LAJMI I FUNDIT:

Historia e “majorit” Xhafer Kananaj: Donte të ikte nga Shqipëria, u tall me Sigurimin e Shtetit

Historia e “majorit” Xhafer Kananaj: Donte të ikte nga Shqipëria, u tall me Sigurimin e Shtetit

Kohë më parë, në moshën 92-vjeçare, në Vlorë u nda nga jeta Xhafer Kananaj, njeriu i cili i vetëm, në vitin 1960 vuri në lojë organet e Sigurimit të Shtetit në Shkodër dhe Durrës dhe pa dashje zbuloi nivelin e këtyre organeve. Me një dokument fals të sajuar që pothuaj nuk e lexonte askush, kaloi gjithë ato nivele sigurie të shtetit komunist, në Shkodër dhe Durrës. Madje, u fejua në atë atmosferë.

Nga: Kastriot Dervishi


Organet e punëve të brendshme të Shqipërisë në gjithë vendet e Lindjes komuniste spikasnin për nivelin e ulët kulturor e intelektual. Ardhur nga profesione të ndryshme zejtarie apo të sferës së bujqësisë e ruajtjes së bagëtisë, kuadri i Sigurimit të Shtetit plotësonte kushtin e garancisë biografike, por linte shumë për të dëshiruar në inteligjencien e tij. Fill pas lufte, sidomos në vitet 1944-1951, ata vranë, masakruan ose kanë burgosur gjithë elementin kryesor kundërshtar të tyre. Pavarësisht ndryshimeve, oficerët e Sigurimit nuk u ngritën kurrë as nga pikëpamja profesionale e as intelektuale. Rekrutimet e dhunshme zinin vendin kryesor në rrjetin sekret informativ. Për ta provuar këtë, mjafton të shihet historia e Xhafer Kananajt (i vitlindjes 1930) nga Kalivaçi i Tepelenës.

Në vitin 1960 ishte 30 vjeç. Ka dashur të arratiset, por u përfshi në një histori që tregoi në fakt cilësinë e kuadrove të punëve të brendshme, duke rrëzuar gjithë namin e “përsosmërisë” të organeve të diktaturës komuniste. Në marsin e vitit 1960, mendoi që para largimit të vizitonte kalanë e Shkodrës. Pikërisht këtu po festonte 8 Marsin kolektivi i grave të ndërmarrjes së artizanatit. Xhaferit i ngel në mendje një vajzë dhe po e shikonte. Në një këtë çast i afrohet një oficer i DPB-së në Shkodër, kapiten Alush Bakalli, i cili kishte aty gruan dhe i thotë: “Mos jeni gjë kapiten i MPB-së”? Xhaferi pa u menduar i thotë po.

Xhaferi tani “hyri” në organet e punëve të brendshme, krejt i befasuar për mungesën e aftësive të tyre. Kapter Petroja, i gëzuar i tha se do ta ndihmonte të fejohej me vajzën e ndërkohë informon shefin e policisë, kolonel Skënder Vinçanin. Xhaferin e çojnë në DPB ku e presin kolonel Feçor Shehu (kryetari i degës), kolonel Mit’hat Zaçe, nënkolonel Hysen Hoxhati (të Sigurimit), kolonel Skënder Vinçani, nënkolonel Mehmet Sinica (të policisë). Shefi i Sigurimit Hoxhati e pyet menjëherë: “Mos je me Muço Saliun ti” (kryetari i Degës së 6-të të Drejtorisë së Sigurimit të Shtetit në MPB që merrej me sigurimin e udhëheqjes). Xhaferi thotë po.

Shokët e Sigurimit premtojnë të bëhen krushq e të shkojnë te shtëpia e vajzës për fejesë.

