LAJMI I FUNDIT:

Haxhiu e quan frikacak gjykatësin që nuk i dënoi deputetët e Vetëvendosjes

Haxhiu e quan frikacak gjykatësin që nuk i dënoi deputetët e Vetëvendosjes

Akuza të rënda ka bërë deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu – Kamishi, ndaj gjyqtarit Vesel Ismajli.

Duke komentuar vendimin e sotëm të Gjykatës, ku Veseli i shpalli të pafajshëm deputetët e Vetëvendosjes, Rexhep Selimi e Visar Ymeri, për rastin me rrahjen me Kamishin, ky i fundit ka thënë se kemi të bëjmë me “një gjykatës të paditur, për të mos thënë gjykatës pis”.


“Gjykatësi i ka pasur të gjitha faktet, por nuk pat guximin për të vënë drejtësi për një rast të njohur botërisht, sepse ra pre e presionit dhe frikësimeve sistematike të Lëvizjes Vetëvendosje. Ai u frikësua për të marrë një vendim të drejtë. Është një gjykatës frikacak”, ka thënë Haxhiu në “Interaktiv” të KTV-së.

“Njeriu më i pafajshëm është ai i cili u dënua. Ai vetëm ka kryer punën e tij, punën që i kanë dhënë shefat e tij. Edhe me Kanun dënohet nxitësi, dhe në këtë rast ishte dashur që të dënohet nxitësi. Kërkoj nga Gjykata që ta lirojë Besart Bujupin, sepse ai është i pafajshëm. Nëse nuk ka pasur guximin që të dënojë meritorët për këtë incident, le ta lirojë edhe atë”, ka thënë Haxhiu, më tej.

Haxhiu ka shkuar më tej, duke thënë se me vendimin e sotëm, Vesel Ismajli i ka rrezikuar të gjithë zyrtarët e shtetit, përcjell koha.net.

“Prej sot le t’i rrahin kush të dojë gjyqtarët, sepse tashmë është krijuar një precedan i pashoq”, ka thënë Haxhiu.

Haxhiu ka thënë se vendimet si ky i gjyqtarit Ismaili, çojnë në hakmarrje të madhe mes njerëzve, të cilët, sipas tij, do ta marrin ligjin në duart e veta.