LAJMI I FUNDIT:

Identiteti politik i “mitit të Evropës”

Identiteti politik i “mitit të Evropës”

Lulzim Hoxha

Pjesa dërrmuese e asaj çka sot quajmë “evropiane” në fakt është një konstrukt i ideve imperialiste të shekullit të nëntëmbëdhjetë (Nederveen Pieterse, 1991, Delanty, f.6). Pavarësisht se mund të heqim shumë paralele midis imperializmit dhe nacionalizmit, duhet theksuar se në fakt ishte i pari që krijoi kushtet e ekzistencës së të dytit. Për aq kohë sa fuqitë imperialiste Evropiane patën mundësi ta shihnin njëra-tjetrën si një grup me identitet politik të përbashkët kundër prapambetjes së popujve jo-evropianë, ky unitet kulturor që mishërohet në periudhën imperialiste njëkohësisht evidenton edhe ekzistencën e diferencave etnike, fetare, gjuhësore dhe më vonë edhe politike brenda vetë identitetit politik Evropian.


Vlen të theksohet se “ideja e Evropës” ka ardhur nga “lart” dhe jo nga “poshtë”. Ka qenë ideologjia e intelektualëve dhe e klasës politike. Si e tillë ka patur prirjen e të qenit një ideologji kundërrevolucionare e elitave dhe grupeve që pretendojnë të jenë përfaqësuesit e shoqërisë. Në gjuhën e tyre u kodifikua ideja e Evropës. Siç dihet, intelektualët luajnë një rol me rëndësi në farkëtimin dhe kodifikimin e identiteteve kolektive (Delanty: 1995).

Sikurse shkruan Gerard Delanty “ishte kolonializmi dhe pushtimet që unifikuan Evropën dhe jo paqja apo solidariteti. Është fakt se në historinë e Evropës çdo iniciativë për unifikimin e Kontinentit ka ndodhur pas një periudhe konfliktesh, luftërash dhe tensionesh të brendshme” (Delanty,1995, f. 7). Pjesa kryesore e të ashtuquajturit “unitet” i Evropës është formuar në lidhje me kufirin e saj lindor dhe ky unitet është bërë i mundur vetëm përmes homogjenizimit të dhunshëm. Ndryshe nga kufiri perëndimor i Evropës, i cili historikisht ka patur prirje ekspansioniste, kufiri lindor i Evropës kryesisht ka qenë një kufi mbrojtjeje. Ideja e Evropës thuhet se ka një vazhdimësi lineare që nga qytetërimi grek për të vazhduar më pas me Krishtërimin, iluminizmin, Perëndimin, ku në gjithsecilin prej këtyre elementeve presupozohet se do mund të gjenim pjesë të asaj çka sot quajmë “Evropë”.

Megjithatë, duhet thënë se për civilizimin e antikitetit ideja e Evropës ishte e parëndësishme dhe nuk konsiderohej si emri i një Kontinenti të tërë sikurse e përdorim në kohët e sotme. Përpara se të kthehej në një shprehje gjeografike, ideja e Evropës i përkiste nivelit mitik (Hay, 1957; Delanty, f. 17). Fundja edhe vetë nocioni “Evropë” nuk ishte një zbulim grek por Fenikas (Hay, 1980, Evrope Revisited). David Hay shkruan se ideja se “Evropa” ishte një nocion grek është një shpikje e mëvonshme e elitave intelektuale për të fabrikuar një traditë kulturore Evropiane, rrënjët e së cilës gjenden në antikitetin grek (Hay, po aty, f. 58).

Me sa duket kontinente të tilla si Evropa apo Azia nuk përbënin ndonjë rëndësi diferencuese për grekët e lashtë, për të cilët gjithçka që nuk ishte greke njihej me termin “barbare”. Kështu për shembull te libri “Politika”, Aristoteli shpjegon me imtësi diferencat midis grekëve, evropianëve dhe aziatikëve duke saktësuar se këto dy të fundit bënin pjesë te “barbarët”. Sipas tij, “barbarët janë me karakter më skllavërues se helenët, kurse popujt e Azisë janë më të prirur t’i nënshtrohen skllavërisë se sa evropianët” (Aristoteli, 1978, Rilindja, Prishtinë).

