LAJMI I FUNDIT:

Ish-kryeministri i Moldavisë u dënua me 9 vjet burg

Ish-kryeministri i Moldavisë u dënua me 9 vjet burg

Ish-kryeministri i Moldavisë, Vlad Filat, është dënuar me nëntë vjet burg. Filat ishte i akuzuar për korrupsion.

Gjykata në kryeqytetin Kishinev sot shpalli se Filat është fajtor për keqpërdorim të pozitës dhe korrupsion dhe sot i është caktuar dënimi, raportojnë mediat atje.

Gjykata ka marrë vendimin ish-kryeministrit t’i konfiskohet pasuria dhe për pesë vjet e ka të ndaluar të ketë ndonjë post publik.

Megjithatë, prokurorët janë shprehur të pakënaqur, pasi kanë kërkuar dënim me burg prej 19 vjetësh dhe kanë paralajmëruar ankesë, transmeton KosovaPress.

Vlad Filat ishte kryeministër për katër vjet dhe është arrestuar në tetor të vitit të kaluar, nën dyshimin se ka marrë ryshfet në një rast të vjedhjes së 1 miliardë dollarëve në një bankë.