Fluturimet direkte ajrore nga SHBA drejt Venezuelës kanë rifilluar sot në mëngjes, për herë të parë pas shtatë vitesh, ndërsa aeroplani i parë është nisur nga Miami drejt Karakasit, ka njoftuar kompania ajrore American Airlines.

Ministri amerikan i Transportit, Sean Duffy, në janar ka shfuqizuar urdhrin e vitit 2019 që ua ndalonte kompanive ajrore amerikane fluturimet drejt Venezuelës, pas një udhëzimi të presidentit Donald Trump.


Më pas, në mars, ai ka miratuar edhe kërkesën e American Airlines për fluturime të përditshme në këtë linjë.

Kompania kishte paralajmëruar më herët se rifillimi i fluturimeve do të bëhej së shpejti, pas zhvillimeve politike në vend, përfshirë edhe arrestimin nga ushtria amerikane të liderit Nicolás Maduro.

American Airlines, e cila ka nisur fluturimet për në Venezuelë që në vitin 1987 dhe ishte operatori më i madh amerikan në këtë treg, i kishte ndërprerë shërbimet në vitin 2019 për shkak të ndalimit nga SHBA.

Sipas kompanisë, fluturimet e reja do të shërbejnë për udhëtime biznesi, turistike dhe humanitare. /Telegrafi/