Pas taksës fillimisht prej 10% për produktet serbe dhe tash 100%, kryeministri Ramush Haradinaj, ka paralajmëruar edhe veprimin tjetër që mund të ndërmerret karshi Serbisë.

“Ajo që kemi bërë ne është gjëja më normale e mundshme. Taksa është instrument, është përdorur edhe nga presidenti i SHBA-së, Donald Trump, është instrument i njohur, përdoret në plot vende të botës. Është instrument që nuk e kemi zbuluar ne”, ka thënë Haradinaj, në Zona B të Klan Kosova.

“Reciprociteti është tjetër shkallë dhe mund të ndodhë. Është hapi i ardhshëm, por tash taksa po mjafton”.

Kryeministri ka thënë se importi i produkteve nga Serbia është zero dhe ka shtuar se janë të paepur edhe në vendimin që të mos lejojnë të futet mall në vend me mbishkrime si “Kosova e Metohia”.

Haradinaj ka treguar se do ju ka dërguar një memorandum të gjitha vendeve evropiane dhe të tjerave me argumentet rreth masës 100%.

“Ju kam dërguar gjithë qeverie dhe BE se kemi argumente të fuqishme për ta ndërmarr këtë veprim. As në Serbi s’janë të befasuar pse e kemi bërë, janë të befasuar ndoshta pse s’e kemi bërë me herët. Ia kam dhënë një kopje të memorandumit edhe komisionarit Hahn”, tha Haradinaj.