Pas dhënies së “eksperiencës” në Shkodër ku merrte pjesë në mbledhje e jepte porosi, në qershor 1960, Xhaferi zhvendoset në DPB në Durrës. Ndikoi këtu kapiteni i Sigurimit, Vasil Sema, i cili ishte transferuar nga Shkodra në Durrës. Ky informoi kryetarin e DPB-së, Kopi Niko, madje duke i thënë se ishte i dërguar nga ministri. Rastis që në Durrës kishte ardhur me pushime Gogo Nushi. Shokët e DPB-së e kujtuan se ishte me të, por mbahej sekret. Xhaferi filloi të këqyrë punën e Sigurimit në Durrës, sidomos në plazh. Jepte porosi, shihte dosje, lironte nga paraburgimi etj. Një ditë në bllokun e vilave vijnë Ramiz Alia, Rita Marko dhe Manush Myftiu. Xhaferi pi kafe me ta. Ramizi jep porosi se duhej të kishte kujdes të huajt. “Mos kini merak shoku Ramiz”, ia kthen Xhaferi.

Duke përfituar nga dita e 10 korrikut, Xhaferi tha se ishte bërë major. I qepën edhe një kostum të ri. I lidhën edhe rrogë. Drejtori i turizmit të Durrësit, Shaban Kokomani, i gjeti edhe një dhomë në të cilën Xhaferi ndenji me të fejuarën. Ushqehej falas. Edhe në Durrës merrte pjesë në mbledhje, jepte porosi, etj.

Historia e Xhaferit kushedi sa do zgjaste nëse nuk do të njihej nga një operativ që ndodhej me pushime në Durrës. Duke kuptuar njohjen, Xhaferi shkoi vetë në zyrën e Kopi Nikos dhe i tha se ishte fals. Ishte data 25 gusht 1960. I hutuar dhe frikësuar, Niko lajmëroi Ministrinë. Foli me Mihallaq Ziçishtin, i cili e urdhëroi ta mbante aty. Erdhën pas pak orësh Mihallaq Ziçishti, Xhule Çiraku, Gjon Banushi. Mihallaq Ziçishti i bërtet Kopi Nikos duke i thënë: “Po a nuk e kupton se nuk ka majorë kaq të rinj”?

Xhaferin e sjellin në Tiranë te Selvia. Në qeli vijnë për ta parë Hysni Kapo, Rrapo Dervishi dhe Foto Çami. Cili ishte njeriu që kishte poshtëruar armën më “vigjilente” të partisë, e cila rezultonte syleshe e klasit të parë. Hysni Kapo i drejtohej Xhaferit: “Çfarë budallenjsh janë këta oficerët tanë. Ti Xhafer je origjinal. Shyqyr që nuk u arratise”. Xhaferi u dënua me 14 vjet burgim. Nuk ia kaluan çështjen politike sepse kjo do të çonte në pushkatim të tij dhe burgosje të të gjithë oficerëve. Vuan dënimin në repartin nr. 301 Bulqizë. U lirua në vitin 1966.

Masat e Kadri Hazbiut ndaj kuadrove të Sigurimit që u tallën dhe vunë në lojë nga Xhafer Kananaj

Xhafer Kananaj zbuloi se oficerët e Sigurimit ishin “servilë, hipokritë, frikacakë, pa moral”. Krejt pa dashje, në një rrethanë të padëshiruar, Kananaj zbuloi se ata që hiqeshin si të zgjuar, nuk ishin veçse të paaftë dhe të paditur. Në gjithë aktivitetin e tij nga marsi në gusht 1960, Xhafer Kananaj zbuloi paaftësinë intelektuale dhe organizative të Sigurimit të Shtetit.

Në kohën kur u arrestua, ministri i punëve të Brendshme, Kadri Hazbiu, u dërgoi organeve të varësisë një material me 11 faqe, duke i kritikuar në mënyrën më të ashpër se si ua kishte hedhur një njeri i vetëm e pa asnjë përgatitje paraprake. Masat që u morën në atë kohë ishin:

– U nxorën në lirim, një major, tre kapitenët dhe një nëntoger

– Iu ul grada dy kapitenëve dhe një togeri

-U shkarkuan dhe transferuan me ulje, një kolonel, tre nënkolonelë, një major dhe tre kapitenë.

– Morën vërejtje paralajmërimi tre kapitenë

– U çmobilizua gjithë efektiv i postës policisë së urës Baçallëkut të çmobilizohen.

