LAJMI I FUNDIT:

Inflacioni në Kosovë – Abdixhiku, Kurtit: I dehur nga jeta prej pushtetari, nuk njeh rritjen e çmimeve

Inflacioni në Kosovë – Abdixhiku, Kurtit: I dehur nga jeta prej pushtetari, nuk njeh rritjen e çmimeve

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka reaguar sot rreth inflacionit në Kosovë, duke thënë se kryeministri Albin Kurti nuk e njeh realitetin.

Abdixhiku në një postim në Facebook, Kurtin e quaj popullist, ndërkaq theksoi se i dehur nga jeta prej pushtetari ai nuk njeh rritjen e çmimeve e vështirësitë e familjeve kosovare.


Lexoni të plotë postimin e kryetarit të LDK-së:

“Sepse në Evropë ‘nuk ka’ shpresë!

Popullisti Albin Kurti nuk e njeh më realitetin. I dehur nga jeta prej pushtetari, ai i ka krijuar vetes një Kosovë paralele ku gjërat s’mund të jenë keq kur ai vet është mirë. Prandaj ai sot nuk njeh rritjen e çmimeve e vështirësitë e familjeve kosovare.

Kosova është në krizë shumë më të thellë se çdo shtet evropian – e ne nuk kemi Qeveri që u del në krah qytetarëve të saj. As atëherë kur inflacioni arrin frikshëm në 14.1% e as atëherë kur propozimet e zgjidhjet i ka që nga marsi i këtij viti në tavolinë”.

Ndryshe, rritja e çmimeve për produktet bazike ushqimore në Kosovë nga qershori i vitit të kaluar është rritur 14.1 për qind, thuhet në raportin e ri të Agjencisë së Statistikave (ASK).

ASK-ja thekson se Indeksi i Harmonizuar për Çmimet e Konsumit (IHÇK) vetëm për muajin qershor 2022 është rritur 1.4 për qind, shkruan Telegrafi.

Sipas raportit “Indeksi i Harmonizuar Çmimeve të Konsumit, qershor 2022”, ngritja më e madhe e çmimeve vërehet te vajrat ushqimore me 53.8 për qind, ndjekur nga karburantet me 39.3 për qind dhe buka me 27.7 për qind. /Telegrafi/