LAJMI I FUNDIT:

Investimet në Telekom, telefonia mobile, 5G e luftimi i korrupsionit – krejt çfarë tha kryeshefja ekzekutive Hana  

Investimet në Telekom, telefonia mobile, 5G e luftimi i korrupsionit – krejt çfarë tha kryeshefja ekzekutive Hana  

Kryeshefja ekzekutive e Telekomit të Kosovës, Burbuqe Hana, në emisionin “Përballje” në Telegrafi.com ka folur për sfidat e ndërmarrjes, investimet që priten të bëhen në teknologji, ristrikturimet dhe planet për vitin 2024.

Ajo në këtë intervistë përmendi mungesën e investimeve, platformat dhe teknologjinë e vjetër si sfida me të cilat Telekomi përballet tash e më shumë se shtatë vjet, gjersa theksoi se tashmë janë në rrugë të mbarë “për t’u rikthyer si lider i shërbimeve të telekomunikacionit në Republikën e Kosovës”.


Në intervistën me kryeredaktorin Muhamet Hajrullahu, Hana mes tjerash u shpreh se Telekomi për vitin 2024 sipas planit të prokurorimit parasheh investime shumë të mëdha.

Ajo bëri të ditur se në “vitin 2022 kemi marrë një hua, kemi bërë një strategji të thuktë dhe pas asaj kemi filluar me të gjitha kapacitetet që ta rikthejmë Telekomin aty ku e ka vendin dhe ku e meriton”.

Sipas saj, 2024-ta do të jetë vit i investimeve, ndërsa tregoi se janë paparë 38 milionë euro.

“Vitin e ardhshëm i kemi 13 milionë euro të parapara për investime dhe 12 milionë të tjera për trevjeçarin e radhës. Pas një kohe të gjatë pa investime në teknologji në Telekom, këtë vit do të ketë investime të plota”, tha Hana.

Kryeshefja ekzekutive e Telekomit të Kosovës, Burbuqe Hana /Foto: Ridvan Slivova

Ajo bëri të ditur se kanë nënshkruar kontratën për investime në tërë infrastrukturën e telefonisë mobile.

“Këto janë investime për të ofruar shërbime të sigurta, të shpejta dhe të pëlqyeshme për konsumatorët. Praktikisht, te telefonia mobile në fund të vitit 2024 do të bëhet modernizimi i plotë i shërbimit edhe të rrjetit. Kur po them teknologjia e re i bie është teknologjia e fundit e 4G plus dhe për herë të parë Vala do të ofrojë edhe 5G-në. Kjo i bie që shërbimet e konsumatorit do të jenë cilësore. Fokusi ynë do të jetë aty çka është kërkesa e konsumatorëve”.

Sipas saj me këto investime do të përmirësohet infrastruktura e vjetërsuar e Telekomit dhe për herë të parë konsumatorëve të Vala-s do t’iu ofrohen edhe shërbimet e rrjetit të 5G.

Hana më tej thotë se do të shtohet numri i antenave në mënyrë që shërbimet e Telekomit dhe Vala-s të shtrihen në çdo vend të Kosovës.

“Shembull, Prishtina me regjion deri në fund të qershorit do të jetë e mbuluar me teknologjinë 4G+ dhe 5G. Ndërsa për komunat  tjera besojmë se deri në fund të vitit 2024 do të shtrihet infrastruktura dhe do të ofrohen shërbimet cilësore”, ka deklaruar Hana.

Kryeshefja e Telekomit mes tjerash tha se investimet krahas telefonisë mobile do të bëhen edhe për shërbimet e broadband internetit ose shtrirjen e rrjetit optik, që është teknologjia e fundit për internet.

“Deri tash kemi pasur shtrirje të mjaftueshme të bakrit, mirëpo kjo nuk i plotëson nevojat e konsumatorëve, kështu që aktualisht këto ditë jemi në paraqitjen e tenderit që ka me qenë 15 milionësh, tender i madh, në vazhdën trevjeçare të implementimit. Pas 3 vjetëve e shohim Telekomin të shtrirë në krejt Republikën e Kosovës edhe shërbime për gjithë qytetarët e interesuar e natyrisht konsumatorët tanë në gjithë hapësirat e vendit. Është një investim i madh dhe presim që të kemi edhe operatorë ekonomikë të interesuar për t’i kryer këto shërbime”, deklaroi Hana.

Kryeshefja ekzekutive e Telekomit të Kosovës ka folur për ristrukturimin e brendshëm të kësaj ndërmarrje si dhe premtimet e saj për të luftuar korrupsionin.

Ajo tha se premtimit për ta luftuar korrupsionin brenda kësaj ndërmarrje do t’i qëndroj prapa siç u shpreh derisa të jetë gjallë.

Kryeshefja ekzekutive e Telekomit të Kosovës, Burbuqe Hana gjatë intervistës në emisionin “Përballje” /Foto: Ridvan Slivova

E pyetur se a e ka bashkëpunim e mbështetje edhe të Sindikatës për zhvillimet brenda kësaj ndërmarrje, ajo tha: “Sindikata e ka pjesën e vet, domethënë sindikata e bën gjithmonë detyrën e vet. Ajo e ka për detyrë me i shty krejt kërkesat e punëtorëve. Natyrisht, ne kemi has në mirëkuptim të sindikatës”.

Mirëpo, për problemet për të cilat kanë has në vështirësi, Hana tha se janë duke punuar në këtë drejtim.

“Sindikatës i kemi thënë nuk mundemi tash… ka pasur disa raste kur thuhet duhet rroga, rritje e pagës… atëherë i kemi dy mundësi ose po i rrisim pagat dhe prapë po shkojmë në rënie të lirë… ose po e rregullojmë fillimisht infrastrukturën, institucionin, po i sjellim në vijën e duhur e mandej kur shërohet vetë institucioni, natyrisht që e kemi edhe hapësirën edhe gjithçka edhe për trajnime, edhe mandej edhe përbrenda, por edhe përjashta. Njëjtë është sikur edhe me media, me marketingun që ka ndodhë përpara nuk kemi kurrgjë kundër, domethënë edhe me investue ose diçka, mirëpo aktualisht as reprezentacioni, domethënë reprezentacioni në plan të biznesit është zero”, tha ajo.

Kryeshefja ekzekutive e Telekomit theksoi se ristrukturimi është duke shkuar sipas planifikimit, por si u shpreh “po merr pak kohë”.

Ajo ka folur edhe për rastet e ankesave të ish-punëtorëve.

Ndër të tjera ajo tha se Inspektorati i Punës e ka për detyrë që t’i trajtojë rastet si një instancë, mirëpo jo të marrëdhënies së punës.

Por, si e sheh Hana, Telekomin dhe a do të kthehet seriozisht në tregun e Kosovës si kompani publike?

“Asnjë dyshim nuk e kam që nuk do të kthehet. Natyrisht, vitin e kaluar kemi paraqitë 5.9 milionë fitim që është hera e parë, domethënë mbas vitit 2015 s’ka pas. Kemi pas humbje enorme. Pasqyrat financiare ne i kemi publike. Të gjitha vitet me radhë na i parashohim diku 5-6 për qind rritje edhe është i bazuar në realitet praktik edhe kështu që nuk ka arsye për çka mos me qenë edhe mos me vazhdu…Jemi aq të motivum, aq të motivum…”. /Telegrafi/