LAJMI I FUNDIT:

Historiku i grevave në arsimin e Kosovës

Historiku i grevave në arsimin e Kosovës
Foto: Arkiv

Shtesën prej 100 euro mësimdhënësit në Kosovë e kanë kërkesë që nga fillimi i vitit 2022. Për këtë Sindikata e Bashkuar e Arsimit Shkencës dhe Kulturës (SBAShK), kishte kërcënuar institucionet e vendit me greva që zgjasnin vetëm një orë.

Kjo nuk funksionoi e tash po vazhdon greva e përgjithshme.

Por, këto nuk janë grevat e vetme që i ka përdorur SBAShK-u për arritjen e qëllimeve të tyre.

Gjysmëvjetori i dytë i vitit 2019, po ashtu mësimdhënësit i kishte gjetur në grevë.

Atë vit ishte kërkuar ngritje e pagave e përmirësim i kushteve për mësimdhënësit.

Ndërsa, në tetorin e vitit 2018 grevë ishte mbajtur për ndryshimin e Projektligjit për mësimdhënësit e viteve të 90-ta.

E në atë kohë në krye të Ministrisë së Arsimit ishte Shyqyri Bytyqi.

Ish-ministri i Arsimit, Shyqyri Bytyqi

Ai thotë se edhe atëherë nuk ka qenë e lehtë të arrihet marrëveshje me SBAShK-un.

“Nuk ka qenë e lehtë që të menaxhohet ajo periudhë sepse gjithmonë ekzistojnë dallimet në mes kërkesave të grevistëve dhe mundësisë së Ministrisë së Arsimit për t’i aprovuar ato. Qëllimi jonë në atë kohë ka qenë që mos të bëhet greva fare në mënyrë që mos të ndikojë ajo pastaj tek fëmijët”, tha Bytyqi.

Për njohjen e kontributit të mësimdhënësve në vitet 1989-99 ishte bojkotuar mësimi edhe në vitin 2016.

E për rritje të pagave mësimdhënësit kishin mbajtur grevë edhe në vitin 2015, për më shumë se një javë.

Ndërkohë, për shkak të gjendjes së krijuar në arsim nga shumë faktorë, Kosova nuk ka ‘luks’ për greva më në sektorin e arsimit thotë njohësi i arsimit, Xhavit Rexhaj.

Njohësi i arsimit, Xhavit Rexhaj /Foto: Ridvan Slivova, Telegrafi.com

“Kushdo që është  i vetëdijshëm për gjendjen e arsimit në Kosovë e din që nuk është çështje e kompromisit, por duhet ta kryejë detyrën e tij dhe të mos lejoj asnjë sekondë që të vazhdojë çfarëdo greve në arsimin kosovar as sot e as sot pesë vjet e pas pesë vjete mund të shqyrtohet”, deklaroi Rexhaj.

Grevë disa javëshe për ngritje të pagave në sektorin e arsimit ka pasur edhe në vitin 2003.

Ani pse kishin humbur shumë nxënës mësimin, në atë kohë paga mësimdhënësve iu kishte ngritur vetëm për shtatë euro. /RTV Dukagjini/