Hynë me forcë në shkollën “Iliria” në Suharekë, mungojnë dy laptopë

Persona të panjohur dyshohet se kanë hyrë me forcë në shkollën fillore “Iliria” në fshatin Savrovë të Suharekës, ku dyshohet se kanë qëndruar për disa orë brenda një klase.
Drejtori i Arsimit në Suharekë, Remzi Bajselmani, ka thënë për KosovaPress se fillimisht ishte raportuar se nuk kishte dëmtime të mëdha në objekt.
“Kurgjë s’kanë bërë dëm. Veç që kanë hyrë edhe kanë qëndruar pak aty, dritarja ka qenë hapur, por kurgjë s’kanë demoluar”, ka deklaruar Bajselmani.
Ndërkohë, drejtori i shkollës, Xhemajl Zenelaj, ka treguar se rasti ka ndodhur dje në mëngjes dhe se personat e dyshuar kanë hyrë në objekt përmes një dritareje të hapur.
“Po dje, dje në mëngjes kemi shkuar në shkollë aty nga ora 07:20 dhe kanë hyrë për dritare prej anës së brendshme, e kanë çelur shkollën... Edhe kanë hyrë në një klasë, kanë ndenjur aty ndoshta ndonjë 2-3 orë a 4 orë aty në klasë”, ka thënë Zenelaj.
Sipas tij, nga shkolla mungojnë dy laptopë, ndërsa janë dëmtuar edhe dollapët e klasave dhe një dritare.
“Po mungojnë dy laptopë dhe janë dëmtuar dollapët e klasëve... Edhe dritarja që është thyer, tjetër gjë s’po vërehet”, ka deklaruar drejtori i shkollës.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, ka konfirmuar se rasti është duke u hetuar.
“Policia ka nisur hetimet, është duke u marrë me rastin dhe po heton se kush janë të dyshuarit”, ka thënë Bytyqi.
Sipas drejtuesve të shkollës, “Iliria” në Savrovë nuk është përballur më herët me raste të ngjashme. /Kosovapress/









































