LAJMI I FUNDIT:

A ishte Aleksandër Moisiu komunist?

A ishte Aleksandër Moisiu komunist?

Nga: Pjetër Logoreci

Gjatë përpunimit të qindra dokumenteve, artikujsh, pjesë librash apo copëza gazetash që kisha nxjerrë nga arkivat në Vjenë mbi jetën dhe veprën e Aleksandër Moisiut, më tërhoqi vëmendjen (në disa prej tyre) etiketimi i tij si: bolshevik, komunist, çifut, revolucionar, filorus, i kuq etj. I joshur për ta gjetë shpjegimin e këtyre epiteteve, vendosa të lexoj ato materiale që kisha zgjedhur, duke u përqendruar në zbulimin e argumenteve të kësaj “akuze”. Vërejta me keqardhje që mënyra se si shkruhej ishte provokuese, e rëndë, fyese dhe ndikonte mjaft (por jo tek unë), që të prishej imazhi i një mjeshtri të kalibrit ndërkombëtar të skenës, të një aktori të pakrahasueshëm, për nga talenti, me kolegët e tij në të gjithë Evropën…


Sot, për këtë shkrim, vendosa me qëllim titullin e mësipërm, pasi kjo pyetje ishte një temë e shumë diskutuar në të gjitha trevat gjermanishtfolëse. Cili pra ishte shkaku që aktorit të madh ju veshën këto epitete? Cili ishte reagimi i tij në këtë rast? Sa ndikoi propaganda keqdashëse nacionalsocialiste, e qarqeve të caktuara, në jetën dhe aktivitetin e gjeniut të skenës Aleksandër Moisi? Sa ndikuan tek ai levizjet revolucionare të kohës në Gjermani dhe simpatia e madhe që ai kishte për Rusinë Sovjetike? Edhe pse personalisht e njoh shumë mirë historinë e jetës së Aleksandër Moisiut, dëshiroj që sa më poshtë vijon, t’i trajtoj problemet thjeshtë duke u mbështetur në shkrimet dhe artikujt e shtypit të kohës mbi ngjarjet apo rrethanat dhe jo mbi komentet dhe emocionet e mija personale, për elementët që shkaktuan këtë zemratë dhe fushatë kundër Moisiut tonë.

Ishin vitet 1918-1919, vite që sollën lëvizje të vrullshme politike, kur përfaqësues të lëvizjeve e grupeve komuniste, si Roza Luxemburgun e Karl Liebknecht, për të mbrojtur idetë e tyre u flijuan nga ushtarët e Gardës Kombëtare gjermane.

Biografi i Moisiut, gjermani R. Schapër shkruante: “…Ishte koha kur në Berlin, ishte rrezuar Kaiseri dhe mbi fortesën e qytetit valëvitej flamuri i kuq. Kur turma të mëdha qytetarësh, punëtorësh, studentësh i drejtoheshin Reichstag-ut, me parulla ndër duar ku shkruheshin fjalët ‘Liri, Paqe, Bukë’. Kur u rrëzua monarkia dhe socialdemokratet morën fuqinë, Moisiu ishte në Berlin. Ai nuk bënte sehir, por luante një rol aktiv, të rrezikshëm për te, në revolucionin gjerman. Ai besonte në një revolucion mbarëbotëror, ndërsa recitonte plot zjarr para turmave të mijëra punëtorëve Tolstoin, gjë që bëhet shkak të etiketohet nga gazetarët si bolshevik… Edhe regjisori i famshëm, Max Reinhardt, tregon për turma demonstruesish që i kalonin poshtë shtëpisë… Moisiu ishte me kryengritësit, ai mbante një shirit të kuq në krah… Nga mesi i demonstruesve, Aleksandri i thërriste atij…’Ejani poshtë Profesor, këtu ka nevojë për ju. Këtu luhet teatri i vërtetë, ejani…’”!

