Parlamenti hungarez të martën zgjodhi Andras Bakën, ish-presidentin e Gjykatës së Lartë, si presidentin e ri të vendit.

Ky është një hap simbolik në përpjekjen e kryeministrit Peter Magyar për të çmontuar bazat e pushtetit të ngritura nga ish-kryeministri Viktor Orban.


Baka u zgjodh në këtë post kryesisht ceremonial me votat e partisë qeverisëse të qendrës së djathtë, TISZA. Deputetët e opozitës, Fidesz, nuk morën pjesë në votim.

Presidenti i mëparshëm i Hungarisë ishte Tamas Sulyok. Ai mori detyrën më 5 mars 2024, pas dorëheqjes së Katalin Novak, dhe qëndroi në post deri më 20 korrik të këtij viti, shkruan Reuters.

Sulyok ishte jurist dhe gjyqtar, si dhe president i Gjykatës Kushtetuese të Hungarisë, përpara se të bëhej kreu i shtetit. Ai konsiderohej politikisht i afërt me sistemin e Orbanit, ndaj largimi i tij paraqitet nga qeveria e re e Peter Magyarit si një nga ndryshimet që shënojnë shkëputjen nga epoka e mëparshme.

Presidenti i ri, Baka, është ish-president i Gjykatës së Lartë të Hungarisë dhe u shkarkua nga kjo detyrë në vitin 2011 me vendim të qeverisë së Orbanit.

Më vonë, ai fitoi një proces kundër Hungarisë në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut lidhur me përfundimin e parakohshëm të mandatit të tij.

Para angazhimit në Gjykatën e Lartë, Baka shërbeu për 17 vjet si gjyqtar në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, nga viti 1991 deri më 2008. Para kësaj, ai kishte qenë edhe deputet në Parlamentin hungarez. /Telegrafi/