LAJMI I FUNDIT:

A ishte Mehmet Shehu agjent amerikan dhe detajet e atentati për vrasjen e tij

A ishte Mehmet Shehu agjent amerikan dhe detajet e atentati për vrasjen e tij

Rrëfimi i një studiuesi të historisë së shërbimit sekret shqiptar ka rikthyer në vëmendjen e mediave figurën e ish Kryeministrit më jetëgjatë shqiptar Mehmet Shehu. Vdekja e rrethuar nga misteri dhe jeta e mbushur plot me ngjarje sa drithëruese e aq problematike, e ka bërë figurën e Shehut mjaft interesante për të gjithë ata që kërkojnë të sprovojnë penën e tyre në lëmin historik.

Për këtë arsye kjo figurë tejet kontradiktore e periudhës komuniste do të vazhdojë të sjellë debate, shkrime dhe rrëfime gjysmë folklorike mbi të.


Por dëshiroj të them se janë shumë të paktë ata studiues apo historianë të mirëfilltë që në debatin e të kaluarës komuniste dhe në veçanti të personazheve kryesore të saj, sjellin dokumenta autentike të cilat ndriçojnë sado pak errësirën dokumentare të asaj periudhe.

Në debatin e hapur ditët e fundit mbi figurën e Mehmet Shehut mendoj se do të ishte i dobishëm një mendim modest i bazuar në studimin e arkivave të deklasifikuara amerikane për Luftën dhe në veçanti për figurën e Mehmet Shehut. Jo për të revizionuar të kaluarën e tij diktatoriale, as për të shfajësuar krimet e tij dhe as për të nxjerrë në pah meritat e padiskutueshme në mbarëvajtjen e shtetit, por për të njohur sadopak të kaluarën gri të liderëve komunistë shqiptarë.

Për këtë arsye ballafaqimi i dokumentave të deklasifikuara amerikane, italiane, franceze, serbe apo sovjetike me arkivat shqiptare do të ishin një mënyrë e drejtë për të nxjerrë përfundime të sakta historike mbi të kaluarën ende të panjohur të asaj periudhe.

Në arkivat amerikane në Uashington D.C ndodhen një numër dokumentesh me vlerë të madhe historike mbi Shqipërinë. Në veçanti shumë të rëndësishme janë Dokumentet e deklasifikuara, të cilat flasin mbi rolin e OSS (Shërbimi i Fshehtë Amerikan përgjatë Luftës së Dytë Botërore) si dhe mbi Operacionet Klandestine BGFIEND të periudhës 1949-1955.

Me gjithë volumin e madh të këtyre dokumenteve, deri më tani nuk ka dalë asnjë material që të mund të bëjnë një lidhje të Mehmet Shehut, kryeministrit të famshëm komunist me Shërbimin Amerikan të inteligjences. Lidhje për të cilën ai përflitet sot nga studiues të fushës si dikur nga ish-vartësit e tij.

Nëse Shehu ka pasur lidhje me OSS amerikane gjatë luftës, dokumentacioni është i deklasifikuar dhe mund të jetë i disponueshëm për studiuesit e kësaj fushe të cilët kërkojnë lidhjen e Shehut me pararendësen e CIA-s.

Deri më sot ata studiues shumë të paktë që kanë lexuar Dosjet e OSS nuk kanë mundur të zbulojnë asnjë dokument nga periudha e angazhimeve të OSS në Shqipëri ku Mehmet Shehu të jetë i implikuar. Kjo mungesë dokumentacioni e vë në pikëpyetje të thellë akuzën kryesore që ish-kryeministri shqiptar ka pasur lidhje të hershme agjenturore me Shërbimet Amerikane.

****

Mehmet Shehu është akuzuar pas vdekjes nga Hoxha se ai (Shehu) duhet të jetë rekrutuar nga Harry Fultz gjatë periudhës së studimit në Shkollën Teknike.

Por historiografia komuniste, (çuditërisht edhe ajo e sotmja) që i ka artikuluar këto pikëpyetje, nuk ka sqaruar se amerikanët deri në vitin 1941 nuk kanë pasur një shërbim të fshehtë që merrej me çështjet e politikës ndërkombëtare, operacione klandestine, rekrutime etj, ashtu siç është sot agjencia kryesore e zbulimit amerikan, CIA.

