Influencuesi meksikan në TikTok, Casar Gastelum, u vra me armë zjarri gjatë një transmetimi të drejtpërdrejtë në këtë rrjet social. Vrasja ndodhi para një restoranti të ushqimit të shpejtë në qytetin Culiacán, ndërsa autorët u larguan me motoçikletë.

Gastelum po xhironte një video me dy miqtë e tij në lagjen Tres Ríos, kur dy persona me motoçikletë iu afruan. Njëri prej tyre nxori armën dhe e qëlloi influencuesin nga një distancë shumë e afërt, para syve të ndjekësve që po ndiqnin transmetimin live.


Gjatë transmetimit, Gastelum dhe miqtë e tij mbanin xhaketa dhe çanta portokalli të ndezura, të ngjashme me ato të punonjësve të shpërndarjes së ushqimit. Mediat lokale raportojnë se, për shkak të veshjes së tyre, policia fillimisht mendoi se viktima ishte një korrier, por më pas u njoftua për identitetin e tij të vërtetë.

Policia dhe ekipet e ekspertizës kriminalistike izoluan zonën dhe sekuestruan gëzhojat, si edhe pamjet nga kamerat e sigurisë, për të identifikuar autorët. Deri tani nuk është arrestuar askush dhe sulmuesit janë ende në arrati. Nuk dihet nëse Gastelum kishte marrë më parë kërcënime.

Influencuesi i vrarë kishte mbi 500 mijë ndjekës në TikTok, ku publikonte kryesisht video humoristike. Në Instagram ai shpesh ndante fotografi të stilit luksoz të jetesës, udhëtimeve, jetës së natës dhe makinave të shtrenjta.

Dyshime mbi motivin e vrasjes ngjall një postim i mëparshëm i tij, ku shihej pranë varrit të Leobardo Aispuro, i njohur si "El Gordo Peruci". Ky influencues u vra në dhjetor të vitit 2024 dhe policia e lidh atë vrasje me konfliktin mes dy fraksioneve rivale të kartelit famëkeq Sinaloa.

Ky nuk është rasti i parë kur influencuesit bëhen objekt sulmesh në Meksikë. Vitin e kaluar, opinioni publik u trondit edhe nga vrasja e Valeria Márquez, 23 vjeçe, e cila u vra në një sallon bukurie ndërsa po transmetonte drejtpërdrejt në TikTok. /Telegrafi/