LAJMI I FUNDIT:

Hasani: Kosova në NATO nuk përcaktohet nga agresioni rus në Ukrainë, por nga dialogu me Serbinë

Hasani: Kosova në NATO nuk përcaktohet nga agresioni rus në Ukrainë, por nga dialogu me Serbinë

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, thotë se anëtarësimi i Kosovës në NATO nuk përcaktohet prej agresionit rus në Ukrainë, por nga dinamikat e brendshme që kanë të bëjnë me dialogun me Serbinë.

Hasani thekson se Kosova nuk mund të përfitojë nga lufta në Ukrainë për t’u anëtarësuar në NATO, apo organizata të tjera ndërkombëtare, pasi Rusia nuk mund të projektojë forcë në Ballkanin Perëndimor.


Sipas tij, anëtarësimi i Kosovës në NATO do të përdoret si njëri prej mjeteve të fundit të presionit ndaj Serbisë për të njohur pavarësinë e Kosovës.

Në një intervistë për KP, Hasani thotë se Kosova ka bërë mirë që ka marrë pozicion pro-perëndimor, duke vendosur sanksione ndaj Rusisë.

“Çështja e anëtarësimit tonë në NATO, këtë duhet ta kuptojë çdokush se përcaktohet prej dinamikave dhe faktorëve të tjerë të brendshëm që kanë të bëjnë me raportet tona në dialogun me Serbinë. Anëtarësimi ynë në NATO është çështje e sigurisë rajonale këtu, jo çështje e sigurisë globale.

Pasi ndikimi rus është shumë i dobët në këtë pjesë të botës dhe nuk mundet të projektojë forcë sepse është krejt e rrethuar me NATO-n. Anëtarësimi ynë në NATO është njëri prej mjeteve të fundit të presionit ndaj Serbisë për njohje të Kosovës dhe stabilizim të marrëdhënieve me Kosovën. Nuk është diçka që kjo krizë dhe kjo luftë që ne mund të përfitojmë me anëtarësim në NATO dhe as me anëtarësim në organizata të tjera ndërkombëtare”, tha ai.

Sipas tij, ato janë pjesë e dinamikave të tjera që lidhen me rajonin dhe fqinjësinë tonë të afërt dhe jo Rusinë…

“Nuk është ajo që është e pamundur, (anëtarësimi këtë vit i Kosovës në NATO), por nuk diktohet prej faktorëve që po paraqiten. Nuk diktohet prej faktorit rus, raporteve të tyre fqinjësore si Ukraina, apo vendeve të tjera.

Ajo diktohet prej raporteve tona me Serbinë, sa i përket dialogut. Anëtarësimi ynë në NATO është pjesë e atij procesi dhe është mjet si presion ndaj Serbisë nëse nuk merr vesh si të thuash ose nuk dëshiron me kuptu se Kosova është shtet sovran dhe i pavarur dhe ne jemi përfitues të sigurisë nën ombrellën e NATO-s siç është Serbia”, thotë ai.

Hasani thotë se pavarësisht hezitimit për të vendosur sanksione ndaj Rusisë, Serbia nuk do të ketë pasoja në integrimet evropiane.

Ai shton se BE-ja dhe ShBA-ja mjaftohen me qëndrimin e Serbisë se mbështesin integritetin territorial të Ukrainës.

“Tjetër është ne çfarë dëshirojmë dhe reagimi jonë kundër Serbisë janë legjitime ndaj aleatëve tonë. Por, Serbia është vendi i vetëm në këtë pjesë të Evropës që ankoron baza ushtarake ruse dhe prezencë të konsiderueshme kineze në sferën ekonomike, të inteligjencës dhe teknologjisë së lartë. Për pasojë raportet e Perëndimit dy anët e Atlantikut janë të tilla që ata mjaftohen dhe reagimi i tyre është i tillë që janë të kënaqur me pozicionin serb për ruajtjen e integritetit territorial të Ukrainës. Kaq… Nuk shoh se Serbia mund të ketë pasoja në integrimet evropiane ose zvarritje për shkak të reagimit. Ne mund të mendojmë siç kemi dëshirë por realiteti është ky. Nga Serbia është kërkuar të thotë atë që e ka thënë që integriteti territorial i Ukrainës nuk diskutohet dhe ajo nënkupton edhe regjimin e brendshëm kushtetues. Shikoni tash çështja e sanksioneve e tyre, Qipro nuk e bënë, nuk besoj se edhe Turqia i zbaton që është aleat i NATO-s. Qipro ka dënuar agresion e krejt, por në sanksione nuk merr pjesë”, thekson Hasani.

Madje, ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese nuk sheh ndonjë ndikim konkret të luftës në Ukrainë në Ballkanin Perëndimor dhe veçmas në Kosovë.