Në dosjen personale të Harry Fultzit, e cila është tashmë e deklasifikuar, nuk ka asnjë dokument që të provojë se Fultz kishte lidhje me shërbimet e inteligjencës amerikane gjatë periudhës kur ai kryente rolin e drejtorit të Shkollës Teknike.

Amerikanët deri në vitin 1941 kanë pasur një sërë zyrash të inteligjencës kryesisht me karakter ushtarak, të shpërndara në disa institucione si ushtria, flota, Departamenti i Shtetit etj. Po kështu Shërbimi i brendshëm i inteligjencës, pararendësja e FBI e cila kishte në vëzhgim të gjithë shtetasit e huaj nuk kishte asnjë juridiksion jashtë territorit amerikan.

Në Dosjet e këtij shërbimi përshembull, ndodhet dosja e Fan Nolit i cili në fundin e Luftës së Parë Botërore dhe në vitet ‘20 mbahej në mbikqyrje të vazhdueshme pasi dyshohej se ishte një person i lidhur me shërbimin austriako-gjerman. Në këtë Dosje (të cilën artikullshkruesi po e përgatit për botim) lexohet qartë pamundësia e Shërbimit Amerikan të Sigurimit të kontrollonte lëvizjet e Nolit jashtë territorit amerikan deri sa arritën të rekrutonin shqiptarë për të mbajtur në vëzhgim peshkopin politikan.

Nga kjo Dosje në fakt mund të shikohet se amerikanët nuk dyshonin për peshkopin shqiptar si person me prirje komuniste, përkundrazi ata e penguan hyrjen e tij në territorin amerikan pasi dyshonin se Noli financohej nga burime austro-gjermane. Nuk dihet nëse amerikanët kanë pasur të drejtë apo jo pasi cilësia e inteligjencës në dispozicion ishte mjaft e mangët.

Historianët më të njohur të fushës pranojnë se shërbimet inteligjente amerikane ishin të një cilësie kaq të dobët sa edhe sot ekspertët komentojnë mbi nivelin e ulët të tyre, në atë gradë sa nuk mundën të parashikonin asnjë nga lëvizjet e rëndësishme në Europë, të ndërmarra nga gjermanët apo italianët. Në këtë kontekst duket shumë jorealiste ideja se një mësues amerikan, i dërguar në Shqipëri me fonde te Kryqit të Kuq dhe të Fondacionit Rokfeler, të ishte i interesuar për të rekrutuar nxënësit e tij.

Duke parë këtë dobësi të madhe të politikës ndërkombëtare amerikane, dhe duke pasur parasysh se amerikanët do të hynin shumë shpejt në fushën e luftës botërore, Presidenti Ruzvelt nënshkroi urdhrin presidencial në 12 Qershor 1942 për krijimin e OSS, e cila u krijua pak a shumë në modelin britanik të SOE.

OSS, e drejtuar nga ish-prokurori nga Bufalo, republikani Uilliam “Wild Bill” Donovan u kthye në një organizatë të rëndësishme gjatë luftës duke rekrutuar mjaft antinazistë në Europë dhe në Ballkan.

****

Pra, a ishte Mehmet Shehu një i rekrutuar i mundshëm i OSS? Në Zyrën e OSS për Ballkanin e ngritur fillimisht në Egjypt dhe në Palestinë, u sollën me shpejtësi një mori nacionalitetesh që kishin njëfarë lidhjeje me Ballkanin. Por amerikanët patën vështirësi të gjenin dikë që njihte një copëz shumë të vogël ballkanike e cila deri vonë kishte qenë një Mbretëri tragjikomike dhe tashmë ishte pushtuar nga Musolini.

Fati çuditërisht bëri që një prej njerëzve të besuar të Shefit të OSS Donovan të ishte një profesor i antropologjisë në Harvard që quhej Carlton Coon.

Ky kishte udhëtuar në veriun shqiptar në fundin e ‘20-s ku kishte bërë edhe studime për racën shqiptare. Në një botim të tij ai shkruante se raca shqiptare ishte një prej racave më të pastra europiane, duke i dhënë një lloj mbështetje teorive raciste gjermane për këtë temë.

Carlton Coon bënte pjesë në rrethin e ngushtë të kolonelit Donovan dhe duhet të jetë ky i fundit që ka propozuar si Shef të Zyrës për Shqipërinë në Seksionin Ballkanik të OSS, profesorin e dikurshëm që kishte takuar në Shqipëri Harry Fultz. Po kështu i rritur në lagjet irlandeze të Bostonit duhet të ketë njohur një serë të rinjsh shqiptaro-amerikanë në Boston, të cilët u bënë edhe pjesa kryesore e Zyrës së Shërbimit Sekret Amerikan për Shqipërinë.

