LAJMI I FUNDIT:

Inteligjenca e Koresë së Jugut: Nuk ka shenja që Kim është operuar në zemër

Inteligjenca e Koresë së Jugut: Nuk ka shenja që Kim është operuar në zemër

Inteligjenca e Koresë së Jugut, ka njoftuar se nuk ka shenja që lideri verikorean Kim Jong-Un, t’i jetë nënshtruar një intervenimi kirurgjik në zemër.

Kim për tri javë nuk ishte parë në publik, gjë që kishte nxitur spekulime për gjendjen e tij shëndetësore dhe vendin ku kishte qëndruar para se të rishfaqej gjatë të premtes para mediave, transmeton Telegrafi.


Agjencia Kombëtare e Sigurisë (NIS), gjithashtu ka bërë të ditur në takimin që është mbajtur me dyer të mbyllura me zyrtarët më të lartë të këtij vendi, se Kim është shfaqur para qytetarëve 17 herë gjatë këtij viti, më rrallë se zakonisht – ndoshta kjo për shkak të pandemisë së coronavirusit dhe luftës kundër përhapjes.

“Vlerësohet që Kim nuk ka pasur kurrfarë intervenimi kirurgjik e në veçanti në zemër”, ka deklaruar deputeti jugkorean Kim Bung-Ke para gazetarëve.

Raportohet se Kim deri më tani gjatë këtij viti ka pasur 66 për qind më pak aktivitete në publik, diçka që po konsiderohet si e pazakontë.

“Edhe pse nuk është shfaqur para kamerave, Kim ka drejtuar shtetin si zakonisht”, kanë njoftuar zyrtarë të inteligjencës jugkoreane – NIS.

Megjithatë kjo agjenci nuk mohon mundësinë që epidemia e COVID-19 në Korenë e Veriut të ketë arritur, edhe pse Pyongyang pretendon se deri më tani nuk kanë të regjistruar as edhe një person të infektuar me coronavirus.

Sipas kësaj agjencie, nuk janë vërejtur edhe shenja të pazakonta që do të tregonin që Koreja e Veriut ka vazhduar programin e saj bërthamor në kompleksin Jongbion që ishte pezulluar në vitin 2018. /Telegrafi/