LAJMI I FUNDIT:

Hoti: Po punojmë në fuqizimin ekonomik të grave për të parandaluar dhunën ndaj tyre

Hoti: Po punojmë në fuqizimin ekonomik të grave për të parandaluar dhunën ndaj tyre

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka thënë se po punojnë në fuqizimin ekonomik të grave dhe vajzave si masë parandaluese për eliminimin e dhunës ndaj tyre.

Në konferencën online të nivelit të lartë për Konventën e Stambollit, nga Këshilli i Evropës dhe misioni i OSBE-së, kreu i qeverisë tha se vendi ka avancuar në përfshirjen e konventave ndërkombëtare në legjislacionin dhe Kushtetutën e Kosovës.

Me këtë rast ai theksoi se dhuna në familje dhe dhuna në baza gjinore është shkelje e drejtpërdrejtë e të drejtave të njeriut.

“Fuqizimi ekonomik i grave dhe vajzave është masë parandaluese e cila i largon ato nga cikli i dhunës dhe në të njëjtën kohë mbron jetën, dhe synimi jonë është që të mbrojmë jetën dhe dinjitetin e të gjitha atyre grave dhe vajzave të cilat ndjehen të rrezikuara nga çfarëdo lloj dhune. Duke vlerësuar rolin e rëndësishëm që ka fuqizimi ekonomik ne si Qeveri jemi angazhuar që në të gjitha masat tona për rimëkëmbje ekonomike të kemi të integruar komponentën gjinore duke filluar nga fondi 2 milionësh për Agjencinë për Barazi Gjinore përmes Masës 10, tek Ministria e Rinisë, Kulturës dhe Sportit, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë me qëllim të përkrahjes së ndërmarrësisë me pronësi apo me bashkëpronësi (së paku 50%) të grave ndërmarrëse, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, përmes Agjencisë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA) janë synuar bizneset dhe iniciativat e udhëhequra nga gratë apo ato që punësojnë më tepër gra (29 përfituese gra janë mbështetur në vlerë prej – total 400 mijë euro). Jemi përkujdesur dhe do të vazhdojmë të mbështesim punën e strehimoreve që ofrojnë përkujdesje për viktimat e dhunës duke ju siguruar kontinuitet dhe qëndrueshmëri financiare për punën e tyre”, tha Hoti. /Telegrafi/