Invalidi i UÇK-së, ish-ambasadorit gjerman: Sonte do të nisem për Gjermani


Pas një takimi të shkurtër që kishin me kryetarin Bahtiri, nëpër rrugët e qytetit i dërguari i për Ballkanin i kancelares, Ernst Reichel dhe presidentja Jahjaga kanë zhvilluar takime dhe biseda me qytetarë nëpër rrugët e Mitrovicës, raporton Veriu.info.
Jahjaga u ka thënë qytetarëve se migrimi nuk është zgjidhje dhe se qytetarët e Kosovës ardhmërinë e kanë në Kosovë. “Këto ditë sapo kemi festuar 7 vjetorin e pavarësisë dhe këto janë sfida me të cilat ne duhet të përballemi. Qytetarët nuk duhet të bien pre e grupeve kriminale, sepse ardhmëria e tyre është këtu”, ka thënë Jahjaga.
Por invalidi i UÇK-së, Xhevdet Spahiu që jeton në Mitrovicë, presidentes Jahjaga dhe diplomatit gjerman u ka bërë me dije se sonte në orën 22 do ta marr rrugën për Gjermani. “E kam shtëpinë, por nuk kamë pagë e as të ardhura me çka t’i mbaj fëmijët e mi, prandaj jam i detyruar të ikë”, ka thënë Spahiu.
I dërguari për Ballkanin i kancelarës gjermane, Ernst Reichel, i ka thënë drejtpërdrejtë Spahiut se veprimi i tij për të shkuar në mënyrë ilegale në Gjermani nuk është zgjidhje e duhur, sepse pas menjëherë pas dy javësh do ta kthejnë në Kosovë.
Ndërkaq, kreu i Komunës, Agim Bahtiri, për këtë humbje të shpresës së qytetarëve, ka fajësuar pushtetin qendror, për të cilin tha se nuk është marr fare me zhvillimin ekonomik. “Nuk mund të fajësoj qytetarët për migrimin që po ndodh, por fajtor në pjesën më të madhe janë politikat qendrore që nuk e kanë pasur prioritet zhvillimin ekonomik”.







































