LAJMI I FUNDIT:

Identifikimet e gabuara të viktimave të luftës përtërijnë dhimbjet e familjarëve

Identifikimet e gabuara të viktimave të luftës përtërijnë dhimbjet e familjarëve

Shumë familje në Kosovë po përjetojnë përtëritjen e dhimbjes dhe tronditjes kur kuptojnë se të afërmit e tyre të vrarë gjatë luftës ishin identifikuar gabimisht para se të varroseshin.

Prej më shumë se dy dekadash, që kur humbi babain dhe pesë vëllezërit në masakrën e Krushës së Vogël të Prizrenit, për Flurim Hajdarin po vazhdon saga e identifikimeve, varrimeve dhe zhvarrimeve.


Mesditën e 26 marsit 1999, babai i tij Halimi dhe pesë vëllezërit: Selajdini, Rasimi, Nazimi, Veseli dhe më i vogli, Murseli 12-vjeçar, u morën bashkë me 104 banorë të tjerë dhe u vranë e u dogjën në një shtëpi të fshatit. Që nga atëherë, pothuajse të gjithë patën më shumë se një funeral.

Në korrik 1999, vëllezërit e tij Selajdini, Nazimi dhe Rasimi ishin gjetur në një varrezë masive në fshatin Lubizhdë të Prizrenit. Flurimi tregon se kishte mundur lehtë t’i identifikojë ata.

“Trupat kanë qenë të paprishur në morg. Të tre vëllezërit e mi kanë pasur veç nga një plumb në kokë”, rrëfen Flurimi.

Një muaj më vonë, familjes i ishte kthyer vetëm trupi i Rasimit. Gati tetë vjet më vonë, në mars të vitit 2007, familjes i ishin kthyer eshtrat e Nazimit. Mbetjet mortore të Selajdinit iu kthyen në vitin 2009, ndërsa mbetjet e babait, Halimit, dhe të vëllait tjetër Murselit, ishin gjetur në vitin 2012. Nga ata ende mungon Veseli.

Në vitin 2015 ekipet e Mjekësisë Ligjore kishin ardhur në varreza dhe kishin nisur zhvarrosjet, edhe pse përveç Rasimit të gjithë të tjerët ishin identifikuar me metodën e ADN-së dhe familja besonte se kjo ishte çështje e mbyllur.

Flurimi tregon se familja as që ishte njoftuar se zhvarrimi po bëhej për shkak të gabimeve.

“Kur shkova në varreza, policia nuk më lanë të afrohem. Edhe pse kisha dokumentet e ADN-së. Policia më kërcënonte me arrestim. Pastaj m’i morën dokumentet e lëshuara nga UNMIK-u dhe më dhanë disa të tjera me vulë të EULEX-it. Ishte absurde”, tha Hajdari.

Si Flurimi, shumë familje të tjera në Kosovë po vazhdojnë të përjetojnë përtëritjen e dhimbjes dhe tronditjes kur kuptojnë se të afërmit e tyre të vrarë gjatë luftës janë identifikuar gabimisht, madje edhe në rastet kur mbetjet janë identifikuar përmes analizës së ADN-së.

Zemërim dhe mosbesim

Rihapja e varreve ka ngjallur zemërim dhe ka rritur mosbesimin. Zhvarrimet ishin bërë në kërkim të identifikimit të vëllait tjetër, Veselit, që ende është i pagjetur. Tre muaj pas kësaj rihapjeje, nga të njëjtat mbetje në dy varret e Selajdinit dhe Rasimit ishin identifikuar edhe 6 persona të tjerë të vrarë në masakrën e Krushës së Vogël.

Si rezultat i varrosjes së të vrarëve duke i identifikuar përmes rrobave apo sendeve të tjera, shkalla e identifikimeve të gabuara besohet të jetë 15 deri në 20%.

Kreu i Institutit të Mjekësisë Ligjore të Kosovës, Arsim Gërxhaliu, ka thënë se gabimet në identifikim kanë ndodhur kryesisht nga viti 1999 e deri në vitin 2002, kur mbi 6,000 të vrarë janë varrosur duke u identifikuar me metoda klasike dhe jo me analizë të ADN-së.

“Testet e bëra deri tani kanë treguar se niveli i identifikimeve të gabuara është goxha i lartë. Është një sfidë e madhe para nesh, për të cilën na duhet një zgjidhje”,  ka thënë Gërxhaliu.

Mes viteve 1999 dhe 2001, ekipet e Tribunalit Ndërkombëtar Penal për ish-Jugosllavinë, hulumtuan më shumë se 150 varreza masive dhe zhvarrosën mbetjet mortore të 4,019 personave në kërkim të provave për aktakuzat për krime lufte.

Në të njëjtën kohë, familjet e viktimave varrosën vetë rreth 2,000 persona të tjerë, duke i identifikuar përmes rrobave, pra pa analiza të ADN-së. Kjo vazhdoi deri në vitin 2003, kur Komisioni Ndërkombëtar për Persona të Pagjetur (ICMP), një organizatë ndërqeveritare me seli në Hagë, nënshkroi një marrëveshje me misionin e OKB-së në Kosovë (UNMIK) për përdorim të ADN-së si linjë e parë e identifikimit. Prej atëherë, ICMP-ja ka identifikuar me metodën e AND-së mbi 2,540 viktima që ishin vrarë e zhdukur.

