LAJMI I FUNDIT:

Humbjet e Trustit për vitin 2018 më të larta që nga kriza ekonomike botërore 2008-2009

Humbjet e Trustit për vitin 2018 më të larta që nga kriza ekonomike botërore 2008-2009

Drejtues të Bordit të Fondit të Kursimeve Pensionale të mërkurën kanë raportuar në Komisionin për Buxhet dhe Financa lidhur me zhvillimet e fundit në tregjet financiare sa i përket mjeteve pensionale.

Në hyrje të takimit, kryetari i komisionit, Lumir Abdixhiku, tha se rënia e të hyrave në Trust ka qenë 5.3 për qind dhe cilësohet si njëra ndër rëniet më të mëdha që kanë ndodhur që nga kriza ekonomike dhe financiare botërore e viteve 2008-2009.


“Trusti ka 1.7 miliard euro në menaxhim dhe të investuara në tregje financiare, rënia e tyre prej 5.3 për qind është rënia më e madhe që nga kriza e vitit 2008-2009. Trusti dhe institucionet tona kanë obligim të përcjellin zhvillimet dhe të parashikojnë zhvillimet e ardhshme të marrin hapa që të parandalohen rëniet e tilla”, tha Abdixhiku.

Kryetari i Bordit të Trustit, Ruzhdi Morina, tha se ky institucion ka pasur performancë negative rreth 35 milionë euro dhe sipas tij qytetarët e Kosovës duhet të ndihen të qetë pasi që nuk ka nevojë për shqetësim.

“Qytetarët duhet të jenë të qetë sepse situata është në kontroll nuk ka nevojë panik. Trusti bën investime të kursimeve pensionale në parimet e përcaktuara me ligj, sigurojmë kthim nga këto investime. Investimet që kanë ardhur në 2018-ën janë investuar në Kosovë dhe këtu ka ndikuar që protokolli i investimeve të rritet 20 për qind”, u shpreh Morina.

Nga humbjet e Trustit janë prekur të gjitha llogaritë e kursimeve pensionale (Video)
Lexo po ashtu Nga humbjet e Trustit janë prekur të gjitha llogaritë e kursimeve pensionale (Video)

Drejtori i Trustit, Adrian Zalli, tha se në kthimin e investimeve ndikojnë edhe valutat që vendi ynë ka me euron.

“Kthimi i tyre bëhet në valutë të tyre që ka diferencë nga euro. Kroacia kur ka hy në Evropë është dashur me heq ligjin që e obligon të investojë në fondet e BE-së, në atë rast kthimi i tyre ka rënë shumë”, tha Zalli.

Drejtori i Trustit, Adrian Zalli nuk do të jetë më njeriu më i paguar në Kosovë (Video)
Lexo po ashtu Drejtori i Trustit, Adrian Zalli nuk do të jetë më njeriu më i paguar në Kosovë (Video)

Zëvendësguvernatori i BQK-së, Sokol Havolli, tha se të gjithë operatorët në tregun e pensioneve kanë pasur performancë negative.

“BQK në baza të rregullta vjetore zhvillon ekzaminime të përgjithshme të operatorëve të pensioneve dhe konstatimi im është që gjithë operatorët në tregun e pensioneve kanë pasur performancë negative. Synimi ynë është që bashkë me komisionin dhe Trust të avancojmë strategjitë investive në krijimin e portofolave të ndryshëm, të ruhen grupmoshat e pensionimit“, tha Havolli.

Kuvendi i Kosovës debaton për pagat e menaxhmentit të Trust-it
Lexo po ashtu Kuvendi i Kosovës debaton për pagat e menaxhmentit të Trust-it

Komisioni për Buxhet dhe Financa mbeti të shqyrtoj edhe një herë raportin plotësues me amendamente të Komisionit funksional për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis dhe Planifikim Hapësinor, Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Rregullimin e Shërbimeve të Ujit. /Telegrafi/