Fultz dhe djemtë shqiptaro-amerikanësh nga Korça dhe Shqipëria e jugut luajtën një rol shumë të rëndësishëm në furnizimin e partizanëve të Hoxhës me armatime. Ishte kjo periudhe kur Harry Fultz iu drejtua të gjithë ish-nxënësve të tij si dhe profesorëve të dikurshëm të Shkollës Teknike për të ndihmuar në koalicionin antifashist dhe operacionet antigjermane në Ballkan.

Po kështu sipas dëshmisë së ish- kapitenit të OSS që vepronte në Shqipëri Jim Hudson, pas 1943 Harry Fultz filloi të rekrutonte një rrjet informatorësh shqiptarë, të cilët potencialisht mund të përdoreshin prej OSS edhe pas lufte. Mirëpo në këtë periudhë Mehmet Shehu ishte një prej komandantëve më të famshëm të luftëtarëve guerilë i dedikuar ndaj idesë komuniste dhe sigurisht një personazh shumë ambicioz për të ardhmen e tij. A do ta shikonte Shehu një bashkëpunim me amerikanët si një mundësi për ambiciet e tija personale në të ardhmen?

Mundet, por në të gjitha memot apo kujtimet e oficerëve britanikë që shërbyen në Shqipëri gjatë luftës, Mehmet Shehu përmendet si personi i vetëm me njohuri ushtarake dhe aftësi komanduese në terren. Edhe pse disa prej britanikëve nuk e donin Shehun, në shënimet e tyre e respektonin atë për aftësitë e tij në fushën e betejës.

Pranë komandës së Shehut u vendosën disa oficerë britanikë dhe amerikanë, por deri më sot nuk ka asnjë dokument që të provojë se Mehmet Shehu u rekrutua nga këta oficerë për shërbimet respektive.

Duke pasur parasysh se Shehu ishte vetëm një komandat gueril i panjohur jashtë Shqipërisë, do të ishte normale që në raportimet e oficerëve amerikanë apo britanikë të përmendej emri i tij si bashkëpunëtor i mundshëm. Ashtu siç përmenden disa personazhe mes të cilëve më i njohuri Mustafa Gjinishi.

Harry Fultz, pra, mund ta ketë kontaktuar ish-nxënësin e tij të dikurshëm, por po e ritheksoj se nuk ka asnjë dëshmi dokumentare që Shehu të ketë pasur aktivitet në shërbim të OSS amerikane apo SOE britanike.

****

Oficeri i OSS me gradën më të lartë, Xhejms Hadson, i cili u hodh me parashute nga amerikanët, thekson se Harry Fultz e dërgoi atë pranë Shtabit të Përgjithshëm, pra pranë Enver Hoxhës dhe jo pranë Shehut, duke treguar kështu që Fultz i kushtonte vëmendje Hoxhës si lideri kryesor i luftës. Nëse Shehu do të ishte një bashkëpunëtor i Fultzit, sigurisht që amerikanet do të kërkonin që ta ndihmonin atë në ngjitjen e karrierës ushtarake duke e mbivlerësuar ne raportet e tyre apo duke i dhënë furnizime preferenciale.

Po kështu oficerët amerikanë të OSS që erdhën në Shqipëri ishin në përgjithësi fëmijë emigrantësh shqiptarë të emigruar nga Korça. Megjithëse shërbenin nën uniformën ushtarake përsëri ata kishin një marrëdhënie më normale me gueriljet shqiptare dhe nuk vinin në terren me arrogancën koloniale të oficerëve britanikë.

A kishin këta emigrantë forcën e duhur për të rekrutuar një komunist të vendosur si Shehu? Pra nëse do të kemi parasysh figurën e Mehmet Shehut, i cili vinte nga fushëbetejat e Spanjës, të bie në sy se ai ishte një komunist, i cili për idealin që besonte, sakrifikoi.

Nëse do të ketë pasur kontakte me shërbimet e fshehta gjatë luftës së Spanjës, më e mundshme është kontakti me shërbimet sovjetike, të cilat rekrutonin masivisht nga radhët e Brigadave Internacionale që luftonin atje. Po kështu për një ish-luftëtar internacionalist, më e mundshme është kontakti me shërbimet franceze apo italiane, të cilat monitoronin kampet e luftëtarëve të Spanjës në Francë.

