LAJMI I FUNDIT:

Hoxhaj: Shërbimi diplomatik në shërbim të bizneseve prodhuese të Kosovës

Hoxhaj: Shërbimi diplomatik në shërbim të bizneseve prodhuese të Kosovës

Nën patronatin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës dhe në bashkëpunim me Klubin e Prodhuesve të Kosovës, sot në Prishtinë ka filluar punimet konferenca dy ditore “Diplomacia ekonomike & Made in Kosova”.

Me këtë rast ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj ka theksuar se shërbimi i jashtëm i MPJ-së, është në dispozicion të të gjitha bizneseve të interesuara për t’i promovuar dhe shitur produktet e tyre jashtë Kosovës.

Hoxhaj ka shtuar se Ministria e Punëve të Jashtme është e interesuar të ju shërbej interesave të brendshme dhe me këtë rast ka përmendur edhe ligjin për investime strategjike duke theksuar se interes i Kosovës është promovimi dhe vënia në tregun e jashtëm e produkteve vendore.

“Në 35 misionet tona diplomatike nëpër botë e kemi diplomatë, të cilët përshkrim të punës e kanë promovimin dhe lehtësimin e shitjes së produkteve tona jashtë vendit. Unë dua t’ju inkurajoj të gjithëve që të drejtoheni tek atashetë por edhe tek vetë ambasadorët e pranishëm që t’u tregoni se çfarë mund t’ju ndihmojnë ata në lidhje me promovimin dhe eksportimin e produkteve vendore”, ka thënë Hoxhaj.

Përfaqësueseve të biznesit iu është drejtuar edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli i cili ka vlerësuar se zhvillimi ekonomik, pa asnjë diskutim, është faktori numër një prej të cilit varen të gjitha proceset tjera në vend. “Pa një rritje të fuqishme ekonomike, nuk do të mund të kemi rritje të treguesve të tjerë pozitiv të shtetit dhe shoqërisë.

Veseli ka thënë se Kosova synon një ekonomi të konsoliduar të tregut të lirë, ndërkohë ka theksuar se kërkohet një ambienti i favorshëm për potencialin zhvillimor të sektorit privat.

Nga ana tjetër, zëvendëskryeministri, Ramiz Kelmendi ka folur për kapacitetet ekonomike të Kosovës dhe politikave fiskale. “Politikat fiskale të bëra në këtë mandat qeverisës po japin rezultat dhe atë në sferën e prodhimit, kanë përfunduar përgatitjet e pakos fiskale 2”, ka deklaruar Kelmendi.

Ndërkohë, kryetari i klubit të prodhuesve të Kosovës, Astrit Shabani ka folur për rolin e prodhuesve vendorë dhe kapacitetet e tyre. “Secila nga këto kompani vendore është duke kontribuar në ekonomi”, ka thënë Shabani.

Sipas tij, prodhuesit vendorë kanë një treg eksport në mbi 30 vende të ndryshme të botës. Ndër prioritetet e klubit të prodhuesve, Shabani e ka përmendur edhe nevojën e më tejshme për vetëdijesimin e konsumatorëve vendorë.

Konferenca do t’i vazhdoj punimet edhe nesër ku gjatë ditës do të realizohen vizita në fabrikat e prodhuesve vendorë. /Telegrafi/