Ideja e veçantisë dhe autonomisë historike të Evropës nis të shfaqet përmes një kundërvënieje. Pushtimet islamike së bashku me pushtimet perse dhe barbare i dhanë krishterimit kuptimin e një identiteti Evropian, gjë që do të shërbente si një mjet i fuqishëm kundër popujve jo-evropianë. Me pranimin e besimit të Krishterë nga ana e fiseve veriore që nga frankët deri te vikingët, kërcënimi barbar ndaj krishterimit kishte marrë fund. Me integrimin e Evropës veriore në identitetin e Evropës së Krishterë, kësaj here kundërvënia që do t’i jepte kuptim idesë së Evropës ishte “tjetri” Oriental dhe “tjetri” Ballkanas (Fischer, 1957). Ideja e Evropës të njohur si “Perëndimi” do të merrte formë në periudhën e zbulimeve të mëdha të tokave të reja. Gjatë kësaj kohe, Evropa fiton autonomi nga ligjërimi i Krishterë dhe fillon të shoqërohet më së shumti me ligjërimin mbi progresin falë kontakteve të shpeshta me popullsitë indigjene të tokave të reja.

Në këtë periudhë ndodh ajo çka Delanty e quan “transformimi i Evropës nga një entitet gjeografik në një sistem vleror civilizimi”, (Delanty, 1995). Gjatë fushatës kolonizuese përtej Atlantikut u krijua një mit i ri, Miti Evropian i Perëndimit. Që nga kjo kohë, ky mit u përvetësua nga identiteti i vendeve të Amerikës Veriore, sidomos Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të cilat edhe në kohën tonë janë mbartës të idealit të një civilizimi perëndimor të pakufishëm. Sikurse na kujton Ferdinand Braudel “deri në shekullin e gjashtë kishte disa sisteme botërore, ndër të cilat sistemi Evropian ishte relativisht i parëndësishëm” (Braudel, 1979). Sistemi me rëndësinë më të madhe ishte ai “Oriental Perëndimor në shekullin e trembëdhjetë dhe të katërmbëdhjetë si dhe civilizimi mesdhetar në shekullin e gjashtëmbëdhjetë” (Abo-Lugnod, 1989). Kësisoj ka gjasa që pikëpamja e Marshall Hodgson sipas të cilit “Moderniteti Evropian ishte rezultat i veçimit nga disa kushte historike të përbashkëta ku qëndronte realiteti historik paramodern i Euro-Azisë” (Hodgson, 1962).

Nëse përgjatë mesjetës ideja e Evropës i referohej kryesisht diferencës së saj me islamin, në periudhën moderne imagjinata mbi të ndërtohej nëpërmjet fitores së civilizimit ndaj natyrës. Filozofët dhe teoricienët politikë evropianë të periudhës së iluminizmit e forcuan më tej këtë konceptim mbi dominimin e natyrës. Veçanërisht kontraktualistët (autorët që kanë shkruar mbi kontratën sociale) e shihnin Kontratën sociale si një shkëputje nga ajo çka ata e quanin “Gjendja e Natyrës” (Hobbes, 2000; Locke, 2000 dhe Rousseau, 1999).

Me fjalë të tjera, sipas tyre diferenca midis krijimit të shtetit dhe mungesës së tij mund të identifikohet në diferencën midis Kontratës sociale dhe gjendjes së natyrës. Thomas Hobbes shkruan se “në gjendjen e natyrës ekziston një frikë e përhershme dhe rrezik i vazhdueshëm vdekjeje nga dhuna dhe jeta e njeriut është e vetmuar, e varfër, e neveritshme, e vrazhdë dhe e shkurtër” (Hobbes, 2000). Sipas tij gjendja e natyrës është një gjendje që duhet tejkaluar sepse në këtë stad kemi të bëjmë me një “luftë të të gjithëve kundër të gjithëve” (Po aty). Gjatë rivalitetit të Evropës me Orientin, sikundër shkruan David Hay, “kemi të bëjmë me një shtim të përdorimit të emrit “Evropë” (Hay, 1957).