Por mbetjet e 400 personave në morgun e Prishtinës nuk po përputhen me asnjë nga mostrat e gjakut të familjarëve të personave të zhdukur.

Duhen mbi 20,000 mostra gjaku për të korrigjuar gabimet

ICMP-ja i ka propozuar Qeverisë së Kosovës dhe familjeve të personave të pagjetur që ta shqyrtojnë mundësinë e mbledhjes së mostrave të gjakut nga anëtarët e familjeve, të afërmit e të cilëve janë varrosur pa u identifikuar përmes ADN-së. Sipas ICMP-së, kjo do të zbulonte keq identifikimet që ndodhën para procesit të identifikimeve me ADN dhe mund të ndihmojë në identifikimin e disa prej mbetjeve mortore të paidentifikuara në morgun e Prishtinës.

Korrigjimi i gabimeve të mundshme do të thotë se nga të afërmit e viktimave duhen marrë mbi 20,000 mostra gjaku.

Sipas Njësisë për Persona të Zhdukur të Misionit të BE-së për Sundim të Ligjit (EULEX) “rastet e gabimeve në identifikim paraqesin deri në 16 për qind të të gjithë personave të zhdukur deri më tani”, një vlerësim që tregon se gabimet që ndodhën në vitet 1999 dhe 2002 vazhdojnë të ndikojnë në procesin e kërkimit për 1,653 të zhdukur.

Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur ka përsëritur se rastet do të trajtohen hap pas hapi dhe në këtë proces kompleks nevojitet bashkëpunimi i familjeve.

Kosova po përballet gjithashtu me mungesë të ekspertëve për zhvarrosje, sidomos në arkeologji mjeko-ligjore.

Paneli Këshillues për të Drejtat e Njeriut i OKB-së (HRAP) në një raport të vitit 2017, gjeti se “hetimet e UNMIK-ut për zhdukjet dështuan ta arrijnë standardin minimal të një hetimi efektiv siç kërkohet nga standardet ndërkombëtare dhe evropiane për të drejtat e njeriut”.

Rreth 2,000 dosje të rasteve të personave të zhdukur të klasifikuara si krime lufte dhe krime kundër njerëzimit janë aktualisht në duart e Prokurorisë Speciale të Kosovës.

Megjithatë, gabimet në identifikim në rastet si ky i familjes Hajdari nga Krusha e Vogël kanë bërë që të afërmit e viktimave të dyshojnë nëse kanë varrosur vërtetë mbetjet e të afërmve të tyre.

“Njëherë thanë se është Selajdini, pastaj nuk është Rasimi po Nazimi. Për ne besimi ka humbur. Nuk jemi të sigurt më nëse i kemi varrosur familjarët tanë”, thotë Flurimi. /Mergime Taraku & Suada Qorraj/

 Ky shkrim është produkt i trajnimit online për raportim gazetaresk në fushën e Ballafaqimit me të Kaluarën (BmK) /Gazetaria e sensibilizuar për konflikte, implementuar nga forumZFD-Programi në Kosovë. Pikëpamjet e shprehura në këtë shkrim janë përgjegjësi e autorit dhe ato në asnjë mënyrë nuk pasqyrojnë pikëpamjet e forumZFD.

Në trend Lajme

Më shumë
Komiteti i KiE-së ia rrëzon amendamentet Serbisë që anëtarësimi i Kosovës të lidhet me Asociacionin

Komiteti i KiE-së ia rrëzon amendamentet Serbisë që anëtarësimi i Kosovës të lidhet me Asociacionin

Lajme
Specialja shenjëstron tre raste të reja - të përfshirë 30 persona, konfiskon mijëra euro, vetura e telefona

Specialja shenjëstron tre raste të reja - të përfshirë 30 persona, konfiskon mijëra euro, vetura e telefona

Drejtësi
“Pasnesër do t'i mbushte 43 vjet, ai që e deshi shumë ia mori jetën” – familjarja tregon për raportin që kishte me bashkëshortin e ndjera që u vra sot në Pejë

“Pasnesër do t'i mbushte 43 vjet, ai që e deshi shumë ia mori jetën” – familjarja tregon për raportin që kishte me bashkëshortin e ndjera që u vra sot në Pejë

Lajme
Benjamina Kariq: Për herë të parë, zyrtarisht vendosen lidhjet mes Sarajevës dhe Prishtinës

Benjamina Kariq: Për herë të parë, zyrtarisht vendosen lidhjet mes Sarajevës dhe Prishtinës

Politikë
Sondazhi i IRI: Kosova e sheh Serbinë si kërcënim, ndërsa Serbia i konsideron SHBA-të

Sondazhi i IRI: Kosova e sheh Serbinë si kërcënim, ndërsa Serbia i konsideron SHBA-të

Lajme
Vrasjet e grave, Osmani e shpallë të mërkurën ditë zie shtetërore

Vrasjet e grave, Osmani e shpallë të mërkurën ditë zie shtetërore

Lajme
Kalo në kategori