LAJMI I FUNDIT:

Hasani: Kosova ka shtatë prioritete gjatë kryesimit me CEFTA-n (Video)

Hasani: Kosova ka shtatë prioritete gjatë kryesimit me CEFTA-n (Video)

Republika e Kosovës ka marrë kryesimin e Marrëveshjes për Tregti të Lirë, CEFTA për herë të dytë, ku gjatë këtij kryesimi i ka renditur shtatë prioritete, në mesin e cilave do të jetë zhvillimi i tregtisë pa barriera në mes të shteteve anëtare si dhe zhvillimi ekonomik i vendeve të rajonit.

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani i cili është edhe kryesues i CEFTA-s ka thënë në një intervistë për Telegrafin se fokusi gjatë kryesimit të CEFTA-së do të jetë që vendet mos të kenë barriera në mes veti.


Ai kryesimin e CEFTA-s e vlerëson si përgjegjësi të veçantë.

“Kemi marrë në Bruksel zyrtarisht drejtimin e CEFTA-s, Kosova ka një përgjegjësi të veçantë sepse udhëheq me shtatë vendet anëtare. Kemi bërë prioritetet tona që janë shtatë. Kosova, përveç kryesimit, do të udhëheqë edhe me shtatë nënkomitete. Për planin tonë gjatë kryesimit kemi bërë një prezantim për këto prioritete, para zyrtarëve të Bashkimit Evropian të cilat planifikojmë t’i realizojnë”, tha ministri Hasani.

Ai thotë se janë të vendosur që këto prioritete të ecin përpara, por kërkon edhe një punë reciproke të përbashkët edhe nga shtetet e tjera anëtare të CEFTA-s, për zhvillimin e rajonit.

“Prioritetet do të jenë shtatë, ku fokusi do të jetë lehtësimi i tregtisë së lirë mesë vendeve anëtare të CEFTA-s”.

Sipas tij, përfaqësimi i Kosovës do të jetë sipas obligimeve ndërkombëtare nga marrëveshjet e më hershme të arritura në Bruksel.

Pas takimit të tetorit në Beograd, ministri Hasani ka thënë se planifikojnë të organizojnë një takim në Prishtinë ku ftesë do t’i bëjnë edhe ministrit serb të Tregtisë.

“Në muajin mars do ta ftojmë një takim të niveli të ministrave në Prishtinë, ku do t’i dërgojmë ftesë edhe ministrit serb si dhe ministrave të tjerë të vendeve anëtare të CEFTA-s. Besoj se ftesën do ta pranojë edhe ministri serb, sikurse që e kemi pranuar edhe ne si Kosovë dhe kemi shkuar në takimin e organizuar në Beograd”, ka thënë ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani.

Ndryshe marrëveshjen e CEFTA-s në emër të Kosovës e ka nënshkruar UNMIK-u më 26 korrik të vitit 2007. /Telegrafi/