Kështu për shembull, Erasmi, i cili shpesh është quajtur “evropiani i parë” besonte se princat e Evropës duhet t’u jepnin fund grindjeve midis tyre në mënyrë që të formonin një front të unifikuar evropian për t’i bërë ballë Perandorisë Osmane”, (Tazbir, 1986). Në këtë moment kemi të bëjmë me transformimin e idesë së Evropës nga një sistem progresi në një sistem vlerash normative dhe humaniste. Me shprehjen e Erasmit mund të kuptojmë se gjatë kësaj periudhe Evropa kishte fituar një identitet të vetëdijshëm. Megjithatë duhet thënë se formimi i identitetit Evropian nuk ishte një fakt historikisht i determinuar. Ky identitet u krijua dhe mori formë kryesisht pas shekullit të katërmbëdhjetë si pasojë e shpeshtimit të kontakteve me popujt jo-evropianë, por mbi të gjitha me Perandorinë Osmane.

Një tjetër tipar që duhet theksuar mbi historinë e Evropës Perëndimore është se ajo kurrë nuk e ka patur atë nivel uniteti që ekzistonte në perandoritë e tjera jo-evropiane. Islami për shembull është një religjion uniteti, por ndryshe nga krishterimi – i cili përfaqësonte një unitet besimi shpirtëror – në Islam kemi të bëjmë me uniformizimin e të gjitha elementeve të tjera, si p.sh: ligji, tradita, familja etj. Me sa duket, shkalla e lartë e diversitetit ne Evropë erdhi si pasojë e pamundësisë se Kishës për t’i unifikuar të gjitha vendet e Evropës Perëndimore në një bllok të vetëm.

Diversiteti kulturor përbrenda krishterimit bëri të mundur që unitetin e kërkuar, Evropa ta gjente vetëm nëpërmjet pushtimeve të tokave të reja dhe armiqësinë me pushtuesit orientalë. Siç na kujton Braudel “Evropa është vetë diversiteti”, kësisoj luftërat e brendshme nuk i lejuan shtetet evropiane që të unifikoheshin dhe të formonin bazën për të krijuar një identitet të qëndrueshëm evropian. Ironikisht – shkruan Delanty – ndërkohë që përdorimi i emrit “Evropë” në shekujt e gjashtëmbëdhjetë dhe të shtatëmbëdhjetë erdhi duke u shtuar, kontinenti evropian ishte më i copëtuar se kurrë (Delanty, 1995). Nëse mund të flisnim për një unitet të Evropës, ky do të ishte një unitet kulturor sepse uniteti politik në Evropë nuk është realizuar ndonjëherë dhe ende vazhdon të mos ekzistojë.

Dëbimi i pakicave myslimane nga Spanja në shekullin e shtatëmbëdhjetë shënon një moment të dhe spastrimesh etnike u kthye në një element identifikues të modernitetit Evropian. Evropa nisi të etiketohet me emrin “Perëndim” vetëm pas rimarrjes së gadishullit Iberik. Deri në këtë moment, duke qenë se Spanja ishte nën sundimin mysliman, nuk konsiderohej si pjesë e “Perëndimit”. Përpara periudhës së zbulimit të tokave të reja, Oksidenti përkufizohej në referencë ndaj kufirit të tij lindor, pra si kundërvënie ndaj islamit. (Hale, 1993).

Përdorimi i letrës dhe krijimi i hartave të para i dha jetë Evropës si kontinent. Shqetësimi për përparimin e vazhdueshëm të osmanëve nga juglindja bëri që shtete të ndryshme Evropiane si Spanja, Anglia, Holanda dhe Franca të nisnin një fushatë pushtimi përtej Atlantikut. Nga autorë të ndryshëm thuhet se kjo strategji ishte e vetmja mënyrë për shpëtimin e Evropës asokohe (Lach, 1965 ; Delanty, 1995).

