LAJMI I FUNDIT:

Ibrahimi: Shqetësimi kryesor i kryetarëve të komunave është rimëkëmbja ekonomike

Ibrahimi: Shqetësimi kryesor i kryetarëve të komunave është rimëkëmbja ekonomike

Drejtori Ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi gjatë intervistës për emisionin “Përballje ditore”, me kryeredaktorin e Telegrafi.com, Muhamet Hajrullahu, tha se shqetësimi i kryetarëve të komunave është rimëkëmbja e ekonomisë.

Ibrahimi tha se kanë bërë presion te niveli qendror në mënyrë që të hapet më shpejt sektori i gastronomisë.


“Javën e kaluar Asociacioni i Komunave të Kosovës, ka bërë presion te niveli qendror, që masat të cilat të ishin të parapara për fazën e dytë, sidomos në sektorin e gastronomisë të shkurtohen dhe bizneset të fillojnë të marrin frymë, sepse ka qenë i bllokuar pothuajse për tre muaj dhe humbjet kanë qenë marramendëse dhe të gjitha këto humbje kanë qenë të lajmëruara në nivelin lokal dhe në veçanti nga gastronomia. Shqetësimi kryesor i kryetarëve të komunave ka qenë zhvillimi ekonomik, hapja e bizneseve, sepse punësimi i të rinjve më së shumti në sektorin e gastronomisë, ka qenë kërkesë e komunave që t’i kthehemi normalitetit, mirëpo gjithmonë duke bërë thirrje që të respektohen masat e mbrojtjes”, tha Ibrahimi.

Drejtori Ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi gjatë intervistës në Telegrafi.com

Ibrahimi tha se kryetarët e komunave kanë bërë apel që të respektohen masat, por që sipas tij, tashmë kjo varet edhe nga vet qytetarët, pasi ata tashmë janë të vetëdijshëm për rrezikun.

“Gjatë këtyre tre muajve, të gjithë kryetarët e komunave të Kosovës, kanë bërë apel që ky është rreziku, të mbahet distanca, të mbahen dorëzat, e maskat. Mirëpo, tani është edhe vetëdija qytetare për tu mbrojtur, pasi që të gjithë ata janë të vetëdijshëm tashmë për rrezikun”, tha Ibrahimi. /Telegrafi/