– Iu shënua në biografi kryetarëve të degëve të punëve të brendshme në Shkodër dhe Durrës, Feçor Shehu dhe Kopi Niko.

Vendimet e Hazbiut ishin këto:

– Për arsye se kanë kryer faje të rënda që kanë të bëjnë me shkeljen e ligjshmërisë, të urdhrave dhe rregullave në fuqi, t’i jepen gjyqit kapiten I Vasil Sema, kapiten Stavri Marini dhe kapter Petro Gori.

– Për arsye se nuk janë treguar në lartësinë e funksione që mbajnë dhe se kanë shkelur urdhrat dhe rregullat në fuqi:

– Të nxirren në lirim si të padenjë major Mehmet Sinica, kapiten I Syrja Shehu, Novrus Harizi, Nazmi Dushku dhe toger Hetem Vrenozi.

– T’u ulet nga një gradë kapitenëve Sulo Hajdari, Shaqo Hameti dhe toger Vasil Feshtit.

– Të shkarkohen dhe transferohen me ulje kolonel Bastri Bedini, nënkolonel Skënder Vinçani, Taqo Luarasi dhe Hysen Hoxhati, major Niko Çami, kapitenat I Thanas Kallajxhiu, Hamdi Ulqinaku, kapiten II Fane Xhuveli.

– U heq vërejtje me paralajmërim nënkolonel Mitat Zaçes, kapitenëve të parë Ramazan Domi dhe Pandeli Bllaca.

– Për kolonel Feçor Shehun dhe kolonel Kopi Nikom, respektivisht kryetar i Degës së Punëve të Brendshme Shkodër dhe Durrës, nuk po marr masa për arsye se janë të rinj në këto detyra, porse do të kenë parasysh masën e përgjegjësisë që ata mbajnë.

– Për arsye se nuk janë treguar vigjilentë dhe të disiplinuar si kolektiv efektiv i postës së policisë së urës Baçallëkut të çmobilizohen.

– Për arsye se janë treguar vigjilente dhe të rregullt në zbatimin e detyrës në këtë rast, falënderoj komandantin e postes policisë plazhit Durrës dhe gjithë efektivin e kësaj poste.

Kapiten Alushi dhe kapter Gori

Xhafer Kananaj ishte 30 vjeç kur shkoi në Shkodër. Donte të arratisej, por para se të shkonte në kufi, vizitoi kalanë e Shkodrës. Ishte 8 marsi i vitit 1960. Atë ditë gratë e ndërmarrjes së artizanalit festonin ditën ndërkombëtare të gruas. Me ta ishin edhe disa bashkëshortë të tyre, si kapiten Alush dhe kapter Petroja. Ishte një situatë e cila edhe mund ta rrezikonte nëse ata e kuptonin se ishte i huaj në Shkodër dhe do të arratisej. Xhaferi shihte Shkodrën dhe grupin e vajzave. Alushi e pa, shkoi në drejtim të tij dhe e pyeti. Midis tyre zhvillohet ky dialog:

Kapiten Alushi: Më falni, nga jeni juve?

Xhafer Kananaj: Nga Tirana.

Kapiten Alushi: Mos jeni gjë oficer i Ministrisë së Punëve të Brendshme?

Xhafer Kananaj: Po

Kapiten Alushi: Mos jeni gjë kapiten?

Xhafer Kananaj: Po.

Alushi: Atëherë ju ftoj të bashkoheni dhe të hamë së bashku.

Xhafer Kananaj: Ju faleminderit, por nuk kam kohë.

Pas kësaj bisede, kapiten Alushi i tregon kapterit aty pranë. Pas ndenji pak, kapter Gori erdhi për të takuar Xhaferin. Rregulloi rrobat, u ngrefos dhe iu drejtua gjithë seriozitet Xhaferit duke e nderuar. Dialogu i tyre ishte ky:

Kapter Gori: Shoku kapiten ju uroj shëndet!

Xhafer Kananaj: Ku më njihni ju se jam kapiten?

Kapter Gori: Pavarësisht se jeni civil, ju njoh. Po nuk njoha oficerët e Ministrisë së Punëve të Brendshme, kot sa ha bukën e shtetit.