Në një gazetë të Salsburgut, nga Siegfried Geyer, u botua një artikull ku autori i tërhiqte vëmendjen Moisiut me këto fjalë: “…E keqja e Aleksandër Moisiut është se ndjehet romantik e nga kjo ai i ekzagjëron gjërat, por njëkohësisht kërkon të jetë edhe njerëzor; po ka vetëm një rrugë: Ai duhet të mbaje (mbyllë) gojën. Askush nuk do ngrihej kundër tij sikur ai të mos ligjëronte vazhdimisht në disa shoqëri të vogla të përkrahësve të komunizmit, gjë që bën që ai të marrë vulën e bolshevikut dhe të bëhet qesharak e i padashur në syrin e të tjerëve…”!

Por, Aleksandri nuk ndalej. Ai dëshoronte të ishte sa më aktiv në përpjekjet për vendosjen e barazisë sociale. “I dashur vëlla Moisi”, i flisnin punëtorët dhe të vegjëlit, pranë të cilëve ishte kurdoherë me artin e punën e tij. Por, kjo gjë nuk i pëlqente qarqeve të caktuara nacionaliste, të cilat e vendosën atë në shënjestër duke përgjuar me rreptësi aktivitetet e tija në publik. Me qëllim për ta denigruar dhe për ta larguar nga aktiviteti politik dhe jeta sociale që bënte, kundër tij filluan sanksionet e para.

Në numrin 176, të ditës së shtunë, 28 qershor 1919, te “Gazeta e punëtorëve” (Arbeiterzeitung), organ i socialdemokratëve austriakë, në mes lajmeve të tjera është botuar shkrimi me titullin: “…Moisiu nuk mund të shkojë në Pragë…”!

Nga Praga lajmërohet që “shfaqja e Aleksandër Moisiut e cila është lajmëruar për javën që vjen në Pragë, do të anulohet, pasi Moisiut nuk i është dhënë leje-udhëtimi për në Republikën çekosllovake. Shkaku i refuzimit: Bindjet dhe aktiviteti i tij komunist në Vjenë”!

Në një lajm tjetër nga Berlini, një bashkëpunëtor i gazetës vjenezë, Neuen Wiener Jurnals, po në vitin 1919 lajmëron me fjalë befasuese nga zyra e gjendjes civile atje, mbi kurorëzimin e aktorit Aleksandër Moisiu me kolegen nga Deutsche Theater, aktoren Johanna Terwin. Autori i shkrimit kërkon të bëjë lajm, duke theksuar me qellim praninë e gruas së komunistit internacionalist Karl Liebknecht, si mike e familjes dhe dëshmitare e martesës e ciftit Moisiu: “…Moisiu, sipas bindjes së tij, shumë të kontestueshme bolshevike, është celebruar sot, por vetëm në gjendje civile. Si dëshmitare të martesës, Moisiu ka zgjedhur togerin Bremer dhe gruan e vejë të Karl Liebknechtit. Moisiu vetë e përshkruan skenën e përjetuar në gjendjen civile kështu: ‘…nëpunësi i zyrës u tregua me mua dhe Johannën shumë i ashpër e mospërfillës. Pastaj, krejt ndryshe, me ton shumë lutës e miqësor ftoi togerin Bremer që të firmosë. Kur erdhi radha e zonjës Liebknecht, ftoftë e pyeti atë për emrin e burrit të saj… dhe pastaj me një ton të ashpër e përbuzës, i tregoi asaj se ku duhej të qëndronte si dëshmitare…”!

Në një kronikë të 30 janarit 1920 nga Hamburgu, me titullin “Një mbrëmje e dështuar kulturore e Moisiut në Hamburg”, shkruhet: “Një mbrëmje ku do të ligjëronte Aleksandër Moissi, u prish nga pasuesit e partisë nacionaliste. Ato ‘përshëndetën’ hyrjen e Moisiut në sallë me fishkëllima, më pas hodhën pjesë karrigesh të thyera aty ku ai qëndronte, shtinë me revolet e tyre fishekë zhurmues, duke e detyruar atë që të largohej nga podiumi. Ligjërimi i tij u deshtë të ndërpritej”!

