Nga: Adrian Horton / The Guardian
Përkthimi: Telegrafi.com

Robert Redford, i cili vdiq të martën në moshën 89-vjeçare, me të drejtë do të mbahet mend si një nga aktorët kryesorë më të mirë të Holivudit, si një yll i vërtetë filmi dhe aktor i sigurt në vetvete i cili, për të cituar nënën time dhe me siguri shumë të tjerë, ishte “shumë, shumë i pashëm”. Interpretimet e tij ikonike - në filmat Butch Cassidy and the Sundance Kid, All the President’s Men, The Way We Were, The Sting dhe të tjerë - lanë padyshim gjurmë të pashlyeshme në kinemanë amerikane. Por, ndoshta ai duhet të mbahet mend më shumë për punën e tij pas kamerës, si bamirësi më i madh i kinemasë së pavarur amerikane.


Përmes festivalit të filmit Sundance dhe institut të tij jofitimprurës, Redfordi vuri në dispozicion famën dhe fondet e tij për kinemanë e pavarur amerikane dhe krijoi atë që edhe sot është shtylla më e qëndrueshme dhe më e fortë e mbështetjes së saj. Ai u dha hapësirë kineastëve të pavarur dhe novatorë në një treg të vrullshëm, duke ndihmuar në nisjen - për breza me radhë - të karrierës së regjisorëve të vlerësuar nga kritika. Me Sundance-in Redford luajti rolin e mentorit, mbështetësit, kampionit të të vegjëlve dhe të guximshmëve - ai ishte nuni bujar i kinemasë së pavarur. Pikërisht përmes Sundance-it - më shumë sesa filmave të tij - Redfordi u bë, siç e përshkroi themeluesi i faqes The Black List, Franklin Leonard (në platformën X), “ndoshta figura më me ndikim në industrinë e filmit amerikan gjatë pesëdhjetë vjetëve të fundit”.

Redfordi themeloi në vitin 1981 Institutin Sundance - i emërtuar sipas personazhit të tij në filmin e vitit 1969 - si një mënyrë për të mbështetur zërat që rrezikonin të mbetnin jashtë sistemit të studiove të Holivudit. Misioni kishte të bënte me zhgënjimin e vërtetë - të aktorit 44-vjeçar të asaj kohe - me industrinë e filmit. “E nisëm këtë pa ndonjë pritshmëri”, i tha Redfordi kritikut Roger Ebert në vitin 1981, në një nga edicionet e hershme të festivalit të filmit. “Nuk kam asnjë ide se në çfarë do të shndërrohet kjo. Ajo që di është se është gjithnjë e më e vështirë të shpërndash siç duhet filmin në këtë vend, përveç nëse ka potencialin të fitojë miliona dollarë”. Si një eksperiment alternativ, Redfordi ftoi 10 skenaristë që të zhvillonin skenarët e tyre me buxhet të vogël në një kabinë në malet Uasaç të Jutahut, aty ku ylli i tërhequr nga vëmendja kishte blerë tokë dhe kishte ndërtuar shtëpinë e vet.

Instituti i vogël Sundance u bë festival i vogël pasi në vitin 1984 Redfordi bleu festivalin e filmit që ishte në krizë, Utah/US. Deri në vitin 1989, kur filmi Sex, Lies and Videotape i Steven Soderberghut pati premierën në atë që tashmë ishte kthyer në një ngjarje vjetore në janar në Park-Siti, festivali i filmit Sundance (siç u riemërtua në vitin 1991) përfaqësonte pararojën krijuese. Disa nga filmat më me ndikim dhe më të qëndrueshëm të viteve ‘90 të shekullit XX dolën nga ky festival - si Reservoir Dogs, Before Sunrise dhe The Blair Witch Project, si dhe dokumentarët Hoop Dreams dhe Paris Is Burning.

Festivali ka ndërtuar reputacionin e një kanali për talente të ndryshme; regjisorë të njohur si Quentin Tarantino, Richard Linklater, Chloé Zhao, Ava DuVernay, Ryan Coogler, Nicole Holofcener, David O. Russell, Darren Aronofsky, dyshja Daniels dhe Celine Song janë mbështetur në një moment të hershëm të karrierës së tyre nga Sundance-i. Në vitin 2022, Coda, me regji nga Sian Heder dhe me një buxhet prej 10 milionë dollarësh, u bë filmi i parë që debutoi në festival dhe fitoi çmimin Oscar për filmin më të mirë. “Coda erdhi në vëmendjen e të gjithëve falë Sundance”, shkroi në platformën X aktorja kryesore e filmit, Marlee Matlin. “Dhe, Sundance-i ndodhi falë Robert Redfordit”.

