Ish-presidenti afgan, Ashraf Ghani u përpoq të justifikonte largimin nga vendi në mes të muajit gusht, ndërsa talebanët iu afruan kryeqytetit Kabul.

Ai tha se fluturimi nuk ishte planifikuar dhe se e bëri për të parandaluar gjakderdhjen në qytet.

“Në mëngjesin e asaj dite, nuk e kisha idenë se do të largohesha pasdite”, tha Ghani për BBC.

Këshilltari i tij për sigurinë kombëtare, Hamdulah Mohib, ishte “fjalë për fjalë i tmerruar” dhe i dha atij “jo më shumë se dy minuta” për të vendosur se çfarë të bënte.

“Vetëm kur u ngritëm u bë e qartë se po largoheshim. Pra, ishte vërtet e papritur”, shtoi Ghani.

Planet e mëparshme për t’u zhvendosur në Khost ose Jalalabad u braktisën sepse atij iu tha se edhe ato qytete afgane ranë në duart e talebanëve.

Ghani u largua nga Kabuli më 15 gusht pasi luftëtarët talebanë rrethuan kryeqytetin afgan dhe ata tashmë kishin pushtuar të gjitha kryeqytetet provinciale me shpejtësi rrufeje. /Telegrafi/