Në numrin 54 te shkurtit 1920, në Gazeta e Punës (Arbeiterzeitung), gazetari Heinrich Ströbel boton artikullin “Një provokim nacionalist”: “…Se sa është shtuar nacionalizmi gjerman, si rezultat i presionit e propagandës së jashtme, e tregojnë vargu i grupimeve të oficerëve e ushtarakëve, studentëve e organizatave, të cilët për shkak të dobësisë e heshtjes së qeverisë, janë vendosur jo vetëm kundër kriminelëve të luftës e shkaktarëve të dhunës, por edhe kundër revolucionarëve të rinj, shpirtit paqësor dhe demokratik”!

Aleksandër Moisiu që dikur u përshëndet me zjarr nga të gjithë gjermanët, sepse zgjodhi Gjermaninë fitimtare si atdheun e tij, tani u pengua dhe u ndalua që të lexonte Goethen dhe Moritzin, për shkak se kohët e fundit në Hamburg po rritej influenca e Revolucionit dhe e shpirtit për ndryshime radikale… Ligjërimi i Moisiut nuk u zhvillua, pasi u pengua nga Organizata Nacionaliste e Studentëve, edhe pse ndjekësit e Moisiut që mbushnin pjesën më të madhe të sallës, ishin të gatshëm për ta mbrojtur atë, ndërsa policët në mënyrë demonstrative mbushnin korridoret…

Kjo ngjarje u pasqyrua edhe në gazetën Giornale D´Italia, në një kronikë të 31 janarit të po atij viti, me titullin “Aktori Moisi në mes fishkëllimash”: “Aktori gjerman Aleksandër Moisi, thuhet të jetë komunist, e kjo famë e keqe i solli atij gjatë shfaqjes fishkëllima nga nacionalistët në sallë. Nuk i mjaftoi atyre që ai luftoj për Gjermaninë dhe që mundohet të shmanget nga çdo propagandë politike. Aktori interpretoj pjesë të Schillerit, Heines, Tolstoit, dhe për këtë, u shpërblye nga publiku, parmbrëmë, me hedhje të plumbave plasës. Admiruesit e tij reaguan; disa studentë u ngjitën në skenë për ta detyruar atë të tërhiqej…”!

Pas kësaj ngjarje, Moisiu u detyrua të reagojë publikisht për provokimet që ndodhën gjatë ligjëratave të tij në qytete të ndryshme. Në një shkrim të tij të titulluar “Moisiu si politikan”, të botuar në gazetën Die Zeit, të 7 korrikut 1919, ai shkruan: “…Nuk po shkruaj që të mbrohem nga kjo propagandë e shfrenuar negative që gazetat e bëjnë falas kundër meje, por sepse mua më bën të ndjehem keq, si në rolin e të akuzuarit në kërkim, që fshihet… Nuk jam marrë kurrë publikisht me politikë. Kanë dy motive ata që më akuzojnë si komunist: i pari se i kam premtuar studentëve vjenez që të flas në një takim të tyre dhe kisha zgjedhur për këtë qëllim një fjalim të Viktor Hygoit mbi Volterin; dhe i dyti sepse kam firmosur për një protestë që do të shpëtonte një jetë njerëzore… Në të vërtetë, është e pamundur që të merrem me një lëvizje politike, sepse ka vite që kam vendosur të gjitha forcat e mija jo për ndonjë revolucion apo kundërrevolucion, por për artin tim, profesionin tim… Më akuzojnë që jam komunist e që fitoj shumë! Po, unë bëj një punë shumë të vështirë, që paguhet… nuk i intereson kujt dhe është puna ime si i shpenzoj paratë… Këtë dëshiroj tua them të gjithë atyre që më akuzojnë si politikan….në vend që të përqendrohen në arritjet e mija në skenë…”!