Por mosha e re dhe fakti që ai nuk ishte person i rëndësishëm në lëvizjen komuniste e bënin atë një subjekt me jo shumë interes për këto shërbime. Nga dokumentacioni i kohës del se ai luftoi pa mëshirë kundër italianëve dhe të bën të besosh se nuk ka ekzistuar një lidhje me ta ose nëse ka pasur, duhet të jetë ndërprerë pa asnjë rezultat konkret.

Shehu, i influencuar nga ideali komunist dhe ambicia personale, duket se ka qenë më shumë i orientuar nga jugosllavët, të cilët influenconin vendimmarrjen e Partisë Komuniste shqiptare.

Të paktën nga dokumentacioni në dispozicion shikohet qartë se Shehu iu bënte elozhe emisarëve jugosllavë pranë forcave partizane duke e nuhatur se jugosllavët ishin ata që kishin më shumë influencë në elitën komuniste shqiptare.

A e ndihmoi Filbi Mehmet Shehun?

Menjëherë pas Lufte me dekret të Presidentit Truman, OSS pushoi së egzistuari duke krijuar kështu një fraksion të rrezikshëm ish-operativësh të shërbimit sekret OSS të cilët besonin se sovjetikët ishin kërcënimi më serioz për Amerikën.

Truman dhe njerëzit e afërt të tij të cilët nuk besonin se sovjetikët edhe gjatë luftës kishin penetruar institucionet amerikane, hezitonin në marrjen e një vendimi për krijimin e një Shërbimi të fuqishëm të Inteligjencës dhe donin rikthimin në gjendjen e paraluftës, ku çdo njësi ushtarake kishte shërbimet e saj të inteligjencës.

Por zbulimi se sovjetikët kishin mundur të merrnin sekretet e bombës atomike bënë që amerikanët të hidheshin në veprim duke krijuar një Agjenci të Centralizuar Zbulimi si dhe disa njësi super sekrete si “The Pond” të cilat vepronin në mënyrë të pavarur.

Ishte në këtë kontekst global kur Operacionet e njohura tashmë si BGFIEND kundër Shqipërisë, u konceptuan dhe u ekzekutuan nga një njësi sekrete e njohur si OPC (Zyra e Koordinimit të Planifikimeve) e drejtuar nga Frank Uisner Sr, babai i Ambasadorit të njohur Frank Uisner Jr.

Arsyet e Operacioneve BGFIEND dhe atyre britanike Valuable janë shpjeguar në një seri shkrimesh dhe nuk po zgjatemi, por dëshiroj të theksoj se ideja se operacionet anglo-amerikane kanë dështuar për arsye të Kim Filbit, është në fakt një nocion që vjen si rezultat i librit shumë interesant të Lordit Nikolas Bethell “Tradhtia e Madhe”. Megjithatë duhet pasur parasysh se koha e botimit dhe e kërkimeve arkivore nuk i kanë dhënë shumë mundësi Lordit Bethell të konsultohej me dokumente apo dëshmi tashmë të deklasifikuara. Kim Filbi sigurisht ka pasur një rol në Operacionet Britanike Valuable, pasi pozicioni i tij si ndërlidhës në Uashington i Shërbimeve Britanike dhe Zyrës së Koordinimit të Planifikimeve OPC, i lejonte atij akses në planifikimet strategjike.

Filbi si personi kryesor i koordinimit britanik me amerikanët, mund të ketë pasur informacion të mjaftueshëm për operacionet që kryheshin në Shqipëri dhe t’ia ketë paraqitur këto plane sovjetikëve, të cilët sigurisht ishin shumë përpara amerikanëve në përgatitjen e masave mbrojtëse ndaj vendeve nën sferën e influencës komuniste.

NKGB, e cila më vonë mori edhe emrin e famshëm KGB, kishte në Shqipëri një grup mjaft cilësorë oficerësh, të cilët ndihmuan shërbimin e fshehtë shqiptar për të kapur apo kontrolluar numrin më të madh të agjentëve të fshehtë që hidheshin në rrugë të ndryshme. Nuk ka asnjë mëdyshje të pranojmë faktin se sovjetikët ishin të mirëinformuar mbi planet e shërbimeve kryesore perëndimore ndaj Shqipërisë dhe vendeve të tjera të Lindjes. Por duke pasur parasysh nivelin e lartë të Filbit në hierarkinë e shërbimit anglez, si dhe mundësinë që një ditë Filbi mund të merrte drejtimin e këtij shërbimi, është e pamundur që sovjetikët të përdornin informacionet e tij për të dëmtuar planet britanike dhe amerikane në Shqipëri.

