Një person ka humbur jetën dhe tre të tjerë kanë mbetur të lënduar si pasojë e një përleshjeje që ka ndodhur mbrëmjen e së shtunës në Gjakovë.

Vlera Krasniqi, zëdhënëse e Policisë së Kosovës për Rajonin e Gjakovës ka njoftuar se rreth orës 21:30 ka pranuar informatën për një përleshje fizike në rrugën “Ali Ibra”.


Si pasojë e incidentit, katër persona kanë pësuar lëndime trupore dhe janë dërguar për trajtim mjekësor në Qendrën Emergjente të Spitalit Rajonal në Gjakovë.

Njëri prej tyre ka ndërruar jetë nga plagët e marra, të cilat dyshohet se janë shkaktuar me një mjet të mprehtë.

Sipas Policisë së Kosovës, në mesin e të lënduarve ndodhet edhe personi i dyshuar për rastin.

“Rreth orës 21:30 kemi pranuar informatën për një përleshje fizike në rrugën ‘Ali Ibra’ në Gjakovë. Si pasojë e këtij incidenti, katër persona kanë pësuar lëndime trupore dhe kanë pranuar trajtim mjekësor në Qendrën Emergjente të Spitalit Rajonal në Gjakovë. Njëri nga të lënduarit ka ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra, që dyshohet se janë shkaktuar nga një mjet i mprehtë. Ndër të lënduarit është edhe personi i dyshuar”, ka deklaruar tutje Krasniqi./Telegrafi/