Në gazetën Neue Wiener Jurnal të datës 14 shkurt 1920, në shkrimin me titull “Vetëmbrojtja e Moisiut”, gazetari shkruan: “…Moisiu pretendon se po akuzohet rëndë nga disa persona e grupe, që nuk dihen e që nuk mund të vërtetohen konkretisht, se është i angazhuar në partitë politike si komunist e si kundërshtar i Gjermanisë. Kjo gjë ka zemëruar rininë nacionaliste të Hamburgut. Kur Moisiu po luante Kufomën e Gjallë në Thaliatheatër, filluan të dëgjoheshin fishkëllima të egra të cilat nuk lejonin që ai të dëgjohej. Ndodhi edhe më keq gjatë një ligjërate të Moisiut që me sa duket prekte ndjenjat nacionaliste apo atakonte pjesë të propagandës antisemitiste, prekte grupe të rinisë të paangazhuar, të oficerëve, të familjarëve të tyre, të shoqatave të vullnetarëve, studentëve, nxënësve, të cilët u grumbulluan dhe filluan të bëjnë zhurmë duke thirrur, fishkëlluar, goditur trumbetat që mbanin me vete, sapo Moisiu doli në podium. Shashka plasëse e tymuese, këmbë të thyera karrigesh fluturuan në skenë. Përball këtyre personave, por të pafuqishëm, qindra përkrahës të aktorit luteshin që ai ta vazhdonte ligjëratën, por thirrjet e tyre mbuloheshin nga këngë patriotike të rinisë nacionaliste. Pas kësaj, disa persona të nxehur e agresiv, deshën të sulmonin Moisiun në podium, duke e detyruar atë të largohej në dhomën e aktorëve, që të ndalohej më e keqja. Vetëm pas pak kohe, arriti policia dhe punonjësit e sigurisë të cilët ishin të lajmëruar për aktivitetin disa ditë përpara. Kjo mbrëmje për të cilën, të nesërmen, u debatua tre orë në Parlamentin e qytetit, la gjurmët të thella”!

Pas kësaj ngjarje të padenjë, Moisiu mendoj se duhet të sqaronte publikun për këtë keqkuptim, duke botuar në shtyp këtë mesazh: “…Disa zëra më akuzuan si kriminel e tradhtar i kombit. Pa ndonjë detyrim ligjor, vullnetarisht, me fillimin e luftës u lajmërova në Armatën gjermane, ku si çdo njeri mora mësimet ushtarake… kalova të gjithë mundimet e luftës dhe të burgut si rob lufte, derisa arrita që duke rrezikuar jetën, të arratisem. Gjatë burgosjes në Francë u sëmura nga tuberkulozi i mushkërive, nga i cili vuajta shumë në një klinikë në Zvicër. A është kjo një tradhti ndaj Atdheut?? Jam komunist, thërrasin disa zëra. Unë pyes: Ku i mora unë këto mësime? Nuk kam pasë kurrë lidhje me politikën. Dhe, kjo është e thjeshtë: unë nuk jam politikan dhe nuk dua që të jem i tillë. Qëllimi im i jetës është t’i shërbej artit. Apo quhem komunist se me punën që bëj i shërbej punëtorëve e të gjithë atyre që janë ndjekës të artit. A mundem unë t’i ndaloj ndjekësit e mi të vizitojnë shtëpinë e artit, teatrin? Përkundrazi, unë do mundohem që kurdoherë të sjell në mes të errësirës të jetës së njerëzve të thjeshtë, Diellin e Artit. Pra, ose jam një lider i komunistëve ose jam një udhëheqës i të gjithë gjermanëve. Po e mbyll duke përdor fjalët e Goethes: ‘…unë nuk njoh shoqëri tjetër, që është më e ‘vogël’ se sa i gjithë njerëzimi…’”!

Autorja Ursula L. Alex në librin e saj Deutsche Volksfront, në faqe 23 shënon: “…Në vitin 1921, u themelua ne Gjermani IAH (Internationale Arbeiterhilfe – Solidariteti internacional i punëtorëve). Kjo organizatë u formua që të mblidhte ndihma për të uriturit në Rusi, por edhe në botë, si një ideologji e sforcuar e Partisë Komuniste në emër të ‘solidaritetit proletar’. Në këtë shoqatë ishin pjesëtar personalitete, si fizikani Albert Einstein, shkrimtari Leonard Frank, shkencëtari Alfons Goldschmidt, piktori Georg Grosz, publicisti Maksimilian Harden… aktori Aleksandër Moisi. Shoqëria IAH, sipas sindikatës së përgjithshme gjermane, ishte kolona e tretë e politikës komuniste”!