Pasi bëjnë një bisedë të shkurtër, biseda vazhdon për një qokë transferimi:

Kapter Gori: Shoku kapiten! Kam kaq vjet në Shkodër dhe dua të transferohem në Fier. A mund të ndërhyni për mua?

Xhafer Kanani: Diçka do të bëjnë edhe për ju, por partia ka rregulla.

Kapter Gori: Si urdhëron shoku kapiten. Ju faleminderit shumë.

“Agjenturisti” Feçor Shehu dhe vartësit e tij, në lojën e Xhafer Kananit dhe fejesa në Shkodër

Në përpjekje për të rënë në sy të mirë të “kapitenit” nga Tirana, kapter Gori, duke kujtuar se vërtet Xhafer Kanani kishte ardhur me synime fejese me vajzën punonjëse të ndërmarrjes së artizanatit, e bisedoi çështjen me nënkolonel Skënder Vinçanin. Kapteri e çon Xhaferin në Kafen e Madhe në Shkodër e prej andej në Degën e Punëve të Brendshme ku sapo ishte emëruar kryetar kolonel Feçor Shehu. Bashkë me këtë ishin edhe nënkolonel Mit’hat Zaçe, nënkolonel Hysen Hoxhati, major Mehmet Sinica, kapiten Sulo Hajdari dhe kapiteni Hamdi Ulqinaku, pra gjithë udhëheqja e degës. Xhaferi i nderon ushtarakisht dhe ata po ashtu e nderojnë. dialo midis tyre:

Xhafer Kananaj: Ju uroj shëndet shokë!

Feçor Shehu: Shëndet paç shoku kapiten! Mos jeni gjë me Muço Saliun?!

Xhafer Kananaj: Po.

Feçor Shehu: Si u bë gruaja e Muços, se ka qenë sëmurë?

Xhafer Kananaj: Është më mirë tani, e kaloi.

Feçor Shehu: Më dhatë një lajm me të vërtetë të mirë shoku kapiten.

Muço Saliu ishte kryetar i Degës së 6-të të Drejtorisë së Sigurimit të Shtetit në MPB-së, e cila merrej me sigurimin e udhëheqjes. Fejesën e Xhaferit e mori përsipër Dega e Punëve të Brendshme Shkodër, e cila me 14 ushtarakë me tri makina tipike sovjetike, shkoi në shtëpinë e vajzës, duke pasur si kryekryekrushk nënkolonel Hysen Hoxhatin. As pyeti njeri për biografi, as i kërkoi kush dokument, por pëshpëritej se Xhaferi ishte kushëri i kryeministrit. Kafetë u kthyen në “shtëpinë” e dhëndrit, në banesën e kuadrit të degës, Anastas Kolesë. Xhaferi paraqitej se ishte dërguar nga ministri i Punëve të Brendshme për probleme tepër sekrete. Gjatë kësaj kohe flinte në hotelin “Sporti” në Shkodër. Gjatë qëndrimit në Shkodër, sipas rastit, Xhaferi lironte ndonjë të paraburgosur me arsyetimin se çështjen “e dinte partia”.

Në trend Kultura

Më shumë
Kanti dhe çështja për paqen

Kanti dhe çështja për paqen

Analiza
QYSH ATËHERË KJO VAKI PAT MBARUAR

QYSH ATËHERË KJO VAKI PAT MBARUAR

Poezi
Ferri i shqipëruesit të “Komedisë Hyjnore”

Ferri i shqipëruesit të “Komedisë Hyjnore”

Kulture
“Illyricum”, film kushtuar pushtimit të ilirëve (Video)

“Illyricum”, film kushtuar pushtimit të ilirëve (Video)

Kulture
Arkitektura dhe arti i xhamive me kube në Kosovë

Arkitektura dhe arti i xhamive me kube në Kosovë

Kulture
Viti 1918: Fundi i Luftës së Madhe dhe paqja e padrejtësive

Viti 1918: Fundi i Luftës së Madhe dhe paqja e padrejtësive

Agron Shala
Kalo në kategori