Shkova t’i dëgjoj … dhe thash: ‘Çfarë dreqin është ky tipi që interpreton acid-xhaz’?” – kujton Morty McCarthy, baterist i grupit The Sultans of Ping. “Në Kork e kishim indi-skenën … acid-xhazi ishte lëvizje e guximshme. Të gjithë interpretonin mirë. Ndoshta ishin më të mirë se ne në atë kohë. Murphy nuk u dallua. Ishte goxha i ri”.

Murphy ishte ende në shkollë kur formoi grupin, bashkë me vëllain e vogël Pádraig (në tastierë) dhe miqtë Bob Jackson (bateri), Chris McCarthy (bas) dhe John Ahern (kitarë, vokal). “Erdhën tek unë me demot në kaseta. Mendoj se Cilliani ishte rreth 15 vjeç, Paudi ishte rreth 13”, kujton Joe Kelly, një promotor lokal i muzikës i cili më vonë angazhon Sons of Mrs Green Genes në një klub në qytet. “Murphy nuk imponohej. Nuk e imitonte Mick Jaggerin. I binte kitarës dhe këndonte – ishte më shumë muzikant sesa lider”.

I fiksuar pas muzikës, Murphy vazhdoi t’i jepte përparësi grupit kur i nisi studimet për Juridik në Kolegjin Universitar të Korkut [UCC]. Duke interpretuar në qytetin e dytë më të madh të Irlandës, grupi filloi të tërhiqte vëmendjen e kompanive diskografike. Në një moment, labeli londinez Acid Jazz – i bashkëthemeluar nga DJ Gilles Peterson – e shprehu interesimin për ta.

“Ishin fantastikë”, tha Eddie Piller i Acid Jazz-it në vitin 2012. “Ishin shumë të rinj, ndoshta nën 18 vjeç. Ma kujtuan një grup të labelit tim që ishte shpërndarë – i quajtur Corduroy. Doja të gjeja një zëvendësim për ta. Kështu që e gjurmuam këtë grup të vogël. Shkova për t’i parë në Kork dhe negociuam për ca kohë me ta”.

Sidoqoftë, aktrimi i Murphyt nisi të eklipsojë grupin. Në vitin 1995, një trupë lokale e teatrit eksperimental, Corcadorca, në një klub nate e bëri inskenimin e veprës A Clockwork Orange të Anthony Burgessit. Kishte ndikim të thellë te Murphy. I nxitur nga shfaqja, Murphy iu afrua themeluesit të trupës, Pat Kiernan, dhe i sugjeroi që ta angazhonte në projektin e tij të ardhshëm. “Po e bezdisja Patin“, tha Murphy për The Irish Times në vitin 2016. “Përfundimisht, isha në Francë gjatë verës dhe … teksti arriti në tendën time. E lexova për herë të parë. Ishte hera ime e parë që lexoja një dramë jashtë shkollës: kaq analfabet isha për teatrin”.

Teksti ishte për Disco Pigs, për një çift në një marrëdhënie shkatërruese, në një version alternativ surrealist të Korkut – “Pork City”. Është shkruar nga Enda Walsh, dublineri që jetonte në Kork dhe i cili më vonë do të bashkëpunojë me David Bowien për muzikalin e tij Lazarus. Kur u takua me Murphyn, e dinte se ishte ideal për rolin.

“Lexoi një nga dialogët dhe thash se është aktor i shkëlqyeshëm”, kujtoi më vonë Walsh. “Kishte njohuri të muzikës apo të zërit. Sa herë që e thoshte tekstin, në thelb këndonte. Ishim shumë, shumë me fat që e morëm atë.”

Aktrimi u bë pasioni i Murphyt. Grupi u zbeh, si dhe aspiratat arsimore të Murphy (u largua nga UCC pak më vonë). Suksesi që ka gëzuar që atëherë varej tërësisht nga talenti dhe këmbëngulja. I kishte vitet e vështira derisa më 2002 Danny Boyle nuk e angazhoi në horrorin 28 Days Later. Gjërat mund të mos shkonin lehtë për të. Por, ndodhi e kundërta. Vazhdoi të punonte me Ken Loachin për The Wind That Shakes the Barley, një këndvështrim i majtë për Luftën Irlandeze të Pavarësisë, dhe do të shkëlqejë në pjesë më të vogla në filmat e suksesshëm të Christopher Nolanit, si Batman Begins dhe Inception – përpara se të bëhej i famshëm si anti-heroi Tommy Shelby në serinë Peaky Blinders. Solli cilësi në këto role dhe një ambivalencë magjepsëse. Kjo ishte veçanërisht e vërtetë për Peaky Blinders. Dhe, erdhi momenti i tij i kurorëzimit me Oppenheimer-in e Nolanit, në të cilin ai e luan fizikanin që lufton me të vetmen gjë përtej arritjes së shkencës: ndërgjegjen e vet.

Mes gjithë këtij shkëlqimi, Murphy gjithmonë e ruajti dashurinë për muzikën. Është prezantues gjysmë i rregullt në BBC 6 Music, ku prezanton “kasetat e veta”. Përveç kësaj, është shfaqur në skenë me shumë muzikantë. Po ashtu, qëndroi pranë rrënjëve. Ai dhe familja e tij u kthyen në Irlandë disa vjet më parë dhe e festoi ditëlindjen e tij të 40-të me grupet lokale.

“Kishte shumë teatër dikur”, kujton Cónal Creedon, romancier dhe dramaturg, vepra e të cilit është interpretuar nga Corcadorca. “Shumë nga kjo ishte për shkak të papunësisë. Dukej se të gjithë ishin muzikantë, kompozitorë, dramaturgë, poetë. Nuk kishte asgjë tjetër për ta humbur kohën”. /Telegrafi/