“Sot për sot vështirë mund të thuhet se ka ndonjë ndikim në Ballkan kjo çfarë bënë Rusia, sot për sot siç është ky raport i forcave. Pasi ndikimi rus përveç në Serbi, nuk ka qenë askund prezent. Ka qenë prezent siç po quhet ndërhyrje hibride, por ato nuk kanë qenë rezultat i vitalitetit ushtarak të shoqërisë ruse, por më shumë janë bërë me i ngadalësua, jo që kanë arritur një qëllim tjetër… Forcat e nacionalizmit serb munden në Ballkan me bë ndonjë demonstratë, apo diçka të ngjashme, por në këtë fazë dhe moment nuk mund të ketë asnjë strukturë të organizuar shtetërore të serbëve në rajon që mundet me i ndalë në mbështetje të hapur të Putinit”, deklaron ai.

Sipas tij, për vlerat euro-atlantike është jetike moslejimi i prishjes së rendit ndërkombëtar që bazohet në rregulla.

“Për Perëndimin është jetike moslejimi i prishjes së rendit ndërkombëtar që bazohet në rregulla. Algoritmi i rendit të sotshëm ndërkombëtar është ndërtuar pas Luftës së Dytë Botërore nga amerikanët, më vonë edhe evropianët e kanë fuqizuar.

Ai bazohet në rregulla të qarta paraprake sa i përket të drejtës për vetëvendosje. Ajo e drejtë për vetëvendosje siç dëshiron Putini dhe siç është menduar në bashkimin sovjetik dikur dhe Millosheviqi qysh dëshironte nuk shkon me forcë për t’i treguar tjetrit se bënë kështu, ose ashtu. Perëndimi në këtë kuptim e sheh Ukrainën përveç se është shtet sipas të drejtës ndërkombëtare, ajo ka edhe një regjim demokratik që e mbron sipas standardeve të Aktit Final të Helsinkit, i cili e ruan integritetin territorial për ato shtete që sillen mirë me shtetasit e vet.

Prandaj, Putini thotë se gjenocid dhe ato Republikat që i njohu e ka bërë për këtë arsye, me provu një arsyetim që jam i bindur se s’ka gjyq ndërkombëtar që se pranon as vetëmbrojtjes siç e thoshte. Pasi s’ka asnjë shenjë që ka pasur represion nga ana e forcave të Ukrainës as në të kaluarën, as tani. Të gjitha analizat janë se ai ka besuar se populli i Ukrainës e përkrah Rusinë, pasi ata kanë pasur histori të përbashkët më shumë paqësore dhe jokonfliktuoze”, thotë ai.

Sanksionet e ShBA-së dhe BE-së karshi shtetit rus, Hasani i sheh si pozitive dhe thotë se po godasin elitën e shoqërisë ruse dhe financat që gjenerojnë pushtetin e presidentit Putin.

“Sanksionet e kanë goditur shumë jo vetëm atë (Putinin), pasi natyra e autokracisë personaliste është se i ke miqtë afër, oligarkët dhe i mbanë me miliarda dhe gjithë pasuria e tyre është ngrirë. Është ngrirë pasuria e industrisë që financon ushtarakët dhe tash këta i bëjnë problem të brendshëm, pasi problemin do të ketë me ata (oligarkët).

Ai sheh rrezik se mund t’i vjen fundi pushtetit të tij që nuk e ka pritur. Kalkulimi kryesor i tij ka qenë se populli në Ukrainë e pret duar hapur, ka qenë i bindur pasi ashtu i ka pasur informatat e rrejshme. Tash po e sheh se ky proces mundet me u zgjatë dhe për pasojë tjetër s’ka menduar, përveç me kërcënim me armatim nuklear”, përfundon Hasani.

Ndryshe, pas agresionit rus në Ukrainë, ka pasur kërkesa të theksuara në Kosovë për përshpejtim të vendit në anëtarësim në NATO. Rusia ka ndërhyrë ushtarakisht në Ukrainë më 24 shkurt.

Në trend Lajme

Më shumë
Pasuria e majme e kreut të Prishtinës – banesa, rezidencë, veturë Tesla e koleksion pikturash milionëshe

Pasuria e majme e kreut të Prishtinës – banesa, rezidencë, veturë Tesla e koleksion pikturash milionëshe

Lajme
Sa kanë pasuri Osmani dhe Kurti? Dyshja deklaron pasurinë e tyre në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit

Sa kanë pasuri Osmani dhe Kurti? Dyshja deklaron pasurinë e tyre në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit

Lajme
Pasuria e Memli Krasniqit, ai posedon numër të madh të kriptovalutave

Pasuria e Memli Krasniqit, ai posedon numër të madh të kriptovalutave

Lajme
Tri shtëpi në Kosovë, një në Shqipëri dhe një vilë -  kjo është pasuria e Ramush Haradinajt

Tri shtëpi në Kosovë, një në Shqipëri dhe një vilë - kjo është pasuria e Ramush Haradinajt

Lajme
Banesë, depo, parking e kursime në bankë – kjo është pasuria e kryeparlamentarit Konjufca

Banesë, depo, parking e kursime në bankë – kjo është pasuria e kryeparlamentarit Konjufca

Lajme
Serwer tregon se pse Serbia i frikësohet anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës

Serwer tregon se pse Serbia i frikësohet anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës

Lajme
Kalo në kategori