LAJMI I FUNDIT:

Haxhiu i reagon PDK-së: Byroja do të bëhet, drejtësia do të triumfojë

Haxhiu i reagon PDK-së: Byroja do të bëhet, drejtësia do të triumfojë

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka reaguar pasi Partia Demokratike e Kosovës, e ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese, Projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.

Në një shkrim në llogarinë e saj në Facebook, Haxhiu tha se dërgimi i Ligjit për Byronë në Kushtetuese, ka për qëllim zhagitjen e reformave.


Megjithatë minsitrja thekson se Byronë nuk mund t’i ndalojë askush.

“Mund të luftohen e sabotohen, por reformat që kemi nisur në shumë drejtime përbrenda sistemit të drejtësisë tashmë kanë marrë drejtimin e duhur dhe nuk mund t’i ndalojë askush, aq më shumë ata që janë përgjegjës për shkatërrimin e institucioneve. Byroja do të bëhet. Drejtësia do të triumfojë”, tha Haxhiu.

Ministrja shton se para miratimit në parim, projekt-ligji është dërguar edhe në Komisionin e Venecias, si institucionin më kredibil për demokraci nëpërmjet ligjit.

PDK e dërgon në Kushtetuese Projektligjin për Byronë Shtetërore
Lexo po ashtu PDK e dërgon në Kushtetuese Projektligjin për Byronë Shtetërore

Kjo ishte bërë pikërisht me kërkesë  të opozitës.

“Pasi kaloi të gjitha hallkat e verifikimit më në fund u soll në Kuvend për t’u votuar në leximin përfundimtar. Nuk ka institucion më të lartë në kontinentin tonë për të shuar dilemat e opozitës sesa Komisioni i Venecias. Madje edhe vet Gjykata Kushtetuese në rastet sidomos më komplekse, konsultohet me Komisionin e Venecias”, tha ajo.

Byroja sipas saj u bë në përputhje me zotimin para qytetarëve, në Qeverinë Kurti 1.”Në përputhje me zotimin tonë para qytetarëve, në Qeverinë Kurti 1 patëm filluar punën për themelimin e Byrosë për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme. Përgjatë kësaj periudhe janë mbajtur qindra mbledhje deri në hartimin dhe harmonizimin e projekt-ligjit mbi të cilën Byroja do të merrte jetë”, shkroi Haxhiu.

Ndërkaq, më 9 shkurt 2023, Kuvendi i Kosovës e miratoi në lexim të dytë Projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.

Afati për dorëzimin e kërkesës në Kushtetuese, sipas Nenit 113.5 të Kushtetutës së Kosovës, parashtrohet brenda një afati prej tetë ditësh nga dita e miratimit të ligjit ose vendimit të caktuar./Telegrafi/