LAJMI I FUNDIT:

Imazhet ikonike të grave protestuese (Foto)

Imazhet ikonike të grave protestuese (Foto)

Më poshtë mund të shihni disa foto që shënojnë 100 vjet të protestës dhe mosbindjes femërore…


Fotografi suedez Hans Runesson, kapi këtë moment më 13 prill 1985. Imazhi është bërë në Vaxjo, gjatë demonstratave të neonazistëve të Partisë Nordike të Rajhut. Aty shihet 38-vjeçarja Danuta Danielsson, që godet një marshues me çantën e saj të dorës. Kalimtarja polako-suedeze, anëtarët e familjes të së cilës thuhet se ishin dërguar në një kamp nazist përqendrimi, reagoi në moment, shprehet Runesson. Sipas tij, mashkulli i goditur nuk bëri gjë, por vazhdoi marshin.

Fotoja e mësipërme ka një paralele me një ngjarje të vitit 2016, kur aktivistja sociale Tess Asplund u doli para protestuesve suedezë të Lëvizjes Nordike të Rezistencës. David Lagerlöf kapi momentin kur ajo u del para 300 nacionalistëve të uniformuar në Borlange.

Qëndron e palëkundur, para dy policëve në një protestë në Baton Rouge të Lousianas. Fotoja është shkrepur më 2016. Ky imazh i bërë nga Jonathan Bachman – kur Ieshia Evans arrestohet – është krahasuar me atë të Stuart Franklinit “Të njeriut tank” në Sheshin Tienanmen, apo me protestuesin kundër luftës së Vietnamit që vë lule në pushkën e policit. Nga shumëkush kjo foto shihet si simbol i rezistencës paqësore.

Fotoja është bërë para më shumë se një shekull, si një akt proteste që nuk përfundoi paqësisht. Emily Wilding Davison, që luftonte për të drejtën e grave për të votuar, vdiq kur i doli para kalit të mbretit, të quajtur Anmer, gjatë një gare në Derby Epsom më 1913. Analiza e fundit e pamjeve të kapura nga aparatet e gazetave, thonë se ajo u përpoq të lidhte shallin për frenat e kalit. Cilido qoftë qëllimi i saj, Davison cilësohet si martire dhe emblemë e emancipimit të gruas.

E shkrepur më 2016 nga Carlos Vera Mancilla, fotoja zbulon fuqinë vizuale të pozës individuale. Demonstratat kishin të bënin me 43-vjetorin e puçit që përmbyti presidentin Salvador Allende nga Augusto Pinocheti, më 11 shtator 1973. Imazhi pasqyron fuqinë e shikimit. Ngjarja ndodhi afër varrit të Allendes dhe Memorialit të të zhdukurve nga regjimi i Pinochetit. Emri i protestueses nuk dihet.

Kjo foto është bërë sivjet në Tegucigalpa të Hondurasit, ku protesta bëhet ndryshe: me shtrirje përtokë. Protestuesja ishte mbështetëse e kandidatit të mundur për president, Salvador Nasralla, ndërsa kundërshtonte rizgjedhjen e Juan Orlando Hernandezit.

Në shtator 1981, 36 gra e lidhën veten për një gardh në bazën ushtarake amerikane në Berkshire të Anglisë. Ato po protestonin kundër vendimit të Qeverisë britanike për të lejuar vendosjen e raketave bërthamore në Greenham Common. Në këtë vend u hap një kamp paqësor që qëndroi aty për 19 vjet. Më 1982 u vendos që kampi të përfshijë vetëm gratë, për të krijuar identitetin e nënave që protestojnë për të ardhmen e gjeneratave. Më 12 dhjetor 1982, 30 mijë gra u kapën përdore në një perimetër 9.7 kilometra përreth bazës, siç shihet në foto. Ndërkaq, në vit më vonë në protestë të pranishme ishin 50 mijë gra.

Fotoja tregon gratë që marshojnë në Shën Petersburg, më 8 Mars 1917. Data (23 shkurti sipas kalendarit të vjetër rus) shënoi Ditën Ndërkombëtare të Gruas, një ditë e rëndësishme në kalendarin socialist që shënon edhe ditën e parë të Revolucionit Rus. Derisa marshueset mbanin pankarta që kishin slogane patriotike, ato gjithashtu kërkuan ndryshime, si “Ushqeni fëmijët e mbrojtësve të atdheut” ose “Shtojini racionin e familjeve të ushtarëve, mbrojtësve të lirisë dhe paqes së popullit”. Të nesërmen bie statuja e Aleksandrit të III-të në Sheshin Znamenskaya, me çka kërkohet përmbysja e monarkisë. Një javë më vonë, Car Nikollai i II-të abdikon. Marshi i grave u bë revolucion. /Telegrafi/