Kim Filbi ishte një agjent shumë i rëndësishëm dhe nuk mund të digjej për një vend të vogël si Shqipëria. Prandaj mendimi se nuk ka qenë Filbi personi që ka shkatërruar operacionet amerikane, por një apo më shumë agjentë të tjerë të penetruar në shërbimin anglo-amerikan, ka filluar të pranohet nga ekspertët e fushës, të cilët po rishikojnë të gjithë historinë e Shërbimeve Sekrete gjatë Luftës së Ftohtë.

Mehmet Shehu dhe operacionet BGFIEND

Pas luftës dihet mirë fati i komandantit të Brigadës së Parë, i cili qëndroi i mënjanuar nga ngjarjet kryesore të asaj periudhe. Kuptohet se jugosllavët ndërmjet tij dhe Xoxes kishin përzgjedhur këtë të fundit për t’u shërbyer interesave të tyre në Shqipëri. Xoxe, një personazh pa shumë personalitet në fushën e luftës, por i mbështetur fuqimisht nga jugosllavët, ishte njeriu i duhur për ta. Shehu, një njeri ambicioz, por kokëfortë dhe i pakontrollueshëm, u mbajt në distancë nga jugosllavët duke ngjallur zemërimin e tij ndaj tyre.

Me disa mungesa nga teatri politik i Tiranës, Shehu ndërmori disa kurse trajnimi në Bashkimin Sovjetik dhe nuk ka pse të mos mendohet se ishte kjo periudhë kur ai duhet të jetë kontaktuar apo rikontaktuar nga Shërbimet Sovjetike të Inteligjencës.

Një kontakt që nga koha e Luftës së Spanjës? Ndoshta arkivat ruse një ditë do të sjellin më shumë informacion mbi këtë periudhë të panjohur të Mehmet Shehut, por deri më atëherë mund të supozojmë se ishte mbështetja edhe e shërbimeve sovjetike, që e rikthyen atë në lojtar kryesor në Shqipërinë post-Xoxe.

Fakti që Shehu konsiderohej si një prej besnikëve pro-sovjetikë të udhëheqjes shqiptare, nuk ka përse të mendohet si një arsye vetëm për karrierë. Ishte kjo periudhë, e cila përkoi me fillimin e operacioneve klandestine amerikane BGFIEND dhe britanike VALUABLE.

Në postin e Ministrit të Brendshëm, Mehmet Shehu drejtonte personalisht operacionet e kundërzbulimit ndaj amerikanëve dhe britanikëve.

Lind pyetja, nëse Shehu ishte njeriu i amerikanëve apo i britanikëve, i rekrutuar nga Harry Fultz, përse operacionet klandestine të OPC patën një rezultat aq negativ për amerikanët dhe britanikët?

Përse amerikanët nuk patën mundësi që me ndihmën e Ministrit të Brendshëm të rrëzonin Hoxhën dhe në vend të tij të vendosnin Shehun? Nëse Ministri i Brendshëm shqiptar ishte njeri i rekrutuar nga amerikanët, a nuk do të ishte ky një informacion shumë i rëndësishëm që Filbi duhet t’ua përcillte KGB-së sovjetike? Fakti që KGB ishte mbështetësi kryesor i Shehut në operacionet e kundërzbulimit tregon se rusët nuk patën asnjëherë dyshim mbi besnikërinë e Ministrit të Brendshëm shqiptar.

Atentati i dështuar ndaj Shehut dhe grupi i Xhevdet Mustafës

Michael Burke, një prej oficerëve të OPC, përgjegjës për operacionet shqiptare, në shënimet e tij personale ende të pabotuara mendon se suksesi i shërbimit të fshehtë shqiptar ishte ideuar dhe ekzekutuar nga një emër i përveçëm, Mehmet Shehu, Ministri i Brendshëm, i cili sipas amerikanëve drejtonte personalisht çdo operacion kundër përpjekjeve të tyre për të penetruar Shqipërinë.

