Hoxhaj dënon rikthimin e Rusisë në Këshill të Evropës


Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka reaguar ashpër pas rikthimit të Rusisë në Këshillin e Evropës, pasi që e njëjta ishte përjashtuar pasi kishte aneksuar Ukrainën pesë vite më parë.
Hoxhaj në një postim në llogarinë e tij në Twitter, ka shkruar se vendimi i sotëm i Këshillit të Evropës përbën dështim të këtij institucioni dhe rikthim në politikat e këqija të jashtme.
Sipas zëvendëskryeministrit të Kosovës, rikthimi i ulëses për Rusinë në Këshillin e Evropës shkel principet fundamentale, vlerat dhe misionin e organizatës.
“Këshilli i Evropës duhet të jetë mburojë e të drejtave të njeriut dhe mbështetës i demokracisë. Turp”, ka përfunduar Hoxhaj në postimin e tij.
Ndryshe për kthimin e Rusisë votuan 118 delegatë, kundër ishin 62, ndërsa dhjetë abstenuan, përcjell rel.
Këshilli i Evropës është organi kryesor i të drejtave të njeriut në kontinent.
Në vitin 2014, Rusisë iu hoq e drejta e votimit në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, si ndëshkim për aneksimin e gadishullit ukrainas të Krimesë.
Rusia u përgjigj në vitin 2016 me bojkotimin e Asamblesë, ndërsa nga viti 2017 refuzoi të paguajë kontributin e saj vjetor prej 33 milionë eurosh në Këshill.
Rusia kërcënoi se do ta linte tërësisht Këshillin e Evropës nëse delegacioni i saj nuk kthehet dhe nuk voton, këtë javë, për sekretarin e ri të përgjithshëm./Telegrafi/







































