LAJMI I FUNDIT:

Investimet amerikane – me rëndësi politike për Gjermaninë

Investimet amerikane – me rëndësi politike për Gjermaninë

Intel ka bërë investimin më të madh të drejtpërdrejtë të huaj në historinë e Gjermanisë. Investimi për dy fabrika mikroprocesorësh ka rëndësi të shumëfishtë edhe politike.

Tridhjetë miliardë euro do të investojë koncerni elektronik amerikan Intel në Gjermani. Ky investim bëhet për ngritjen e dy fabrikave të mikroprocesorëve. Fabrikat do të ngrihen në lindje të Gjermanisë, në qytetin e Magdeburgut. Në fabrika do të vihen makineri të teknologjisë më të përparuar që ekziston: të teknologjisë ekstreme të litografisë ultraviolet. Në këtë mënyrë do të prodhohen mikroprocesorët më efikas të mundshëm sot.


7 mijë vende pune do të krijohen në industrinë e ndërtimit, në fazën e parë për fabrikat. 3 mijë vende pune të përhershme të teknologjisë së lartë do të pasojnë. Kurse numri i vendeve të reja të punës që pritet të krijohen, me këtë rast, në ekosistemin e industrisë së gjysmëpërçuesve, llogaritet në dhjetëra-mijëra të tilla.

Investimi i Intelit rrit rëndësinë strategjike të Gjermanisë

Investimi i Intelit ka rëndësi të madhe strategjike. Me të forcohet pozicioni i Gjermanisë në një industri me rëndësi strategjike, atë të mikroelektronikës.

Kancelari Olaf Scholz u shpreh se, “me këtë investim ne bashkohemi me liderët botërorë në këtë teknologji”.

Për nga vëllimi është investimi më i madh i drejtpërdrejtë i huaj në historinë e Gjermanisë.

Scholz tha më tej në një takim me shoqatën e industrialistëve gjermanë BDI se, “Gjermania po zhvillohet në një nga qendrat më të mëdha në botë, të prodhimit të gjysmëpërçuesve”.

Që tani, një ndër tre mikroprocesorë që prodhohen në Evropë vjen nga Gjermania – nga landi i Saksonisë, në lindje të Gjermanisë.

“Në realitet, gjithçka po konvergon drejt Gjermanisë”, tha kancelari Scholz.

Me këtë ai kundërshtoi kritikët, që me hyrjen në recesion të Gjermanisë u bien kambanave të alarmit. Scholzi tha se ata që kritikojnë “janë mësuar të shohin vetëm atë që nuk funksionon” te Gjermania.

Në fakt Silicon Junction, siç e ka quajtur Inteli investimin në Magdeburg të Gjermanisë, nuk është investimi i vetëm i huaj në këtë industri. Një fabrikë moderne e mikroprocesorëve do të ngrihet në jug të Gjermanisë, në landin e Zarës (Ensdorf) nga kompania tjetër amerikane Wolfspeed. Kurse koncerni amerikan Infineon do të zgjerojë fabrikën në Dresden dhe do të krijojë atje rreth 1,000 vende të reja pune. Në Magdeburg, përveç dy fabrikave të gjysmëpërçuesve, është planifikuar edhe një park i teknologjisë së lartë, për vendosjen e furnizuesve.

Investimet e koncerneve amerikane – me rëndësi politike për Gjermaninë

Investimi historik i fundit i Intelit dhe investimet e tjera të huaja janë gjithashtu vlerësime politike për Gjermaninë.

Me zhvillimet në Ukrainë, politikisht qendra e Evropës po zhvendoset drejt Lindjes. Por nuk kemi (dhe as mund të kemi) një zhvendosje në kuptimin e kapaciteteve politike dhe ekonomike drejtuese – në fakt qendra e Evropës mbetet në Gjermani.

Investimet masive të huaja dëshmojnë besimin që kanë, edhe aktualisht, të huajt te ekonomia shumë e zhvilluar e Gjermanisë dhe te aftësitë tradicionale të gjermanëve për të prodhuar instrumente të precizonit të lartë. Me gjithë problemet aktuale, ekonomia e Gjermanisë, më e madhja në Evropë, mbetet në tërësi një nga ekonomitë më të shëndetshme të Evropës.

Më tej, industrializimi i lindjes së Gjermanisë, zonë më pak e industrializuar se perëndimi, krijon atje mijëra vende pune. Kjo godet mbështetjen për ekstremistët e djathtë të partisë AfD, të cilët sipas sondazheve arrijnë në disa zona 26 për qind mbështetje.

Subvencionet luajnë rol, por jo vendimtar

Shumë vende janë të gatshme t’u japin subvencione koncerneve amerikane, që ato të vendosen e prodhojnë atje, megjithatë amerikanët nuk investojnë kudo.

Fabrikat e reja të Intelit, sipas medieve, Gjermania i subvencionon tani me 9.9 miliardë euro. 6.8 miliardë euro planifikohej në fillim kjo shumë. Rritja e subvencionit gjerman ngjalli debate në Gjermani. Por kritikët harrojnë se Gjermania e rriti shumën vetëm pasi Inteli vendosi ta dyfishojë investimin në Magdeburg: nga 17 miliardë euro në fillim në 30 miliardë euro.

Kështu që tani, pjesa e subvencionit gjerman në vëllimin total është ulur: nga 40 për qind, që ishte në marrëveshjen e parë në 33 për qind tani.

Në fakt, shefi i Intelit, Pat Gelsinger e përshkroi projektin e Magdeburgut, si “një pjesë kritike të strategjisë sonë për rritjen e Intelit”.

Inteli do të ndërtojë një fabrikë mikroprocesorësh edhe në Wroclaw për 4.2 miliardë euro. Ajo pritet të përfundojë në vitin 2027. Atje mikroprocesorët do të montohen dhe testohen. Inteli tha se fabrika polake, së bashku me fabrikat në Magdeburg dhe fabrikën ekzistuese në Irlandë, do të krijojnë, “zinxhirin e vlerës së prodhimit të gjysmëpërçuesve, të teknologjisë së fundit, nga fillimi në fund në Evropë”.

Rëndësia e investimit të Intelit për Evropën

Për Bashkimin Evropian ky investim konsiderohet me rëndësi vendimtare për të rritur pjesën në tregun botëror të gjysmëpërçuesve – nga 10 për qind aktualisht në 20 për qind – deri në vitin 2030. Bashkimi Evropian dëshiron të bëhet teknologjikisht më i pavarur nga Azia për prodhimin e mikroprocesorëve.

Pas nënshkrimit në Berlin të kontratës për fabrikat e Intelit, nga kancelari Scholz dhe shefi i koncernit Intel, Pat Gelsinger, pritet aprovimi i Brukselit për këtë investim ndërkombëtar në Gjermani. Kjo konsiderohet megjithatë vetëm çështje formale. Varësisht sa shpejt do të jepet drita e gjelbër, brenda 4 ose 5 vitesh në fabrikat e Magdeburgut nis prodhimi i mikroprocesorëve. /Deutsche Welle/