LAJMI I FUNDIT:

Instagram do të tërheq ‘home feed’ me ekran të plotë

Instagram do të tërheq ‘home feed’ me ekran të plotë

Kreu i Instagram-it Adam Mosseri, tha se platforma e rrjetit social do të duhet që të tërheq disa nga ndryshimet e fundit në aplikacion, ndryshime të cilat nxitën kritika të shumta nga përdoruesit e tyre. Mosseri i zbuloi këto të reja në një intervistë për TechCrunch.

Gjatë javëve të ardhshme, Instagram do të heqë nga përdorimi testimin i cili i ktheu faqet e përdoruesve në video me ekran të plotë, njëjtë si në TikTok, ku si prioritet ishte shfaqja e videove.


Kompania gjithashtu do ta ulë numrin e posteve të rekomanduara të cilat shfaqen tek përdoruesit, kjo si pjesë e planit të përmirësimit dhe ripërpunimit të algoritmeve të tyre, përcjell Telegrafi.

Mosseri bëri të ditur se shqetësimet e përdoruesve në lidhje me ndryshimet reflektuan në vetë të dhënat e brendshme të Instagram-it, dhe kjo është se pse kompania po planifikon që të tërhiqen dhe të mendojnë se si të lëvizin në të ardhmen.

Ndryshimet vijnë pasi që përdoruesit shprehën nervozen e tyre mbi kalimin gradual të kompanisë nga një aplikacion ku ata kryesisht mund të shihnin fotografi të familjarëve dhe miqve të tyre, në një aplikacion i cili është i mbushur me poste të rekomanduara dhe video në një përpjekje të futen në garë me TikTok.

Edhe gratë më të ndjekura në Instagram, Kylie Jenner dhe motra e saj Kim Kardashian, shprehën nervozen e tyre me ndryshimet e fundit nga Instagram, dhe ato e shpërndanë një peticion ku shkruhet “Ndaloni përpjekjet e juaja që të bëheni si TikTok unë vetëm dua që të shoh fotografi të bukura të miqve të mi”.

Këto lajme vijnë vetëm një ditë pasi që Drejtori Ekzekutiv i META, Mark Zuckerberg tha se rreth 15 për qind e përmbajtjes në Facebook shërbehet nga Inteligjenca Artificiale e META, dhe se ky numër është pak më i lartë në Instagram.

Zuckerberg tutje tha se kompania e tij pret që ky numër të dyfishohet deri në vitin tjetër. /Telegrafi/