LAJMI I FUNDIT:

Hoti takohet me Sekretarin e Shtetit të Vatikanit, flasin për liberalizimin e vizave dhe procesin e dialogut

Hoti takohet me Sekretarin e Shtetit të Vatikanit, flasin për liberalizimin e vizave dhe procesin e dialogut

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti,  gjatë vizitës zyrtare në Vatikan është pritur në takim nga Sekretari i Shtetit të Vatikanit, Kardinali Pietro Parolin me të cilin ka diakutuar për dialogun Kosovë-Serbi, për liberalizimin e vizave dhe mos-njohjen e shtetit të Kosovës nga pesë vendet anëtare të Bashkimit Evropian.

Hoti ka falënderuar, Kardinalin Parolin, që Selia e Shenjtë ka mbështetur popullin e Kosovës, duke kontribuar për paqen e qëndrueshme në rajonin e Ballkanit Perëndimor.


Sipas komunikatës për medie Hoti, e ka njoftuar Kardinalin Parolin me rrjedhën e  procesit të dialogut me Serbinë dhe me të drejtat të cilat i gëzojnë serbët e Kosovës në të gjitha nivelet.

Në këtë takim është biseduar edhe për liberalizimin e vizave dhe lëvizjen e  lirë të qytetarëve, mallrave, shërbimeve dhe të kapitalit, duke nënvizuar përkushtimin institucional për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin.

“Ndër temat boshte të takimit ka qenë edhe mosnjohja e Republikës së Kosovës nga pesë vendet anëtare të Bashkimit Evropian. Kryeministri Hoti, ka kërkuar që BE-ja ta trajtojë Kosovën si të barabartë në mesin e të barabartëve, gjë që do përbënte një kthesë pozitive në dobi të stabilitetit të qëndrueshëm, sigurisë dhe zhvillimit ekonomik afatgjatë të rajonit”, thuhet në komunikatë.

Kryeministri Hoti, me Sekretarin e Shtetit të Vatikanit, Kardinalin Parolin, ka biseduar edhe për mundësinë e thellimit të bashkëpunimit dhe të komunikimit përmes marrëveshjeve të mirëkuptimit, që do të rezultonte me njohje të vlefshme të sistemit të vlerave të përbashkëta të të dyja vendeve. /Telegrafi/