LAJMI I FUNDIT:

Hoti jep disa propozime për Qeverinë për ta parandaluar thellimin e varfërisë

Hoti jep disa propozime për Qeverinë për ta parandaluar thellimin e varfërisë
Foto: Arkiv

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka dhënë disa propozime për Qeverinë në mënyrë që parandalohet thellimi i varfërisë dhe rënia e cilësisë së jetesës.

Sipas tij, pakoja për përballje me inflacionin e prezantuar nga ekzekutivi është e vonuar dhe jo adekuate.


Ndaj, ka thënë se zgjidhja mbetet indeksimi i pagave, pensioneve, asistencës sociale dhe subvencioneve për normën e inflacionit.

“Pakoja për përballje me inflacionin që u propozua nga Qeveria, e cila parasheh mbështetje të njëhershme për familje, do të kishte kuptim në kohën e pandemisë, kur familjet kishin nevojë për mbështetje të njëhershme për të përballuar rënien e të ardhurave gjatë muajve të mbylljes totale”, ka shkruar Hoti në Facebook.

“Tani është e qartë se rritja e çmimeve do të vazhdojë edhe për disa muaj. Me gjasë, pas një kohe çmimet do të stabilizohen në nivele të larta. Prandaj, rënia e fuqisë blerëse e të ardhurave të familjeve nuk është e përkohshme dhe, rrjedhimisht, nuk mund të zgjidhet me masa të njëhershme. Masat duhet të jenë sistematike dhe afatgjata”.

Zgjidhje e qëndrueshme, edhe pse jo perfekte, sipas Hotit mbetet indeksimi i pagave, pensioneve, asistencës sociale dhe subvencioneve sipas normë së inflacionit.

“Vetëm kështu do të ruhej fuqia blerëse e të ardhurave. Vetëm kështu parandalohet thellimi i varfërisë dhe rënia e cilësisë së jetesës. Kjo zgjidhje do të ishte lehtësisht e realizueshme në sektorin publik. Për më tepër, kjo nuk do të ngarkonte shumë buxhetin e shtetit, pasi të hyrat tatimore janë rritur proporcionalisht me rritjen e inflacionit”.

Ndërkaq, për sektorin privat ka thënë se do të duhej të rritej paga minimale me vendim të Qeverisë për t’u reflektuar në rritjen e pagave të kategorive më të ndjeshme të punëtorëve që kanë paga të ulëta. /Telegrafi/