LAJMI I FUNDIT:

Instituti ATOMI detyrohet ta shuaj aktivitetin, s’ka përkrahje nga institucionet

Instituti ATOMI detyrohet ta shuaj aktivitetin, s’ka përkrahje nga institucionet

Drejtor Ekzekutiv i Institutit ATOMI, Jusuf Thaçi iu ka tërhequr vëmendjen krerëve shtetëror, ministrave dhe kryetarëve të subjekteve politike në vend se instituti ATOMI që merret me identifikimin dhe përkrahjen e fëmijëve dhe të rinjve me potencial të jashtëzakonshëm intelektual në Kosovë brenda ditësh do të detyrohet ta shuaj aktivitetin e vet si rezultat i mospërkrahjes financiare nga institucionet shtetërore të Republikës së Kosovës të të gjitha niveleve.

Letër Publike nga ATOMI


“Drejtuar të gjithë udhëheqësve të institucioneve shtetërore dhe të gjithë udhëheqësve të subjekteve politike në Kosovë:

Presidentit, z. Hashim Thaçi, Kryeparlamentarit, z. Kadri Veseli,

Kryeministrit, z. Isa Mustafa,

Zëvendëskryeministrit, z. Hajredin Kuçi,

Ministrit të Arsimit, z. Arsim Bajrami,

Kryetarëve të subjekteve politike parlamentare e jo-parlamentare,

Kryetarëve të komunave,

Ashtu si e kaluara, edhe e ardhmja shkruhet tash. Veç për dallim nga e kaluar që nuk mund të ndryshohet, e ardhmja varet nga të gjithë ne, nga vizioni dhe vullneti ynë. Kush ka vizion e vullnet për të përgatitur tash një të ardhme të mirë për Kosovën, duhet ta kuptojë një orë e më parë që nuk është Trepça, KEK-u e Feronikeli mundësia e burimi më i mirë e më racional për zhvillimin e mirëqenien e vendit dhe shoqërisë sonë.

Në një botë që transformohet brenda ditës, gjithë zhvillimi e mirëqenia varet nga inteligjenca, ideja, kreativiteti, inovacioni, dija, shkenca dhe teknologjia. Kosova është pjesë e kësaj bote!

Andaj, mundësia e burimi më i mirë e më racional për zhvillimin e mirëqenien e vendit dhe shoqërisë sonë është kapitali njerëzor, ajka e të cilit janë fëmijët dhe të rinjtë me potencial të jashtëzakonshëm intelektual në Kosovë.

Deri më tani, qe pesë vite tashmë, vetëm ATOMI merret me identifikimin dhe përkrahjen e fëmijëve dhe të rinjve me potencial të jashtëzakonshëm intelektual në Kosovë. Megjithëse i ballafaquar me kufizime të mëdha financiare, infrastrukturore e profesionale, prapëseprapë ATOMI, si organizatë, dhe atomistët e përzgjedhur e të përkrahur nga ATOMI, si individë, kanë arritur rezultate e suksese të jashtëzakonshme e kulmore në nivel vendor e ndërkombëtar, të cilat besoj i keni parë në mediat tona.

Pavarësisht rëndësisë dhe vlerës së jashtëzakonshme të këtyre fëmijëve dhe të rinjve me potencial të jashtëzakonshëm intelektual për të ardhmen e Kosovës dhe rëndësisë së ekzistimit të organizatave të tilla si ATOMI që i përkrahë këta persona në Kosovë, ATOMI brenda ditësh do të detyrohet ta shuaj aktivitetin e vet si rezultat i mospërkrahjes financiare nga institucionet shtetërore të Republikës së Kosovës të të gjitha niveleve.

Shumë nga këta fëmijë dhe të rinj me potencial të jashtëzakonshëm intelektual në Kosovë do të shuhen të parealizuar, megjithëse shumë nga ta do të mund të ishin lokomotiva e zhvillimit dhe nderi e krenaria e vendit. Pak nga ta edhe do të jenë të tillë, por është detyrë e jona si profesionistë të fushës dhe detyrë e juaj si udhëheqës shtetërorë e politikë që të ofrojmë gjithçka që duhet që të gjithë këta fëmijë e të rinj të Kosovës me potencial të jashtëzakonshëm intelektual të kenë mundësitë e duhura për t’u zhvilluar dhe pastaj për t’i kontribuuar zhvillimit të shoqërisë sonë dhe shoqërisë njerëzore në përgjithësi.

Andaj, përmes kësaj letre publike, u bëj thirrje të gjithë udhëheqësve të institucioneve shtetërore të të gjitha niveleve në Kosovë dhe të gjithë udhëheqësve të subjekteve politike parlamentare e jo-parlamentare në Kosovë që të ta përkrahin Institutin ATOMI në të gjitha format, në mënyrë që fëmijët dhe të rinjtë e Kosovës me potencial të jashtëzakonshëm intelektual të mos mbeten pa adresë për përkrahje.

Fëmijët dhe të rinjtë me potencial të jashtëzakonshëm intelektual në Kosovë janë amaneti i historisë dhe amaneti i të ardhmes. Po i injoruat siç keni bërë deri më tani, do ta keni mallkimin e të dyjave!”. /Telegrafi/