LAJMI I FUNDIT:

Haradinaj: Të gjitha partitë kanë gisht në punësimet në Telekom

Haradinaj: Të gjitha partitë kanë gisht në punësimet në Telekom

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka folur për punësimet në Telekom. Ai pas mbledhjes së Qeverisë ka thënë se më së paku në këtë është përfshirë AAK-ja.

“Unë mirëpres kritikën e Ambasadorit të Anglisë, e meritojmë të na e jap këtë kritikë. Po habitem me disa që e kanë bërë këtë gjendje e po mundohen të na japin moral. Plotë jemi të zhytur në këtë. Njoh kolegë të Aleancës që kanë konkurruar shumë herë, kanë edhe diplomë, por nuk kanë mundur të hyjnë. Unë udhëheq Qeverinë,NISMA, PDK, Lista Serbe, AKR e më së paku AAK-në. Jam kundër këtyre abuzimeve, por njerëzit që më së paku janë të zhytur janë ata të AAK-së. Në zyrën time nuk e kemi kështu, nuk është praktikë që duam të legjitimojmë, kemi punëtorë që nuk janë staf politik. Por me i dhënë goditje dikujt tjetër, e jo ata që e kanë sjellë gjendjen këtu mosni”, ka thënë ai.


Haradinaj ka thënë se target i këtyre punësimeve janë të gjitha partitë.

“Njerëzit e rinj kanë lyp vende pune, Posta ua ka hapur dyert. Ose në ndërmarrjen ‘Pastrimi’, është në rregull të punojnë aty. Ne po ofendojmë njerëz që kanë nevojë për punë, ndërsa ata që e kanë krijuar gjendjen nuk janë target i kësaj. Aleanca, PDK, LDK, të gjithë janë në këtë fatkeqësisht. Ndryshimi bëhet nga vetëdija jonë, është ndryshim fakti që mediat dhe shoqëria civile po flasin për këto tema”, ka theksuar ai.

Ndërsa sipas raportimeve partitë në pushtet kanë punësuar në Telekom familjar e militantë të partive të tyre. Për këtë rast Policia e Kosovës tashmë ka filluar hetimet për punësimet e fundit në Telekomin e Kosovës. /Telegrafi/