LAJMI I FUNDIT:

Instituti GAP rekomandon politika për pensionim të parakohshëm të shërbyesve civil

Instituti GAP rekomandon politika për pensionim të parakohshëm të shërbyesve civil

Instituti për Studime të Avancuara GAP ka publikuar raportin që rekomandon politika ku inkurajojnë pensionimin e parakohshëm.

Sipas raportit të GAP-it, shërbyesit civilë përbëjnë 26.7 për qind të të gjithë të punësuarve në sektorin publik, e 7.9 për qind e tyre përmbushin kushtin për pensionim të parakohshëm, pasi kanë kaluar moshën 63 vjeç.


“Duke u bazuar në të dhënat e siguruara nga Thesari i Shtetit, del se shërbyesit civilë përbëjnë 26.7 për qind të të gjithë të punësuarve në sektorin publik. Mosha mesatare në shërbimin civil është 47.5 vjet. Nga numri i përgjithshëm i shërbyesve civilë, 14.1 për qind janë mbi moshën 60 vjeçare. Sipas Ligjit për Zyrtarët Publik, pensionimi i parakohshëm fillon nga mosha 63 vjeçare dhe mund të bëhet me kërkesë të shërbyesve civilë ose me vendim të institucionit. Janë 1,091 shërbyes civilë që kanë arritur moshën 63 vjeçare (7.9 për qind e shërbyesve civilë)”, thuhet në raport, përcjell Telegrafi.

Kurse, ndryshe prej institucioneve qendrore e të pavarura, komunat kanë të punësuar më shumë shërbyes civilë mbi moshën 63 vjeçare.

“Komunat kanë të punësuar më shumë shërbyes civilë mbi moshën 63 vjeçare se sa institucionet e nivelit qendror dhe institucionet e pavarura. Duke marr parasysh se Kosova ka shkallën më të lartë në Evropë të të punësuarve në sektorin publik në krahasim me numrin e përgjithshëm të të punësuarve, Instituti GAP rekomandon politika të cilat inkurajojnë pensionimin e parakohshëm dhe mos zëvendësimin e atyre pozitave me punonjës të rinj me qëllim të uljes së numrit të të punësuarve në sektorin publik dhe uljen e buxhetit shtetëror për paga dhe shtesa”, përfundon GAP. /Telegrafi/