Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, ka mbrojtur vendimin e institucionit më të lartë të futbollit botëror për t’i dhënë Çmimin e Paqes të FIFA-s ish-presidentit amerikan Donald Trump, duke theksuar rolin e tij në ndërmjetësimin e disa konflikteve ndërkombëtare.

Në një intervistë për Sky News, Infantino deklaroi se Trump ka pasur ndikim të drejtpërdrejtë në përpjekjet për paqe.


“Ai luajti një rol të rëndësishëm në zgjidhjen e konflikteve dhe shpëtoi mijëra jetë”, u shpreh presidenti i FIFA-s.

Donald Trump ishte fituesi i parë i këtij çmimi dhe e përshkroi vlerësimin si “një nga çmimet më të mëdha të jetës sime”.

Sipas FIFA-s, arsyeja kryesore për këtë vendim lidhet me rolin e Trump në një marrëveshje paqeje ndërmjet Republikës Demokratike të Kongos dhe Ruandës, si dhe në arritjen e një armëpushimi mes Izraelit dhe Palestinës.

Vendimi i FIFA-s ka nxitur reagime të shumta, veçanërisht në Shtetet e Bashkuara, ku disa zëra kanë hedhur idenë e bojkotimit të Kupës së Botës nga disa vende. Megjithatë, Infantino e ka kundërshtuar me vendosmëri një skenar të tillë.

“Mendoj se në botën tonë të përçarë dhe agresive, kemi nevojë për momente ku njerëzit mund të bashkohen dhe të ndajnë pasionin e tyre për futbollin”, theksoi ai.

Infantino shtoi gjithashtu se edhe politikania venezueliane Maria Corina Machado, e cila ka fituar Çmimin Nobel për Paqen, e mbështet vendimin e FIFA-s për dhënien e këtij çmimi Donald Trumpit. /Telegrafi/

telegrafi sport app