Gjatë kësaj periudhe, antagonizmi i vjetër midis Evropës dhe orientit i la vend një antagonizmi të ri midis Evropës dhe “botës përtej Atlantikut”. Kategori të reja diferencuese nisën të shfaqen duke sjellë krijimin e një ligjërimi të ri mbi “tjetrin”. Kështu për shembull kanibalizmi u bë një ndër stereotipat kryesorë mbi Botën jo-evropiane (Hulme, 1986). Zbulimi i Amerikës bëri që Evropa ta shtrinte identitetin e saj drejt një ekspansioni në perëndim dhe jo të ruante pozicionin e saj mbrojtës kundrejt sulmeve që i vinin nga juglindja. Në periudhën e modernitetit të hershëm synimi kryesor për ekspansionin e Evropës nuk ishte Islami por Amerika (Jennings, 1975).

Miti i krishterimit u transferua nga kufiri lindor për në perëndim, kurse në vend të islamikut të pafe u farkëtua imazhi ekzotik i “njeriut të egër” dhe “indigjenit”. Këtij imazhi të ri të tjetrit do t’i korrespondonte vetëdijesimi i Evropës si agjent civilizimi, imazh të cilin ende në ditët tona Evropa në pjesën më të madhe e ka ruajtur. Fundja siç thoshte me të drejtë Jean Baudrillard, “Amerika është version origjinal i modernitetit. Amerika iu bën bisht pyetjeve mbi origjinën dhe mbi të gjitha është një vend që nuk ka të shkuar” (Baudrillard, 1998, Verso, London). Në këtë drejtim Amerika u bë krijesa më autentike e modernitetit evropian duke mbartur në vete të gjitha tiparet themelore të këtij moderniteti, spastrimin e popullsive jo-evropiane, shkëputjen nga e shkuara si dhe homogjenitetin kulturor.

Të gjitha këto elemente e kthyen Amerikën në trofeun ndoshta më të rëndësishëm të modernitetit Evropian. Kësisoj mund të evidentojmë se zbulimi i tokave të reja prodhoi ndarje të reja brenda vetë idesë së Evropës. Qendra gravitacionale e identitetit evropian u spostua më në perëndim duke krijuar një shkëputje të saj nga ekonomia agrare e Evropës lindore. Kjo shkëputje nga Perandoritë e mëdha të Evropës Lindore, ekspansioni i saj si dhe revolucioni shkencor shënojnë njëkohësisht fillimin e modernitetit të vendeve të Evropës Perëndimore.

Në trend

Më shumë
Qytetari që ra viktimë e fajdeve rrëfen për

Qytetari që ra viktimë e fajdeve rrëfen për "hilet" e fajdexhinjve: Nga 10 mijë borxhi shkoi në 50 mijë euro

Sociale
Vetëm dy vende do të mbijetonin pas apokalipsit bërthamor - çka do t'i shpëtonte këto shtete

Vetëm dy vende do të mbijetonin pas apokalipsit bërthamor - çka do t'i shpëtonte këto shtete

Botë
Mos futja e Kosovës në agjendën e Komitetit të Ministrave të KiE, deputeti Schwabe: Gabim i rëndë i Qeverisë gjermane – KiE të mos diktohet nga Trump dhe Grenell

Mos futja e Kosovës në agjendën e Komitetit të Ministrave të KiE, deputeti Schwabe: Gabim i rëndë i Qeverisë gjermane – KiE të mos diktohet nga Trump dhe Grenell

Lajme
Miratohet lista zyrtare, qytetarët do t’i blejnë barnat me çmim të njëjtë në të gjithë Kosovën

Miratohet lista zyrtare, qytetarët do t’i blejnë barnat me çmim të njëjtë në të gjithë Kosovën

Shëndetësi
Stjuardesa mbeti e shtangur kur pa se çfarë fshihej në bagazhin e brendshëm të aeroplanit

Stjuardesa mbeti e shtangur kur pa se çfarë fshihej në bagazhin e brendshëm të aeroplanit

Fun
Izraeli gjen tre trupa të pajetë të pengjeve që i kishte rrëmbyer Hamasi

Izraeli gjen tre trupa të pajetë të pengjeve që i kishte rrëmbyer Hamasi

Azia
Kalo në kategori