OPC mendonte se Ministri i Brendshëm shqiptar është kyçi i suksesit. I trajnuar nga KGB sovjetike në metodat e kundërzbulimit, Mehmet Shehu sipas amerikanëve drejtonte personalisht operacione kundërzbulimi apo radiolojrat e famshme, të cilat sollën për herë të parë për publikun e gjerë në Perëndim lajmin se shërbimet e fshehta perëndimore organizonin operacione klandestine në këtë vend të vogël malor në Ballkan.

Mehmet Shehu, i ndihmuar nga dy këshilltarë të lartë të KGB-së sovjetike dhe një numër oficerësh, arrin të thyejë çdo operacion amerikan duke dekurajuar jo vetëm mërgatën shqiptare, e cila mendonte se mund të thyente regjimin e Hoxhës me ndihmën amerikane, por edhe vetë shërbimet perëndimore.

Shënimet e Michael Burke, një prej njerëzve që ka operuar në terren kundër shërbimit të fshehtë shqiptar, janë të rëndësishme për të kuptuar mendimin amerikan ndaj oponentëve të tyre shqiptarë.

Por shënimet e oficerit Burke sjellin edhe një dëshmi befasuese, e cila mund të sqarojë përfundimisht faktin se Mehmet Shehu nuk ka pasur lidhje me amerikanët. Duke ndjekur këto shënime shumë të pakta të Michael Burke mbi rolin e tij në operacionet shqiptare, më ranë në dorë materialet e dhuruara prej familjes së tij për një prej arkivave amerikane.

Të pabotuara kurrë dhe të panjohura për studiuesit, shënimet e mbajtura me shkrim dore përmendin një operacion deri më tani të panjohur dhe të padokumentuar nga arkivi i deklasifikuar i OPC/CIA-s.

Nëse ky operacion ka ekzistuar në të vërtetë, fakti që nuk ka asnjë dokument të deklasifikuar flet mbi rëndësinë e madhe që ka pasur ky plan dhe fshehtësinë e tij në atë kohe. Michael Burke në shënimet e tij përmend faktin se OPC kishte planifikuar të eliminonte personin, i cili po i sillte dështime kaq të mëdha agjencisë së zbulimit amerikan, Ministrin e Brendshëm shqiptar, Mehmet Shehun.

Burke, i cili operonte nga baza e tij në Itali dhe Gjermani Perëndimore dhe fluturonte shpesh në Athinë për të kontrolluar operacionet klandestine në terren, përmend faktin se për këtë operacion, OPC kishte sjellë një oficer me gradën major të forcave speciale amerikane në Greqi. Një avion i vogël zbulimi ishte vënë në dispozicion të këtij oficeri misterioz, i cili kishte në dispozicion një grup shumë të vogël shqiptarësh, të trajnuar në bazën sekrete amerikane në Gjermani.

Ky operacion kishte si mision eliminimin e Mehmet Shehut. Për këtë mision sekret nuk ka shumë informacion dhe nuk është e qartë nëse ka qenë nën komandën e grupit të ndihmës ushtarake në Greqi, apo nëse misioni ushtarak pranë ambasadës të ketë pasur dijeni. Fatkeqësisht Michael Burke në ditarin e tij nuk përmend më asnjë fakt për të na dhënë më shumë detaje nga operacioni sekret përveçse grupi i vogël i OPC ishte i gatshëm në çdo moment për t’u parashutuar në brendësi të territorit shqiptar për të vrarë Shehun.

Përse ky operacion nuk pati dritën jeshile, nuk kemi asnjë të dhënë, por supozimi më i mundshëm është se lëvizjet e Shehut, të cilat duhet të jenë monitoruar nga ndonjë agjent i OPC në radhët e shqiptarëve nuk ju ka dhënë mundësi grupit të atentatorëve për t’i zënë pritën e dëshiruar.

Një dokument tjetër RG84, i gjendur në arkivin amerikan, i cili flet mbi atmosferën e zyrave amerikane të OPC, Operacioni BGFIEND si dhe oficerët përgjegjës në Athinë, Horace “Hod” Fuller dhe Bill Brummell, të cilët ishin vartësit e Michael Burke, nuk përmend ndonjë grup të dërguar me mision special. Fuller, i cili ishte përgjegjës për vendet sekrete ku mbaheshin agjentët shqiptarë dhe operonte nga zyra e vendosur në godinën e Tamios (Arka), në katin e 5-të, përmend mjaft detaje nga këto operacione, por nuk ka lënë dëshmi për vrasjen e Ministrit të Brendshëm shqiptar.

