LAJMI I FUNDIT:

Historianët e Deçanit kërkojnë nga QUINT-i të ndalë presionin për pronat rreth Manastirit të Deçanit, kërkojnë të dorëhiqet kryetarja e Kushtetueses

Historianët e Deçanit kërkojnë nga QUINT-i të ndalë presionin për pronat rreth Manastirit të Deçanit, kërkojnë të dorëhiqet kryetarja e Kushtetueses

Kryesia e Lidhjes së Historianëve të Kosovës “Ali Hadri” dega në Deçan vazhdon të kundërshtojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për pronat rreth Manastirit të Deçanit dhe kërkon që ky aktgjykim të mos zbatohet nga Agjencia Kadastrale e Kosovës derisa kërkojnë reagim edhe nga krerët e institucioneve të vendit.

Kryetari i Lidhjes së Historianëve të Kosovës “Ali Hadri” dega në Deçan, Shkodran Imeraj e ka quajtur antikushtetues vendimin e 20 majit 2016 për tokat rreth Manastirit të Deçanit. Madje ai thotë se ky vendim zbaton vendimet dhe aktet nënligjore të Serbisë.


“Vendimi antikushtetues i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës i datës 20 maj 2016 është vendimi më skandaloz dhe më antikushtetues që ka nxjerrë në historinë e saj kjo gjykatë. Vendimi i gjykatës rreth pronave të manastirit të Deçanit nuk është asgjë më shumë dhe asgjë më pak se sa një vendim i cili njeh dhe i vë në zbatim ligjet vendimet dhe aktet nënligjore që ka marrë Serbia për Kosovën në vitin 90-99… Tash e pesë vjet pas, situata është më e brishtë. Zyrtarisht, Manastiri i Deçanit është duke kërkuar nga Agjencia Kadastrale e Kosovës që ta zbatojë vendimin antikushtetuese dhe antiligjor rreth pronave të Manastirit. Ne sot përmes kësaj deklarate kërkojmë nga Agjencia Kadastrale e Kosovës dhe kryeshefi ekzekutiv Avni Ahmeti që të mos e zbatojë vendimin antikushtetues dhe antiligjor të Gjykatës Kushtetuese rreth pronave kadastrale rreth Manastirit. Agjencia Kadastrale nuk duhet të zbatojë vendimin antikushtetues ngase me zbatimin e këtij vendimi do të dëmtohet jo vetëm Deçani, por edhe gjithë Kosova”, tha Imeraj.

Lidhja e Historianëve përmes kësaj konference iu ka bërë thirrje ambasadorëve të Quint-it që të mos të kërkojnë zbatimin e vendimit për pronat afër Manastirit të Deçanit të nxjerr nga Gjykata Kushtetuese në vitin 2016.

Shkodran Imeraj ka kërkuar intervenim në këtë kontest pronësor në mes të komunës së Deçanit dhe Manastirit edhe nga ana e krerëve shtetëror të Kosovës.

“Lidhja e Historianëve iu bën thirrje ambasadorëve të vendeve të QUINT-it që mos të kërkojnë zbatimin e vendimit antikushtetues të Gjykatës Kushtetuese rreth pronave të Manastirit kur dihet se vendimi është i bazuar me vendime të Millosheviqit… Kryesia e Lidhjes i bën thirrje kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca, presidentes Vjosa Osmani dhe kryeministrit Albin Kurti që sa më parë dhe pa humbur të intervenojë në kontestin pronësor në mes komunës dhe Manastirit. I kujtojmë Kurtit kohën kur ai ka bllokuar komunën e Deçanit për të penguar ekstra-zonën e Deçanit, prandaj kryeministri tashmë e ka situatën në dorë që të merret me kontestin në Deçan… Pronat dhe ndërmarrja Apiko dhe Iliria janë pasuri e Kosovës dhe ato me një vendim të veçantë të Qeverisë duhet të shpallen pasuri kombëtare e Kosovës”, theksoi ai.

Ndërsa, historiani Selim Lokaj ka kërkuar që kryetarja e sapo zgjedhur e Gjykatës Kushtetuese, Gresa Caka Nimani ta lirojë këtë pozitë pasi sipas tij, ajo me votën e saj ka zbatuar vendimet e regjimit jugosllav.

