Inspektorati Policor i Kosovës ka rekomanduar suspendimin e dy zyrtarëve policorë pas një rasti me të shtëna me armë në fshatin Mramor të Komunës së Prishtinës.

Sipas njoftimit, rasti është raportuar më 27 prill 2026 nga Policia e Kosovës, pas informacioneve se në incident ishin të përfshirë zyrtarë policorë jashtë detyrës zyrtare.


“Personat e involvuar në këtë vepër penale janë zyrtarë policor, jashtë detyrës zyrtare, ndërsa vepra penale dyshohet se është kryer me armën zyrtare të policisë”, thuhet në njoftim.

IPK ka bërë të ditur se ka nisur menjëherë veprimet hetimore fillestare ndaj dy zyrtarëve nga Stacioni Policor “Veriu” në Prishtinë, në kuadër të Drejtorisë Rajonale të Policisë Prishtinë.

“IPK ka zhvilluar menjëherë veprime hetimore fillestare ndaj dy zyrtarëve policorë… dhe ka rekomanduar suspendimin e tyre”, thuhet më tej në komunikatë.

Dy zyrtarët dyshohen për veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”, ndërsa hetimet lidhur me rastin po vazhdojnë./Telegrafi/