Nëse ai ka pasur apo jo dijeni, nuk është shumë e qartë, por operacioni i përmendur në një ditar privat të oficerit Burke mund të jetë shumë i mundshëm, nëse marrim parasysh faktin që Burke nuk ka pasur qëllim publikimin e këtij ditari dhe krijimin e një operacioni të paqenë.

James McCargar, ish- shefi i parë i operacioneve BGFIEND, i cili u nda nga jeta vitet e fundit. në shënimet e tij private edhe ato të pabotuara nuk përmend asnjëherë nëse ai ka pasur dijeni për ndonjë bashkëpunim të mundshëm të drejtorisë që ai drejtonte dhe Ministrit të Brendshëm shqiptar.

McCargar, i cili vinte në OPC nga një shërbim sekret paralel me OPC, i njohur si “The Pond”, dhe drejtuar nga zyra G-2 e James Grombach, ishte një oficer i rëndësishëm. Zyra që ai drejtonte dështoi në operacionet e infiltrimit në Shqipëri dhe për këtë ai bën përgjegjës sovjetikët, të cilët ndihmuan shërbimin shqiptar, të drejtuar nga Shehu. McCargar dhe shefi i tij, Frenk Uizner Sr, ishin të detyruar që të mbyllnin operacionet shqiptare me një bilanc negativ, duke pranuar në heshtje se shërbimi shqiptar, i drejtuar nga Shehu kishte arritur të fitonte.

Është jashtë logjikës që Frenk Uizner, një nga personat më me influencë të CIA-s të sakrifikonte këto operacione më qellim që të ndihmonte karrierën e Mehmet Shehut. Misioni amerikan ishte shumë i thjeshtë. Rrëzimin e Hoxhës dhe vendosjen e një njeriu pro-amerikan në krye të Shqipërisë. Nëse Shehu ishte njeriu i duhur, përse amerikanët duhet të linin në pushtet Hoxhën me idenë se pranë tij kishin njeriun e tyre?

Mehmet Shehu ishte njeriu më besnik i Hoxhës dhe një nga komunistët ekstremistë shqiptarë, i cili me dorë të hekurt shtypi çdo kundërshtar politik. Ishte e pamundur që amerikanët të kenë pasur si bashkëpunëtor një personalitet të tillë dhe të kenë toleruar ekstremizmin e tij në eliminimin e elementëve pro- perëndimorë.

VDEKJA E SHEHUT

Vetëvrasja apo vrasja e Mehmet Shehut vazhdon edhe sot të intrigojë me misterin e vet të gjithë ata historianë dhe gazetarë që janë marrë me këtë çështje. Me gjithë dëshmitë e një sërë njerëzish në shërbim të tij asokohe, akoma edhe sot nuk kemi një ide të qartë se çfarë ndodhi atë natë dhjetori në Tiranë. Dëshmitarët kyç tashmë janë shumë të pakët dhe mjegulla që e rrethon këtë vdekje e bën atë akoma më intriguese. Në morinë e dëshmive, fakteve dhe analizave të bëra për këtë vdekje, do të doja të shtoja dy fakte shumë interesante, të cilat janë të panjohura dhe vijnë si dëshmi të shkruara nga Zelanda e Re, vendi ku u përgatit “grupi i njohur i Xhevdet Mustafës”.

Halit Bajrami, i njohur si një prej pjesëtarëve të këtij “grupi”, që erdhi për atentatin e supozuar ndaj Enver Hoxhës, ka lënë një ditar personal, i cili tashmë ruhet nga familja. Në ditar ka shënime shumë interesante të periudhës së aktivitetit të tij në radhët e partizanëve si dhe kombinacionin e krijuar nga shërbimi shqiptar për ta hedhur atë me mision jashtë Shqipërisë në fillimin e viteve 50-të. Në morinë e shënimeve të Halit Bajramit janë dy fakte me shumë interes, që kanë një lloj lidhje me “vdekjen” e Mehmet Shehut.

Halit Bajrami dëshmon se në shtatorin e vitit 1981 ka filluar planifikimin e grupit për të ardhur në Shqipëri. Kjo dëshmi mbështetet edhe nga oficeri i SIS të Zelandës së Re, James Fogarti, i cili ishte një nga pjesëtarët e grupit të shqiptarëve që përgatiti armët për atentatin e supozuar ndaj Enver Hoxhës.

