Kryeministri Avdullah Hoti, në kuadër të angazhimeve për ndriçimin e fatit të të pagjeturve, ka pritur sot në takim ekipin e ekspertëve nga Instituti i Mjekësisë Ligjore të Kosovës, i cili ishte i angazhuar në gërmimet vlerësuese gjatë javëve të fundit në varrezën masive në Kizhevak të Rashkës në Serbi.

Hoti falënderoi ekipin e ekspertëve për angazhimin e tyre në ndriçimin e fatit të të pagjeturve gjatë gërmimeve në lokacione të ndryshme në Serbi, por edhe brenda territorit të Kosovës, duke thënë se ndriçimi i fatit të të pagjeturve është prioritet i punës së Qeverisë dhe njëra ndër temat kryesore në dialogun me Serbinë.

Ai ofroi gjithashtu mbështetjen e pa rezervë të Qeverisë për punën e ekspertëve mjeko-ligjorë dhe Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, mbi të cilët bie e gjithë barra për ndriçimin e fatit të të pagjeturve nga lufta e fundit në Kosovë.