LAJMI I FUNDIT:

Hoti: Në ditët në vijim, sqarohen shumë gjëra

Hoti: Në ditët në vijim, sqarohen shumë gjëra

Dhuna në Kuvend është e papranueshme dhe thirrja e opozitës për të rrëzuar Qeverinë e Kosovës është jo demokratike. Kështu është ka thënë anëtari i Këshillit Drejtues të PDK-së, njëherit zëvendësministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Rexhep Hoti, gjatë një bisede në emisionin “Përballje” në TV Besa.

Hoti, duke folur për gjendjen aktuale politike në vend dhe dhunën në Kuvend shkaktuar nga partitë opozitare, tha se është më mirë që opozita të mos vjen fare në Kuvend, se sa të shkaktojë dhunë.


“Nuk mundet që në një sistem demokratik të bëhet thirrje për ta rrëzuar një qeveri”, ka theksuar Hoti.

Sipas tij, opozita nuk ka asnjë partner mbështetës në kauzën e saj dhe se pakënaqësitë mund të zgjidhen vetëm me dialog.

Por sipas Hotit, për herë të parë, kemi diferencime në raport me dhunën dhe gazin nga vetë partitë opozitare e kjo sipas tij po çon në avancim të proceseve.

“Mazhoranca veçmas PDK ka dalë me një zë të fuqishëm që vetëm nëpërmjet dialogut institucional mund të shkojmë përpara. Ka lëvizje të para në këtë drejtim”, ka deklaruar ai.

Hoti theksoi se në ditët në vijim do të sqarohen shumë gjëra.

Ai ka folur edhe për sulmin me koktej molotovi ndaj Zyrës së Presidentes duke thënë se kjo përbën kulmin e guximit të atyre që prishin rendin dhe ligjin dhe atakojnë institucionet.

Kundërshtimet e opozitës rreth Demarkacionit me Malin e Zi dhe Bashkësinë e Komunave me shumicë serbe, ai i ka quajtur të gabuara.

“Opozita ka bërë gabim sepse është marrë me projekte që kanë mbështetje të fuqishme nderkombëtare, fjala është për marrëveshjen e Bashkësisë së Komunave me Shumicë serbe dhe Demarkacioni me Malin e Zi”, ka thënë Hoti.