Kërkesa për pajisjet e reja mobile të Apple, përkatësisht modelet e reja të iPhone 6 ka qenë e pangopur, dhe Apple pretendon se ka shitur 10 milionë njësi të iPhone 6 dhe iPhone 6 Plus vetëm në fundjavën e parë pas lansimit, një rritje e shitjeve nga 9 milionë njësi sa ishte një vit më parë, kur iPhone 5c dhe 5s debutuan në treg.

Megjithatë, që nga dita e djeshme raportohet se iPhone 6 dhe iPhone 6 Plus u mungon qëndrueshmëria dhe se ato shumë lehtë mund të tërhiqen, të dalin jashtë formës edhe nëse përdoruesi vetëm e mban atë në xhep.


Një numër i videove interesante kanë dalë në sipërfaqe dhe e pohojnë këtë gjë, duke përfshirë edhe videon e postuar nga Unbox Therapy që tregon deformimin e telefonit të ri të Apple, edhe pas vetëm disa ditëve të mbajtjes në pronësi.

Prezantuesi i kësaj videoje gjithashtu tregon se si trupi i aluminit të iPhone 6 Plus lakohet edhe nga presioni i duarve të përdoruesit, dhe deformimin që e pëson telefoni në pjesën e sipërme të tij.

Koha e paraqitjes së këtij lajmi nuk ka mundur të jetë më e keqe për Apple, pasi që kompania amerikane është duke u bërë gati të lëshojë në shitje ndërkombëtare gjeneratën e re të telefonave të saj.

Apple ende nuk e ka konfirmuar defektin me telefonat e saj. (Telegrafi)