LAJMI I FUNDIT:

IPKO përkrahë fermerët e Drenasit me stacion agrologjik

IPKO përkrahë fermerët e Drenasit me stacion agrologjik

Në kuadër të projektit “IPKO-Parashikimi Agrologjik”, operatori IPKO ka përkrahur edhe Komunën e Drenasit me vendosjen e një stacioni agrologjik, i cili do të përkrahë dhe informojë fermerët rreth parashikimit të temperaturave agrologjike, sëmundjeve dhe lagështisë.

Drejtoresha e Bujqësisë dhe Zhvillimit Ekonomik, Anita Abdullahu, ka pritur në takim përfaqësuesin e IPKO-së, Muhamet Gjoka të cilin e ka falënderuar për këtë investim dhe ka vlerësuar se vendosja e stacionit agrologjik do të ndihmon shumë fermerët e Komunës së Drenasit.


Paraprakisht IPKO ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me Komunën e Drenasit, përmes së cilës është mundësuar instalimi i stacionit agrologjik në këtë komunë. Stacioni agrologjik, në mënyrë të detajuar do të masë parametrat agrarë si pikën e vesës, dendësinë e reshjeve, lagështinë e gjetheve, temperaturën e ajrit dhe parametra të tjerë.

IPKO ka pajisur fermerët e Komunës së Drenasit edhe me numra të telefonit – pa pagesë dhe përmes SMS-ve do t’i informojë fermerët e Drenasit me të dhënat agrologjike, të nevojshme dhe të procesuara, për kultivimin më të mirë dhe ruajtjen e kulturave të ndryshme bujqësore. “IPKO – Parashikimi Agrologjik” është një projekt i mençur, i cili mbështetë të gjithë fermerët në nivel vendi. /Telegrafi/