“Reagojnë ashpër ndaj zgjedhjes së Gresa Caka Nimanit në krye të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës. Lidhja e Historianëve të Kosovës ‘Ali Hadri’ dega në Deçan kujton se Gresa Caka Nimani ka qenë pjesë e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese që më 20 maj 2016 kanë dhënë vendimin atë gjykim që jetëson masat dhe ligjet e kohës së dhunshme të Millosheviqit në vitit ‘99 për pronat Apiko dhe Iliria… Ajo me dhënien e mendimit pro për dhënien e pronave Apiko dhe Iliria t’i takojnë Manastirit të Deçanit ka shkelur rëndë mbi rendi e ri kushtetues në Kosovës pas viti 2008”, tha ai.

Ndërkohë, që të mërkurën ambasadorët e QUINT-it kanë kërkuar nga institucionet e Kosovës që zbatojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2016 për regjistrimin e tokës së Manastirit të Deçanit.

Në deklaratën e shefave të misioneve të Francës, Gjermanisë, Italisë, Britanisë së Madhe dhe SHBA-së në Kosovë thuhet edhe se respektimi i sundimit të ligjit është detyrim për të gjitha qeveritë.

Po të mërkurën, ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporë, Donika Gërvalla dhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çeku i kanë dërguar presidentit ekzekutiv të “Europa Nostra” në lidhje me përfshirjen e Manastirit të Deçanit” në listën e monumenteve më të rrezikuara në Evropë.

Në këtë letër është thënë se vendimi i “Europa Nostra” është i padrejtë dhe i ndikuar politikisht.

“Jemi të bindur që ky vendim është i pabazuar, pasi nuk përkon me faktet në terren. Për më shumë, vendimi është qartësisht i ndikuar politikisht, një praktikë e paprecedentë në historinë me reputacion të lartë të ‘Europa Nostra’”, thuhet në letrën e dy ministrave.

Ministri Çeku të martën i ka dërguar letër edhe organizatës Future for Religious Hertiage (E ardhmja për trashëgimi fetare) e cila kishte nominuar Manastirin e Deçanit për listën e “Shtatë monumenteve më të rrezikuara në Evropë” të “Europa Nostra”.

Në këtë letër, ministri Çeku shtron pyetjet që ka ai dhe i gjithë shteti i Kosovës në lidhje me vendimin e tyre për ta nominuar njërin prej monumenteve më të sigurta në Evropë në listën më të rrezikuar.

Kujtojmë së kohë më parë presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti ka dërguar letër organizatës “Europa Nostra” nëpërmjet të cilës i kishin shpalosur argumente përse Manastiri i Deçanit nuk i plotëson kriteret për të hyrë në programin e “Shtatë monumenteve më të rrezikuara”.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës pesë vjet më parë kishte marrë vendim, sipas të cilit i njihet e drejta e pronësisë Manastirit të Deçanit mbi 24 hektarë tokë.

Në trend Lajme

Më shumë
Gazeta ukrainase: Pse vendimi i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës për Kosovën është humbje historike për Serbinë

Gazeta ukrainase: Pse vendimi i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës për Kosovën është humbje historike për Serbinë

Lajme
Policia serbe e dërgon në paraburgim mërgimtarin nga Gjakova që e arrestoi në kufi

Policia serbe e dërgon në paraburgim mërgimtarin nga Gjakova që e arrestoi në kufi

Siguri
Arrestimi i zv.drejtorit të Policisë së Kosovës, analistët në Beograd:

Arrestimi i zv.drejtorit të Policisë së Kosovës, analistët në Beograd: "Shfaqja e muskujve" nga Vuçiqi

Lajme
U arrestua nga Serbia, lirohet zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës

U arrestua nga Serbia, lirohet zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës

Lajme
Haradinaj: Ne e ruanim Asociacionin për njohje të Serbisë ose për anëtarësim në NATO, Kurti e dha për Këshillin e Evropës

Haradinaj: Ne e ruanim Asociacionin për njohje të Serbisë ose për anëtarësim në NATO, Kurti e dha për Këshillin e Evropës

Lajme
Maltretimi i kosovarëve në Serbi, eurodeputetja holandeze i reagon Vuçiqit

Maltretimi i kosovarëve në Serbi, eurodeputetja holandeze i reagon Vuçiqit

Lajme
Kalo në kategori