Kjo është pasqyruar edhe në thirrjen e kësaj shoqate që gazeta austriake Neue Freie Presse e datës 3 shkurt 1922 boton në rubrikën e quajtur “…Drejtuar Artistëve dhe Intelektualëve të Austrisë…”: “…Vazhdojnë të vijnë lajme të këqija nga krahina të ndryshme të Rusisë, ku uria po bën kërdinë. 30 milionë njerëz, sipas lajmeve tronditëse nga Rusia, janë prekur nga uria ekstreme… kufoma të vdekurish dergjen rrugëve pa u varrosur. Gra dhe fëmijë vdesin në rrugë nga sëmundjet dhe gjendja e keqe… Rusia që na dha Dostojevskin dhe Tolstoin, Gogolin dhe Çehovin, poetë që i shkruajtën dhimbjes e shpirtit njerëzor, pret nga Evropa një dëshmi të dashurisë njerëzore… Vetëm Bukë… Punëtorët tanë janë bashkuar në organizata të fuqishme, me qëllim që të ndihmojnë të uriturit. Por, thirrja i drejtohet të gjithëve, edhe artistëve të cilët e kanë mision të punës së tyre angazhimin kundër dhimbjeve njerëzore…”!

Poshtë thirrjes rreshtohen të gjithë emrat e komitetit organizator, ku bën pjesë edhe emri i Aleksandër Moisiut.

Një gazetë tjetër që etiketon Moisiun si çifut komunist është dhe gazeta Prager Tagblatt, nr. 97, e datës 27 prill 1921, ku në mes të tjerash shkruhet: ”…Shfaqja e tretë e Wedekind, ‘Schloss Wetterstein’, u anulua si rezultat i një teatër-skandali. Drejtuesit e këtij teatri u detyruan që të refuzonin shfaqjen e planifikuar atë ditë, për një mbrëmje ku do të ligjëronte aktori Aleksandër Moisiu, një komunist çifut, ligjërate që në të vërtetë nuk është e dobishme…”!

Ndërsa, në një link gjerman, me informacione për teatrin, filmin, TV-në, spektaklet… për aktorin Aleksandër Moisiu ndër të tjera shkruhet: “…Moisiu, në vitin 1918 vendosi që t’i bashkohej Lëvizjes Spartakiste të rezistencës në Gjermani…” (shënim i artikullshkruesit: Levizja Spartakiste ishte një bashkim i socialistëve marksist në Gjermani, të cilët gjatë luftës së parë botërore, synuan një Revolucion Proletar Internacional, për të rrëzuar kapitalizmin, imperializmin dhe militarizmin e botës… Spartakistët morën pjesë aktive në revolucionin e nëntorit 1918-të)!

Edhe në shkrimin e Hamburger Abendblatt, 19 maj 2000, në shkrimin “Legjenda e teatrit dhe simpatizanti i grave”, autori W. Mommert shkruan: “…Në historikun e karrierës së aktorit ka edhe një faqe politike, atë të Luftës së Parë Botërore, kur ai u lajmërua vullnetar për në front, për të luftuar për Gjermaninë, por që më pas u izolua dhe u etiketua nga Nazistët si ‘çifuti komunist’”!

Së fundi, duke e mbyllur shkrimin, dëshiroj të theksoj për lexuesin që, pothuajse e njëjta fushatë presioni ndaj aktorit Aleksandër Moisiu, u përsërit në shtyp edhe në vjeshtën e vitit 1931. Kjo pas një ngjarje që në opinion njihet si “Skandali Moisiut”, ku propaganda nacionalsocialiste u bë shumë agresive, duke organizuar lëvizje, demonstrata apo pengesa të ndryshme gjatë ligjëratave apo shfaqjeve të Aleksandër Moisiut në skenë. /Telegrafi/