Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD ka mbajtur një tryezë virtuale në të cilën është prezantuar raporti “Trajtimi i vrasjeve në Kosovë: Politika e ndjekjes dhe gjykimit në rastet e vrasjeve”, ndërsa u tha se detyra e shtetit në kuptim të mbrojtjes së jetës nuk përfundon me miratimin e ligjeve, por me mbrojtjen reale dhe aktive të jetës së secilit qytetar nga privimi i kundërligjshëm, qoftë ky privim nga institucionet apo qytetarët e tjera.

Hulumtuesja e IKD-së, Justina Frrokaj, deklaroi se si gjetje e këtij raporti është mungesa e profesionalizmit të organeve të drejtësisë në ndjekjen dhe gjykimin e rasteve të vrasjeve, duke shtuar se mungesa e profesionalizmit në trajtimin e këtyre rasteve lexohet edhe si mungesë e profesionalizmit në mbrojtjen e jetës, si të drejtën bazë, nga e cila të gjitha të drejtat e tjera marrin kuptim.

Sipas Frrokajt, gjatë monitorimit në rastet e vrasjeve, IKD ka gjetur se problematikë në trajtimin e këtyre rasteve është edhe mos kujdesi i duhur ndaj provave të cilat duhet të përdoren në një procedurë penale.

“Gjatë monitorimit janë hasur raste kur janë asgjësuar mjetet e kryerjes së veprave penale të vrasjeve gjë që ka pamundësuar edhe kryerjen e ekspertimeve të nevojshme në drejtim të zgjidhjes së rasteve”, ka shtuar Frrokaj.

Ndërsa hulumtuesja e IKD-së, Gzime Hashani, tha se nga ana e gjykatave nuk po zbatohet Udhëzuesi për Politikën Ndëshkimore i miratuar nga Gjykata Supreme e Kosovës.

Sipas saj, shkarjet nga politika e drejtë ndëshkimore në rastet e vrasjeve paraqesin pamundësinë e sistemit të drejtësisë për të parandaluar dukurinë e privimit të kundërligjshëm nga jeta të qytetarëve, për arsye se politika ndëshkimore jo adekuate nuk arrin qëllimet e dënimit, kryesoret nga të cilat janë parandalimi i shoqërisë dhe parandalimi i individit nga kryerja e veprave penale në të ardhmen.

Hashani tha se, bazuar në të dhënat e Policisë së Kosovës, nga viti 2000 e deri në janar të vitit 2021 kanë ndodhur gjithsej 1,406 vrasje, 961 prej të cilave u dihet autori, ndërsa 445 vrasje janë të pazbardhura. Sipas këtyre të dhënave, Hashani tha se është shqetësues fakti që rreth çdo e treta vrasje që nga ndodhur nga viti 2000 në Kosovë, nuk është e zbardhur.

Për shkak të këtyre problematikave në trajtimin e rasteve të vrasjeve dhe rrezikshmërisë së madhe të këtyre veprave penale, Hashani u shpreh se në mënyrë që të ngritët cilësia e hetimit dhe gjykimit të rasteve të vrasjeve, duhet të ndërmerren reforma organizative brenda sistemit prokurorial dhe gjyqësor.

Kjo reformë, sipas saj, konsiston në nevojën për krijimin e një trupe të veçantë prokuroriale dhe gjyqësore për trajtimin e veprave penale të vrasjeve.

Gjatë kësaj tryeze virtuale, prokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Armend Hamiti, deklaroi se raporti i publikuar nga IKD ndihmon të gjithë akterët e sistemit të drejtësisë, për të parë se ku janë gabimet në mënyrë që të përmirësohen dhe të kemi rezultate të mira.

“Në rast se bëhet ky divizion, atëherë hetuesit duhet të jenë sa më afër prokurorit, në mënyrë që të ketë rezultate sa më të mira. Në punën tonë kemi sfida tek këto raste sidomos kur dëmtohen provat në vendin e ngjarjes apo kur vrasja është kryer në mënyrë profesionale. Për prokurorinë është vështirë t’i identifikoj dhe që të merr të gjitha provat që i pandehuri të zbulohet dhe të përgjigjet para gjykatës”, tha Hamiti.

Siç thuhet në njoftimin e IKD-së, sa i përket vrasjeve që kanë ndodhur në qershor dhe korrik të vitit 1999, që janë me persona të panjohur, prokurori Hamiti tha se Prokuroria Speciale nuk ka pranuar t’i trajtoj këto raste si krime të luftës.

Gjatë kësaj tryeze virtuale, avokati Taulant Hodaj deklaroi se raporti ka evidentuar vështirësitë apo të metat për veprat penale të vrasjeve.

“Drejtë është evidentuar fakti se në krahasim me veprat e tjera penale, zakonisht vrasjet kanë prioritet dhe trajtohen më shpejtë si nga prokuroria dhe gjykata, por ka raste që kanë marrë shumë vite dhe kjo nuk është në përputhje me standardin e një gjykimi të drejtë dhe të shpejtë dhe rrjedhimisht shkelet të drejtat e të akuzuarit në një procedurë penale”, deklaroi Hodaj.

Hodaj shtoi se prokuroria duhet të ketë parasysh që sipas dispozitave ligjore të prezantoj rrethanat fajësuese dhe shfajësuese, e që nga praktika, sipas tij, prokurorisë nuk i interesojnë provat shfajësuese.

Sa i përket propozimit që të formohet një divizion i posaçëm për rastet e vrasjeve, avokati Hodaj tha se ekzistojnë disa departamente si në gjykatë ashtu edhe në prokurori dhe se nuk e di sa mund të jetë zgjidhje e drejtë krijimi i një divizioni të kësaj natyre. Sipas Hodajt, zgjidhja adekuate do të ishte sistemi efektiv i drejtësisë, prokurorët dhe akterët e tjerë të kenë më shumë profesionalizëm, mbështetje dhe njerëz profesional.

“Prokurori duhet të ketë ekipin e tij që të zbardhin rastet e vrasjeve, e që esenciale është që hetuesit duhet të jenë profesional, të jenë në bashkëpunim me prokurorinë dhe të mos jetë hallka e shkoqitur ndërmjet tyre në mënyrë që të eliminohet këto problematika që kanë ndodhë apo që janë evidentuar në raportin e IKD”, ka përfunduar Hodaj. /Telegrafi/