LAJMI I FUNDIT:

Intervenimet estetike dhe rikonstruktive në organet gjenitale femërore

Intervenimet estetike dhe rikonstruktive në organet gjenitale femërore

Janë disa intervenime të cilat kryhen për të përmirësuar pamjen e organeve gjenitale dhe kalibrin e vaginës si labioplastika, perineoplastika, vaginoplastika, himenoplastika dhe intensifikimi i pikës G.

Ass. dr. Memli Morina, mr. sci
gjinekolog – obstetër
tel. 045 725 725

Këto procedura mund të kryhen veçmas ose të kombinuara (pra një intervenim bashkë me një intervenim tjetër).


Intervenimet kirurgjike estetike në organet gjenitale janë në rritje të vazhdueshme. Pasi që këto intervenime nuk mbulohen nga sigurimi shëndetësor, rrjedhimisht pacientet lëvizin nga një shtet në një shtet tjetër ku këto intervenime janë më pak të kushtueshme.

Shpeshherë këto intervenime është vështirë të klasifikohen vetëm si kozmetike, sepse kanë edhe indikacione mjekësore për shkak se seriozisht ndikojnë në cilësinë e jetës së shumë grave. Këto gra mund të kenë ankesa fizike dhe simptome emocionale. Ankesat fizike mund të jenë pengesat kur veshin pantallona të ngushta ose kur janë me rroba të larjes, mund të kenë probleme kur ecin, vrapojnë, kur ushtrojnë si dhe mund të kenë probleme gjatë marrëdhënieve seksuale. Simptomat emocionale janë turpi përpara partnerit për pamjen e organeve gjenitale, ankthi dhe humbja e vetëbesimit.

Janë bërë studime ku është studiuar raporti midis pamjes fizike të gruas (pra imazhit të trupit) dhe funksionit të saj seksual. Sipas këtyre studimeve gratë të cilat janë perceptuar me imazhi pozitiv të trupit kanë raportuar aktivitet më të shtuar seksual, kanë raportuar se kanë orgazma më të shpeshta dhe nuk e kanë ndier veten keq kur kanë qëndruar lakuriq me partnerin e tyre; kjo sipas tyre ka rezultuar me kënaqësi më të madhe seksuale të partnerëve.

Ngushtimi i vaginës është një nga operacionet që kërkohet shpesh dhe është pjesë e trendit të përgjithshëm që gratë përpiqen që të jenë të përsosura në secilin aspekt. Është normale që muret e vaginës me kalimin e moshës dhe për shkak të lindjeve relaksohen dhe rrjedhimisht diametri i vaginës zgjerohet dhe muret e saj janë më të relaksuara. Patjetër që paraprakisht duhet të bëhet një vlerësim korrekt i gjendjes së pacientes dhe t’i sqarohen rezultatet e intervenimit.

Vlerësohet se rreth 40% e grave mbi moshën 35 vjeçare kanë ankesa që lidhen me pamundësinë e kontrollimit të urinimit që është rrjedhojë e traumave gjatë lindjes. Këto gra shpeshherë kanë rrjedhje të pavullnetshme të urinës gjatë ecjes, gjatë aktivitetit fizik (psh në fitness), gjatë kollitjes ose teshtitjes. Sot, ekziston edhe mundësia që të bëhet ngushtimi i vaginës me laser. Kjo metodë po fiton popullaritet çdo ditë e më shumë, sidomos tek gratë në moshë të re dhe të mesme të cilat kanë lindur rishtazi.

Me këtë metodë me ndihmën e rrezeve laser stimulohet prodhimi i indit kolagjen dhe rritet furnizimi me gjak i mukozës së vaginës. Efektet e mjekimit janë të dukshme menjëherë pas trajtimit të parë, por rriten me përsëritjen e seancave dhe nëse kombinohen me ushtrimet e muskujve të dyshemesë së pelvikut.

Edhe pse nga ky problem vuajnë rreth 1/3 e grave pas lindjes, deri vonë shumë pak gra kërkonin ndihmën e gjinekologut. Situata po ndryshon dita ditës, por deri vonë këto gra kishin rezerva dhe turp që këtë shqetësim ta ndanin me mjekun e tyre. Disa gra pohojnë se ato mendonin se këto probleme do të zbehen me kalimin e kohës. Zakonisht gratë të cilat janë mbi 45 vjeç konsiderojnë se është një gjë “normale” që të kenë urinim të pavullnetshëm dhe se kjo është një dukuri që duhet të merret si pjesë normale e procesit të plakjes. Për shkak të kësaj qasjeje, deri vonë vetëm rreth 20% e grave më këto probleme kanë kërkuar ndihmën e mjekut, për shkak se iu ishte prishur cilësia e jetës dhe ishin çrregulluar marrëdhëniet seksuale e rrjedhimisht edhe raportet me bashkëshortin.

Një intervenim tjetër i cili bëhet shpesh është edhe himenoplastika apo kthimi i virgjërisë. Lidhur me këtë procedurë ka dilema të ndryshme morale dhe etike, por një intervenim i tillë është mjaft i shpeshtë tek ne dhe në shtetet përreth. Në këtë rast intervenimi nuk bëhet për shkaqe estetike, por për të zgjidhur problemin etik të gruas.

Ndonëse në ditët e sotme kanë ndryshuar dukshëm normat morale e etike dhe raportet midis partnerëve janë dukshëm më liberale, himenoplastika vazhdon të mbetet një operacion mjaft aktual dhe që kryhet shumë shpesh. Ekzistojnë dy tipe të himenoplastikës. Metoda e parë është afatshkurtë dhe himeni korrigjohet për një periudhë të shkurtër kohore (disa javë), kurse metoda e dytë është rikonstruktimi i himenit për një periudhë të gjatë kohore.

Intervenim tjetër është labioplastika. Shumë gra i kanë buzët e vogla të vaginës shumë të rritura. Në këtë rast buzët e vogla dalin jashtë dhe nuk mbulohen nga buzët e mëdha. Këto gra normalisht që nuk janë të kënaqura me pamjen e buzëve të vaginës. Në këtë rast bëhet riformimi i buzëve të vogla të vaginës sipas kritereve estetike të gruas.

Ky intervenim mund të kryhet nën anestezion lokal ose të përgjithshëm varësisht nga gjendja psikologjike e gruas, por edhe nga kohëzgjatja e parashikuar e intervenimit. Qepja bëhet me penj resorbtivë (domethënë me penj që shkrihen dhe që s’kanë nevojë të hiqen). Zakonisht pas operacionit jepen antibiotikë për ta parandaluar infeksionin. Operacioni bëhet menjëherë pasi të kryhen menstruacionet. Pas operacionit nuk rekomandohet që të bëhen punë të rënda fizike, të bëhet dush më ujë të nxehtë, nuk rekomandohet larja në pishinë. /Telegrafi/

Në trend Shëndetësi

Më shumë
Bima që e ndukim dhe e shkelim, duke menduar se është një barojë, në fakt ka vlera të shumta për shëndetin

Bima që e ndukim dhe e shkelim, duke menduar se është një barojë, në fakt ka vlera të shumta për shëndetin

Ushqim i shëndetshëm
Kalo në kategori