Pra, gati tre muaj përpara “vetëvrasjes së Mehmet Shehut”, në Zelandën e Re një celulë e Sigurimit të Shtetit merr urdhër për të organizuar një vrasje politike në Shqipëri. Përgatitja e Halit Bajramit dhe porositja për armë kaq përpara kësaj vdekjeje me përmasa të rënda për Shqipërinë, tregon se përgatitjet për një eliminim politik në Shqipëri kishin filluar shumë më përpara se mbledhja e famshme e Byrosë për problemin e Shehut. Deri më tani një pyetje ka mbetur ende pa përgjigje: A ishte kjo celulë e shërbimit sekret shqiptar e përgatitur nga Shehu apo nga njerëz pranë Hoxhës? Në intervistën e James Fogart, agjentit të SIS neozelandez dhënë përpara disa viteve në Top Channel, të bie në sy fakti se shërbimet perëndimore ishin në dijeni të këtij grupi shqiptarësh, të cilët pretendonin se do të vrisnin liderin jetëgjatë shqiptar, Enver Hoxha.

Nëse ky grup ishte thirrur për ndihmë nga Mehmet Shehu apo jo, fakti është se Halit Bajrami ishte një zbulues shqiptar i infiltruar në Perëndim në vitin 1951, kohë kur këto operacione i drejtonte Shehu. A ishte Bajrami besnik i ish-shefit të tij të dikurshëm apo tashmë punonte për një rreth më të ngushtë të Hoxhës? Fakti që Bajrami, pasi dëshmoi në gjyqin e Kadri Hazbiut u la i lirë për t’u kthyer në Zelandën e Re, tregon se Bajrami mund të kishte ndryshuar krahët dhe të ishte përdorur në një operacion shumë të komplikuar ku me gjithë kujdesin shumë të madh për të mos rënë në sy, duken gjurmë e zbulimit jugosllav.

Në ditarin e Halit Bajramit gjithashtu përmendet një e dhënë me shumë interes. Bajrami thotë se njerëz të Sigurimit të Shtetit kanë tentuar ta helmojnë në ambientet e burgut ku qëndronte gjatë hetuesisë dhe për këtë arsye e zhvendosën në një hotel ku ruhej 24 orë. Mirëpo përpara transferimit të tij nga burgu, Bajramin e ka vizituar në dhomën e tij dy herë një mjek shumë i njohur në Tiranë. Bajrami thotë se mjeku erdhi me porosi të një rrethi të ngushtë sekret të elitës komuniste, e cila operonte jashtë strukturave të shërbimit sekret shqiptar. Takimi i Bajramit me mjekun e njohur dhe biseda e tyre e bën akoma më të komplikuar misterin e vdekjes së Mehmet Shehut dhe pasardhësit të tij në zyrën e policisë sekrete, Kadri Hazbiu./Gazeta Dita/

Në trend Lajme

Më shumë
Alarmi i Alicia Kearns për Ballkanin, politologët komentojnë deklaratën e deputetes britanike

Alarmi i Alicia Kearns për Ballkanin, politologët komentojnë deklaratën e deputetes britanike

Lajme
Parlamenti britanik miratoi mocionin e Alicia Kearns për Kosovën

Parlamenti britanik miratoi mocionin e Alicia Kearns për Kosovën

Lajme
Tension në Kuvend mes PDK-së e LVV-së, Shala ia ndalon fjalën Kusari-Lilës – nënkryetarja thërret sigurimin

Tension në Kuvend mes PDK-së e LVV-së, Shala ia ndalon fjalën Kusari-Lilës – nënkryetarja thërret sigurimin

Lajme
'Çmontohet' rrjeti i drogës në Spanjë, 14 të arrestuar përfshirë edhe shqiptarë që transportonin tonelata me kanabis në Evropë

'Çmontohet' rrjeti i drogës në Spanjë, 14 të arrestuar përfshirë edhe shqiptarë që transportonin tonelata me kanabis në Evropë

Lajme
Hoxha: Peter Stano po e luan rolin e “kaubojit”

Hoxha: Peter Stano po e luan rolin e “kaubojit”

Lajme
28 vite burgim dhe mbi 50 mijë euro gjobë ndaj shtatë të akuzuarve për kultivimin të bimëve narkotike dhe posedim të marihuanës

28 vite burgim dhe mbi 50 mijë euro gjobë ndaj shtatë të akuzuarve për kultivimin të bimëve narkotike dhe posedim të marihuanës

Drejtësi
Kalo në kategori