Krahas filmave të guximshëm artistikë dhe jashtë rrjedhës, festivali është kthyer edhe në destinacionin kryesor për dokumentarët që përballen me çështje të vështira. Bumi i transmetimeve me dokumentarë, në një farë mënyre, nisi në festivalin e vitit 2017, kur Netflix-i bleu Icarus-in - një film për skandalin rus me doping, që më pas fitoi çmimin Oscar, të parin për Netflix-in - atëherë për një shumë mbresëlënëse prej pesë milionë dollarësh. Për disa vjet me radhë pas kësaj, festivali u bë një treg tërheqës për dokumentarë - të mëdhenj e të vegjël. Yjet si Taylor Swift, Brooke Shields dhe Michael J. Fox debutuan me filmat për veten në Jutah; dokumentarët për figurat si Christopher Reeve, lideri opozitar rus Alexei Navalny dhe Hillary Clinton krijuan titujt ndërkombëtarë dhe u shitën për shuma gjithnjë e më të mëdha. Megjithëse tregu është sot më i vakët, festivali mbetet një inkubator për dokumentarë me rëndësi aktuale - këtë vit pati filma për ligjet “vija në rërë” [Stand-your-ground] në Floridë, burgjet e tmerrshme në Alabama dhe ndalimet e librave në shkollat amerikane - si dhe pretendentë për çmime. Dokumentarët e mbështetur nga instituti kanë fituar gjithsej 20 çmime Oscar; të gjithë këta, përveç njërit nga nominimet për dokumentarin më të mirë vitin e kaluar, debutuan në festival.

Duke qenë në qendër të vëmendjes, me këtë vijnë edhe personazhet e famshme dhe, me ta, turmat, sponsorët dhe influencerët. Duke filluar nga viti 2010, festivali është bërë edhe sinonim për të famshmit me rroba trendi të dimrit, radhë të gjata dhe lokale të përkohshme të markave të njohura, po aq sa edhe me filmin e pavarur. Pas viteve me sfida logjistike - për çfarë dikur tërhiqte vetëm disa qindra dashamirës të kinemasë, ndërsa sot sjell mbi 85 mijë vizitorë në çdo janar - festivali njoftoi më herët këtë vit se do të zhvendoset më 2027 në Bolder të Kolorados.

Megjithatë, instituti ka mbetur besnik ndaj misionit themelues të Redfordit. Sipas Sundance-it, më shumë se 11 mijë artistë, në fillim të karrierës, kanë marrë mbështetje - që nga themelimi - në formën e granteve, laboratorëve, programeve intensive, mentorimeve dhe bursave. Unë personalisht njoh kineastë dhe skenaristë që kanë aplikuar për laboratorin që është konsideruar si maja e mentorimit për fazën e hershme të karrierës - një shenjë miratimi dhe besimi. Dhe, që nga themelimi i programit për amerikanët autoktonë dhe komunitetet indigjene në vitin 1994, organizata jofitimprurëse ka mbetur një prej mbështetësve kryesor të talentit indigjen në film - një talent që për shumë kohë është injoruar nga Holivudi institucional. Grantet, laboratorët dhe komuniteti i këtij programi kanë ndihmuar në nisjen e karrierave të emrave si Chris Eyre (filmi i të cilit Smoke Signals pati premierën në vitin 1998), Sterlin Harjo dhe Taika Waititi të Reservation Dogs.

Në vitet e mëvonshme, Redfordi shpesh shprehte pakënaqësi për komercializimin e festivalit të cilit i kushtoi gati gjysmën e jetës; “Dua që marketingu gllabërues - markat e vodkës, njerëzit e çantave me dhurata dhe paris-hiltonat - të zhduken një herë e mirë”, i tha një gazetari gjatë festivalit të vitit 2012. Është e vërtetë që festivali nuk është më ai rebeli ikonoklastik që ishte dikur dhe se çdo vit prodhon disa filma imitues të Sundance-it - drama të lehta, me skenar të dobët, peizazhe të bukura dhe dritë natyrale. Por, ndikimi i Sundance-it - në kohë, në hapësirë, në mentorim, para dhe komunitet - është i paçmueshëm për peizazhin e kinemasë amerikane. Qëllimi i Redfordit, siç e tha në fjalimin e tij në Oscar-in e nderit të vitit 2002, ishte “të sigurohej që liria e shprehjes artistike të mbështetej dhe të mbetej gjallë”. Me 40 vjet udhëheqje në Sundance, Robert Redford ka bërë më shumë se shumica për ta siguruar këtë. /Telegrafi/