LAJMI I FUNDIT:

Iniciativa e Auto Mita për të shpëtuar jetë me moton “Sa kushton jeta?”

Iniciativa e Auto Mita për të shpëtuar jetë me moton “Sa kushton jeta?”

Numri i lartë i aksidenteve në komunikacion duke përfunduar edhe me humbje jete, ka shtyrë kompaninë Auto Mita, të fillojë një iniciativë me moton “Sa kushton jeta?”.

Nisur nga fakti se statistikat edhe pse jo zyrtare tregojnë se mbi 70% e të vdekurve dhe të lënduarve rëndë në aksidente trafiku në Kosovë, ndodhin në vetura mbi 25 vite të vjetra. Këto të dhëna ishin arsyeja kryesore që Auto Mita të mendojë për një zgjidhje për të mirën e njerëzimit në Kosovë.


Konkretisht kjo iniciativë e Auto Mita ka për synim të ofrojë subvencion 2000 euro për çdo veturë më të vjetër se 20 vjet nëse ndërrohet me veturë të re, dhe për këtë lobon që të kenë mbështetje edhe nga institucionet e Republikës së Kosovës dhe auto sallonet tjera.

“Për të mos qëndruar duarkryq, me dëshirën ta shpëtojmë edhe një jetë të vetme, ne si Auto Mita zotohemi publikisht se jemi të gatshëm të ofrojmë 2000 Euro subvencion në qoftë se shteti ynë është në gjendje të subvencionoj njëjtë, për çdo veturë më të vjetër se 20 vjet, që ndërrohet me veturë të re, derisa vetura e vjetër do të shkatërrohet e riciklohet duke u hequr përfundimisht nga rrugët e vendit tonë”, shkruhet në postimin e Auto Mita në Linkedin.

Për ta fuqizuar akoma më shumë këtë iniciativë, përfaqësuesit e këtij auto-salloni janë zotuar se do ta përdornin autoritetin e tyre maksimalisht që t’i shtyjnë institucionet financiare të ofrojnë kushte më të mira të kredive, enkas për këtë iniciativë.